Trump niset drejt Ankarasë për samitin kyç të NATO-s

Vendi ku do të mbahet samiti dyditor i NATO-s në Ankara të Turqisë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, është nisur drejt Ankarasë, ku udhëheqësit e NATO-s po mblidhen për atë që mund të bëhet në një nga samitet më të rëndësishme të aleancës në vitet e fundit – jo sepse pritet të prodhojë ndonjë rezultat dramatik, por sepse mund të përcaktojë se si do të duket NATO pas dekadash të dominimit të udhëheqjes ushtarake amerikane.

Samiti i 7-8 korrikut zhvillohet në një kohë kur Uashingtoni haptazi po i përgatit aleatët evropianë për një ndryshim gradual të pranisë ushtarake amerikane në kontinent, po u bën presion vendeve anëtare të rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen dhe po sinjalizon se siguria e Evropës duhet të bëhet gjithnjë e më shumë përgjegjësi e vetë Evropës.

Trump qëndron në Ankara me ankesat e njohura lidhur me atë se shumë aleatë vazhdojnë të përfitojnë nga mbrojtja amerikane, pa kontribuar mjaftueshëm vetë.

Por, pas retorikës publike fshihet një debat shumë më i thellë për të ardhmen e NATO-s: si të ribalancohet aleanca pa dobësuar aftësinë e saj parandaluese ndaj Rusisë.

Zyrtarë të lartë amerikanë konfirmuan para samitit se rishikimi i vazhdueshëm nga Pentagoni i pranisë ushtarake amerikane në Evropë mund të çojë në zvogëlimin e numrit të forcave amerikane, të stacionuara në të gjithë kontinentin.

“Nuk duhet të ketë habi që po bëjmë një rishikim të pranisë sonë ushtarake”, tha një zyrtar i lartë amerikan. “Ky rishikim mund të çojë fare mirë në përshtatjen e pranisë sonë sepse synojmë t'ia kalojmë Evropës një pjesë më të madhe të barrës”.

Një tjetër zyrtar i lartë i tha Radios Evropa e Lirë më 6 korrik se ky rishikim pasqyron “kërkesat globale” ndaj forcave amerikane dhe nguli këmbë se çdo ndryshim në numrin e trupave do të udhëhiqet nga konsideratat strategjike dhe jo politike.

SHIKONI EDHE:

Ish-ambasadori amerikan në OSBE: NATO-ja po e ripërtërin veten

Një samit që do të masë gatishmërinë e Evropës

Për administratën e Trumpit, samiti në Ankara ka të bëjë më pak me deklaratat dhe më shumë me rezultatet konkrete. Shtëpia e Bardhë kërkon dëshmi se aleatët evropianë po i shndërrojnë premtimet në kapacitete ushtarake.

“Ne presim që të gjithë aleatët të tregojnë një trajektore të qartë dhe domethënëse rritjeje, si në aspektin sasior ashtu edhe në atë cilësor, të shpenzimeve për mbrojtjen, në mënyrë që barra të ndahet më drejt”, u tha gazetarëve para samitit ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker. Ai veçoi Poloninë, Gjermaninë dhe vendet nordike e baltike si shembuj të aleatëve që po lëvizin në drejtimin e duhur.

Vetë Trump, megjithatë, ka qenë më pak diplomatik.

“Isha i zhgënjyer nga Italia. Isha i zhgënjyer nga Mbretëria e Bashkuar... U zhgënjyem nga Gjermania dhe Franca. Spanja është një katastrofë. Spanja është e tmerrshme... Ata mendojnë se po përfitojnë falas”, tha Trump javën e kaluar gjatë një takimi në Zyrën Ovale me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Megjithëse SHBA-ja mbetet kontribuuesja më e madhe e NATO-s sa u përket shpenzimeve, disa aleatë – përfshirë Poloninë, Lituaninë, Letoninë, Estoninë dhe Norvegjinë – tashmë ndajnë një përqindje më të madhe të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen sesa Uashingtoni.

Pas zotimeve të marra në samitin e vitit të kaluar në Hagë, vendet anëtare të NATO-s pritet që në Ankara të paraqesin plane konkrete që tregojnë se si synojnë të arrijnë shpenzime për mbrojtjen në nivelin prej 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035.

Matthew Kroenig, ish-këshilltar i posaçëm i Pentagonit për strategjinë dhe politikat e mbrojtjes, vlerësoi se ky samit do të shndërrohet në një “samit i rezultateve”.

“Çështja është nëse evropianët po e marrin vërtet përsipër barrën që administrata Trump synon t'u transferojë”, tha Kroenig më 6 korrik gjatë një diskutimi në Institutin Brookings.

Edhe pse pranoi se është shënuar përparim, Kroenig tha se zyrtarët amerikanë mbeten të shqetësuar se shumë aleatë ende nuk kanë plane të besueshme për të arritur objektivat e dakorduara të shpenzimeve për mbrojtjen, teksa ende ka pikëpyetje nëse nismat industriale evropiane mund të krijojnë kapacitete që tashmë ofrohen nga prodhuesit amerikanë, në vend që të forcojnë NATO-n në mënyrën më efikase.

SHIKONI EDHE:

Rutte: Aleatët e NATO-s në rrugën e duhur për t’u barazuar me SHBA-në në shpenzimet për mbrojtje

Drejt 'NATO 3.0'

Përtej buxheteve, samiti pasqyron një transformim shumë më të gjerë strategjik. Në vend që të shpërbëjë NATO-n, shumë analistë besojnë se Uashingtoni po përpiqet ta ridefinojë rolin e aleancës.

Charles Kupchan, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin për Marrëdhënie të Jashtme, e përshkroi këtë proces si ribalancim, që sipas tij është dashur të ndodhte më parë, e jo një krizë ekzistenciale.

“Po kalojmë një periudhë të domosdoshme ribalancimi, ku Evropa po merr më shumë përgjegjësi, ndërsa Shtetet e Bashkuara po rishpërndajnë burimet e tyre dhe po riorganizojnë prioritetet strategjike”, tha Kupchan gjatë një diskutimi të organizuar nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë më 6 korrik.

Teksa disa analistë e përshkruajnë NATO-n si një aleancë që po hyn në një periudhë të pasigurisë strategjike, Kupchan argumentoi se themelet institucionale të aleancës mbeten të paprekura.

“Nuk besoj se jemi dëshmitarë të fundit të aleancës transatlantike”, tha ai. “Institucioni mbetet i paprekur”.

Megjithatë, ai paralajmëroi se qasja e Trumpit ka dëmtuar një nga asetet më të vlefshme strategjike të NATO-s: besimin.

“Forca më e madhe e Amerikës janë partneritetet e saj”, tha Kupchan. “Në Evropë do të ketë më shumë armë dhe më shumë tanke, por do të përballemi me probleme serioze nëse askush nuk na do”.

Liana Fix, një tjetër bashkëpunëtore e lartë në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, tha se beson që Evropa tani po vepron njëkohësisht në dy realitete strategjike.

Publikisht, udhëheqësit vazhdojnë të flasin për një ndarje më të drejtë të barrës dhe për një NATO më të fuqishme. Privatisht, megjithatë, qeveritë po përgatisin gjithnjë e më shumë plane rezervë në rast se Uashingtoni e redukton më tej angazhimin e tij ushtarak në Evropë.

“Amerikanët po tërhiqen më shpejt sesa evropianët janë në gjendje ta mbushin boshllëkun”, tha Fix duke paralajmëruar se aleanca mund të përballet me mungesa të konsiderueshme të kapaciteteve, veçanërisht në mbrojtjen ajrore, logjistikën strategjike dhe mbrojtjen raketore.

Sipas saj, vetë Ukraina po bëhet një shtyllë gjithnjë e më qendrore e sigurisë së ardhshme të Evropës. “Sa më shumë që SHBA-ja të tërhiqet nga Evropa, aq më shumë Ukraina bëhet një garantuese e sigurisë për Evropën”, tha Fix.

Ukraina kërkon përfitime konkrete

Ukraina merr pjesë në samitin në Ankara në një kohë kur po përballet me sulme gjithnjë e më intensive raketore nga Rusia dhe me mungesa në rritje të penguesve të avancuar për mbrojtjen ajrore.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të takohet me Trumpin në margjinat e samitit, teksa do të përsërisë kërkesat për sisteme shtesë raketore Patriot, pas një tjetër sulmi vdekjeprurës ndaj Kievit.

Tyson Barker, ish-zëvendës i dërguari i posaçëm i SHBA-së për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës, tha se beson që suksesi i Kievit nuk do të matet nga deklaratat politike, por nga zotimet konkrete ushtarake.

“Çdo zotim për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore do të ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe shumë i nevojshëm”, i tha Barker Radios Evropa e Lirë më 6 korrik.

Në vend që të përqendrohet te debatet për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, Barker tha se samiti duhet t’i japë përparësi rritjes së prodhimit të armatimit, dërgesave të armëve dhe bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes.

“Nuk besoj se mesazhet politike për raportet në të ardhmen mes NATO-s dhe Kievit mund të sjellin ndonjë rezultat pozitiv në këtë moment”, tha ai. “Nevojat urgjente janë zotimet më të mëdha për furnizimin me armë, veçanërisht sisteme të mbrojtjes ajrore, si dhe bashkëpunim më i ngushtë në prodhimin e pajisjeve të mbrojtjes”.

Barker po ashtu sugjeroi se Ankaraja mund të forcojë më shumë dinamikën në zhvillim të bashkëpunimit në rajonin e Detit të Zi midis Turqisë dhe Ukrainës, përmes zgjerimit të bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes.

Kroenig vuri në pah se pavarësisht kritikave nga Evropa, administrata e Trumpit argumenton se vazhdon ta mbështesë Ukrainën përmes ndarjes së informacioneve të inteligjencës, zgjerimit të autorizimit për goditje thellë brenda territorit rus dhe lehtësimit të blerjes nga Evropa të armëve amerikane.

Megjithatë, ai pranoi se penguesit për sistemin Patriot mbeten ndër kapacitetet ushtarake më të rralla në botë.

“Nuk e di nëse SHBA-ja mund ose do të bëjë diçka më shumë”, tha Kroenig. “Ky është një nga kapacitete për të cilat kërkesa është jashtëzakonisht e lartë, ndërsa furnizimi mbetet shumë i ulët”.

Lindja e Mesme zgjeron agjendën e NATO-s

Megjithëse Ukraina dominon agjendën e sigurisë, samiti në Ankara do të vë në pah edhe vëmendjen në rritje të NATO-s ndaj Lindjes së Mesme.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane i thanë Radios Evropa e Lirë se presidenti Trump dëshiron që aleatët të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e transportit tregtar detar përmes Ngushticës së Hormuzit, pas paqëndrueshmërisë së fundit në rajon.

SHIKONI EDHE:

Konservatorët evropianë në SHBA: Ukraina ka rëndësi, por edhe Irani

Barker paralajmëroi se qeveritë evropiane kanë sinjalizuar tashmë gatishmërinë për të kontribuar në sigurinë detare vetëm pasi situata të stabilizohet dhe të ketë një armëpushim të qëndrueshëm.

Vendndodhja e samitit në Ankara po ashtu thekson rëndësinë gjithnjë e më të madhe gjeopolitike të Turqisë.

Trump pritet të zhvillojë takime dypalëshe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoaan, Zelenskyn si dhe presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa. Këto takime pasqyrojnë angazhimin e ripërtërirë diplomatik të Uashingtonit në rajon, pas muajsh të tensioneve të rritura.

Ekspertët e Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë argumentojnë se roli i Turqisë brenda NATO-s po nxitet gjithnjë e më pak nga siguria evropiane dhe gjithnjë e më shumë nga rëndësia e saj strategjike në Siri, Mesdheun Lindor dhe në Lindjen e Mesme në tërësi.

Stephen Sestanovich, bashkëpunëtor i lartë për studimet ruse dhe euroaziatike në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, tha se samiti mund të nxjerrë gjithashtu në pah rënien e ndikimit të Moskës në rajon.

“Nga këndvështrimi i Rusisë”, tha Sestanovich, “ajo që përfaqëson ky samit është afrimi i SHBA-së dhe forcimi i marrëdhënieve me Turqinë dhe Sirinë”.

Një aleancë që po i nënshtrohet transformimit

Pavarësisht mosmarrëveshjeve lidhur me strategjinë, shumica e analistëve pajtohen se samiti në Ankara nuk ka gjasa të sjellë përplasje dramatike apo përparime të mëdha.

Në vend të kësaj, samiti pritet të formalizojë një proces transformimi që tashmë ka nisur.

Qoftë i përshkruar si ndarje më e drejtë e barrës, “NATO 3.0” apo ribalancim strategjik, Uashingtoni duket i vendosur që t’ua kalojë kryeqyteteve evropiane përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të Evropës, duke ruajtur njëkohësisht arkitekturën bazë politike dhe bërthamore të aleancës.

Pyetja që mbetet pa përgjigje është nëse ky tranzicion mund të ndodhë pa krijuar boshllëqe të rrezikshme të sigurisë dhe pa dobësuar besimin që ka qenë themeli i NATO-s për më shumë se shtatë dekada.

Teksa udhëheqësit mblidhen në Ankara, sfida nuk është më thjesht që Evropa të shpenzojë më shumë për mbrojtjen. Sfida është nëse NATO-ja mund t'i përshtatet një shpërndarjeje të re të fuqisë, duke ruajtur njëkohësisht unitetin, që prej kohësh ka qenë përparësia e saj më e madhe strategjike.