Ukraina i ka dënuar bombardimet vdekjeprurëse të Rusisë gjatë natës duke i cilësuar si përpjekje për t’i sabotuar bisedimet për paqe në Emiratet e Bashkuara Arabe, synimi i të cilave është t’i jepet fund luftës pothuajse katërvjeçare.
Teksa negociatorët nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina e përfunduan ditën e dytë të bisedimeve në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dabi, më 24 janar, të paktën një person u vra dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në kryeqytetin ukrainas, Kiev, si dhe në qytetin e vijës së frontit, Harkiv.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se bisedimet trepalëshe ishin “konstruktive” dhe se takime të tjera mund të zhvillohen javën e ardhshme.
SHIKONI EDHE: Zelensky i bën thirrje Trumpit për më shumë sisteme të mbrojtjes ajroreSipas autoriteteve lokale, të dy qytetet ukrainase u goditën nga breshëri raketash dhe dronësh rusë në orët e hershme të mëngjesit të 24 janarit.
“Me cinizëm, Putini urdhëroi një sulm brutal dhe masiv me raketa kundër Ukrainës pikërisht në kohën kur delegacionet po takoheshin në Abu Dabi për të çuar përpara procesin e paqes të udhëhequr nga Amerika,” shkroi në X ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha.
“Raketat e tij nuk goditën vetëm njerëzit tanë, por edhe tryezën e negociatave”, shtoi ai.
Asnjë palë nuk njoftoi për ndonjë përparim konkret në bisedimet dyditore.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia kishte lëshuar 375 dronë dhe 21 raketa në këto sulme, të cilat edhe një herë kishin në shënjestër infrastrukturën energjetike, duke ndërprerë energjinë elektrike dhe ngrohjen për pjesë të mëdha të kryeqytetit.
SHIKONI EDHE: Rusia shfrytëzon dimrin si armë kundër ukrainasvePara bisedimeve, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të premten se Rusia nuk ka hequr dorë nga këmbëngulja që Ukraina ta dorëzonte të gjithë zonën lindore të Donbasit – zemrën industriale të Ukrainës - që përfshin rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut.
Kërkesa e presidentit rus që Ukraina ta dorëzojë 20 për qind të territorit të Donjeckut që ende e mban nën kontroll – rreth 5.000 kilometra katrorë – ka dalë të jetë pengesë e madhe për çdo marrëveshje.
Zelensky nuk pranon të heqë dorë nga toka që Rusia nuk ka arritur ta pushtojë në katër vjet lufte rraskapitëse dhe shkatërruese.
SHIKONI EDHE: Rusia godet rrjetin energjetik të Ukrainës, lë qindra mijëra banorë pa rrymë në mot acarSondazhet tregojnë se ka pak gatishmëri mes ukrainasve për lëshime territoriale.
Rusia thotë se dëshiron zgjidhje diplomatike, por do të vazhdojë të punojë për arritjen e qëllimeve të saj me mjete ushtarake, për aq kohë sa zgjidhja përmes bisedimeve mbetet e paarritshme.
Para sulmeve të së shtunës, Kievi kishte përjetuar tashmë dy sulme masive gjatë natës që nga fillimi i Vitit të Ri, të cilat kishin ndërprerë energjinë elektrike dhe ngrohjen për qindra ndërtesa banimi.
Zëvendëskryeministri i Ukrainës tha të shtunën se 800.000 njerëz në Kiev – ku temperaturat ishin rreth -10 gradë Celsius – kishin mbetur pa energji elektrike pas sulmit të fundit rus.