Sekuestrimet më të mëdha të drogave në Ballkanin Perëndimor

Drogë e sekuestruar në Serbi në dhjetor të vitit 2025.

Sekuestrimi i pesë tonëve marihuanë në fshatin Konjuh, afër Krushevcit në Serbi, ishte - sipas ministrit të Brendshëm, Ivica Daçiq - sasia më e madhe e drogës e zbuluar ndonjëherë në këtë vend.

Vlera e saj ishte midis shtatë dhe dhjetë milionë eurove.

Droga mbërriti atje nga Maqedonia e Veriut, ndërsa në mesin e të arrestuarve është edhe një zyrtar lokal i Partisë Përparimtare Serbe në pushtet, në pronën e të cilit u gjet kanabisi më 29 janar.

Ky nuk ishte rasti i parë që ngriti dyshime për lidhje të mundshme mes individëve të përfshirë në trafikun e drogës dhe njerëzve të afërt me pushtetin, megjithëse autoritetet i hodhën poshtë ato pretendime.

Radio Evropa e Lirë përgatiti një përmbledhje të sekuestrimeve më të mëdha të drogave në Serbi dhe operacioneve ndërkombëtare në të cilat u arrestuan edhe shtetas serbë.

Dy tonë kanabis në Zemun të Beogradit

Dy tonë kanabis u sekuestruan në gusht të vitit 2025 në Zemun të Beogradit.

Zyra e Prokurorit të Lartë Publik njoftoi në janar se ky operacion dhe informacione të tjera çuan në sekuestrimin e fundit në Konjuh.

Maqedoni e Veriut: Kontrabandë nën maskën e barnave

Policia dhe prokurorët në Maqedoninë e Veriut bastisën disa lokacione në Shkup dhe Strumicë dhe sekuestruan dhjetëra tonë kanabis mjekësor.

Operacioni pasoi një sekuestrim rekord prej pesë tonësh marihuanë në Serbi, e cila u tha se kishte origjinën nga një fabrikë e licencuar në Shkup.

Kultivimi i kanabisit mjekësor është legal në Maqedoninë e Veriut.

Ministri i Shëndetësisë në këtë vend, Azir Aliu, tha se ligji aktual ka dobësi serioze kur bëhet fjalë për kontrollimin e kompanive dhe paralajmëroi një zgjidhje të re ligjore.

Mbi një ton drogë në fermën e ushqimit organik Jovanjica

Në nëntor të vitit 2019, Policia e Serbisë zbuloi një laborator ilegal për prodhimin e kanabisit në fermën për prodhimin e ushqimit organik Jovanjica, pranë Stara Pazovës, afër Beogradit.

Atëkohë u sekuestruan 1.6 ton marihuanë, ndërsa u arrestuan pronari i fermës, Predrag Kolluvija, dhe punonjësit.

Prokuroria për Krim të Organizuar e akuzoi Kolluvijën për drejtimin e një grupi kriminal, me ndihmën e disa pjesëtarëve të policisë, Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit dhe Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake, të cilët, sipas aktakuzës, i dhanë informacione konfidenciale dhe ia siguruan fermën.

Gjykimi është ende në proces, ndërsa të akuzuar janë 18 persona, përfshirë gjashtë pjesëtarë të shërbimeve të sigurisë.

Partia Përparimtare Serbe e mohoi përfshirjen e pushtetit në këtë rast.

Inspektorët e policisë që udhëhoqën operacionin për zbulimin e plantacionit Jovanjica, u shkarkuan në gusht të vitit 2023.

SHIKONI EDHE: Konfiskohen pesë milionë euro në operacionin kundër “Kartelit Ballkanik” në Gjermani

Kokainë nga Ekuadori dhe Brazili

Në fund të nëntorit të vitit 2024, Policia e Serbisë arrestoi tetë anëtarë të të ashtuquajturit “Karteli Ballkanik”, të dyshuar për kontrabandë të kokainës.

Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi njoftoi se në mesin e tyre ishte edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të ndërmarrjes publike të transportit urban në Novi Sad, Mlladen Papoviq.

Disa prej tyre u arrestuan në Beograd, Nish, Novi Sad dhe Mitrovicë të Sremit, ndërsa një shtetas serb u arrestua në Ekuador dhe një tjetër në Bosnje e Hercegovinë.

Policia e Serbisë dyshon se ky grup qëndron pas dërgesave të kokainës, në sasi prej disa tonësh, nga Ekuadori dhe Brazili drejt Evropës.

Prokuroria i lidh ata edhe me sekuestrimin e 505 kilogramëve kokainë në një kontejner nga Ekuadori, i zbuluar në Portin e Ploçës në Kroaci, në mars të vitit 2021.

Prokuroria deklaroi se përmes këtij aksioni, u shkatërrua një nga organizatat më të fuqishme kriminale nga Ballkani.

“Karteli Ballkanik” përfaqëson një rrjet prej disa grupeve kriminale nga rajoni i Ballkanit, të përfshira në kontrabandimin e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Në Serbi u ngritën dy aktakuza kundër personave të dyshuar se janë pjesëtarë të këtij grupi.

Rrjeti i kontrabandës në duart e klaneve malazeze

Kokaina është droga më e kontrabanduar nga grupet kriminale nga Mali i Zi.

Vetëm nga viti 2017 deri më 2021, policia në të gjithë botën sekuestroi më shumë se 30 tonë kokainë, njoftoi Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin në raportin e saj të vitit 2023.

Në atë kohë u tha, gjithashtu, se autoritetet malazeze kanë identifikuar klanet Shkalar dhe Kavaç si grupe të fuqishme të krimit të organizuar dhe me “rrezik të lartë”.

Porti malazez i Tivarit u identifikua në një raport të OKB-së si pikë transiti për grupet kriminale ballkanike në kontrabandën e drogës nga Amerika e Jugut, ndërsa roli i veçantë i marinarëve malazezë u vu re gjatë sekuestrimeve dhe hetimeve policore.

Përveçse në Amerikë të Jugut dhe Mal të Zi, sekuestrime dhe arrestime të kontrabandistëve malazezë të kokainës u bënë edhe në shumë vende të tjera anembanë botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Portugalinë, Rumaninë dhe Australinë.

Gati 200 kilogramë drogë në Austri dhe Spanjë

Katër persona u arrestuan dhe më shumë se 80 kilogramë kokainë dhe 110 kilogramë marihuanë u sekuestruan në një operacion ndërkombëtar të udhëhequr nga Policia e Serbisë, në dhjetor të vitit 2025.

Një shtetas serb u arrestua në Vjenë dhe në posedim të tij u gjet kokainë me vlerë prej disa miliona eurosh.

Të dyshuarit u arrestuan për shpërndarjen e kokainës dhe marihuanës në Spanjë, në Austri dhe në një pjesë në Serbi.

SHIKONI EDHE: Ballkani dhe rruga afrikane e kontrabandimit të kokainës

Më shumë se dy tonë në tetë vende

Europoli - agjencia e zbatimit të ligjit e Bashkimit Evropian - njoftoi në shtator të vitit 2021 se kishte sekuestruar 2.6 tonë kokainë dhe se kishte arrestuar 23 të dyshuar që besohej se ishin anëtarë të një karteli droge në Ballkan, që kontrabandonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë.

Operacioni përfshiu tetë vende: Spanjën, Kroacinë, Serbinë, Gjermaninë, Slloveninë, Bosnje e Hercegovinën, Shtetet e Bashkuara dhe Kolumbinë.

Trembëdhjetë persona u arrestuan në Spanjë dhe dhjetë në Slloveni, ndërsa u sekuestruan 324 kilogramë marihuanë, 612 mijë euro dhe 15 automjete luksoze.

Atëkohë u raportua se anëtarë të grupit ishin kriminelë nga Serbia, Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia, dhe se ata kishin degë aktive në disa vende të Evropës.

Drogat e sekuestruara në Kosovë

Sipas Policisë së Kosovës, marihuana është droga më e sekuestruar në Kosovë gjatë dekadës së fundit.

Midis viteve 2015 dhe janarit 2026, u sekuestruan më shumë se 10 tonë marihuanë.

Policia sekuestroi edhe sasi më të vogla të drogave të tjera, duke përfshirë hashash, ekstazi dhe fara e bimë kanabisi.

Policia nuk specifikoi se cili operacion gjatë dekadës së fundit rezultoi me sekuestrimin më të madh.

SHIKONI EDHE: “Ma nxori zemrën nga vendi“: Fëmijë 9–10 vjeç në Kosovë përdorin drogë

Rasti Shariq, i pari në Serbi

Vendimi përfundimtar në maj të vitit 2022 kundër Darko Shariqit me 14 vjet burg, për kontrabandën e 5.7 tonëve kokainë nga Amerika e Jugut në Evropë nga viti 2006 deri në vitin 2009, i dha fund gjyqit në një nga rastet më të mëdha të krimit të organizuar, të zhvilluara ndonjëherë në Serbi.

Sipas vendimit, Shariq drejtoi një organizatë kriminale në shkallë globale.

Prokuroria tha se grupi kontrabandoi 1.8 ton kokainë në Spanjë, 2.1 tonë u gjetën në një jaht pranë Montevideos në Uruguaj, 1.1 ton u zbulua në Brazil dhe 700 kilogramë u sekuestruan nga Policia e Italisë.

Prokuroria ngriti padi kundër Shariqit dhe të tjerëve në prill të vitit 2010, dhe gjyqi filloi në shtator të atij viti, derisa ai ishte në arrati.

Shariq u dorëzua në mars të vitit 2014, por nuk u bë e ditur se ku fshihej ose nga cili vend vinte.

Përgatiti: Valona Tela