“E papërgjegjshme dhe provokuese” - kështu e komentojnë disa pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë deklaratën e ministres në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila foli për “spastrimin etnik” në Kosovë.
Paunoviq, në një intervistë për televizionin serb Kurir, tha, mes tjerash, se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit - ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës - “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998.
Duke folur për jetën në Kosovë dhe largimin e saj nga Peja gjatë luftës, ajo tha se “nuk do t’i kishte likuiduar shqiptarët ashtu siç ata po përpiqen ta pastrojnë etnikisht Kosovën, por në atë mënyrë që secili që ndihej më pak qytetar i Republikës Federale të Jugosllavisë, të largohej dhe të shkonte në shtetin e vet amë”.
Për shkak të kësaj deklarate, e cila nxiti reagime dhe dënime të shumta, Kosova, më 14 korrik, e shpalli person të padëshiruar, duke ia ndaluar përgjithmonë hyrjen ose kalimin transit nëpër territorin e vendit.
Bilanci i luftës në Kosovë dhe vendimet e Tribunalit të Hagës
Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.
Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë ende të zhdukur.
Udhëheqësit e Jugosllavisë së atëhershme, bashkë me ata të institucioneve të sigurisë, u identifikuan nga Tribunali i Hagës si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova në periudhën mars-qershor 1999.
Ish-gjenerali i Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, në cilësinë e komandantit të Armatës së Tretë, u dënua përfundimisht me 22 vjet burg nga Tribunali i Hagës për dëbim, zhvendosje me forcë, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë në Kosovë gjatë gjysmës së parë të vitit 1999.
Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë, Sreten Llukiq, dhe ish-zëvendëskryeministri i Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.
I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq gjatë paraburgimit në Hagë, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.
Miodrag Milliqeviq, nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, thotë se deklarata e Snezhana Paunoviqit merr peshë edhe më të madhe, për shkak të pozitës së saj si ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë.
Sipas tij, është e qartë se njerëz si ajo “kanë mbetur të bllokuar në vitet ‘90 dhe në traumat” që, siç thotë, “shoqëria jonë ka përjetuar pas shpërbërjes së Jugosllavisë”.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Milliqeviq thotë se deklarata e Paunoviqit “nxit urrejtje ndëretnike” dhe se është e rrezikshme, sepse i vendos serbët e Kosovës në një pozitë edhe më të vështirë.
“Kjo nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë ndonjë armiqësi ndaj dikujt, dhe aq më pak në kontekstin e asaj që po përjetojnë sot serbët në Kosovë”, thotë ai.
Edhe Tatjana Llazareviq, kryeredaktore e portalit KoSSev, thotë se deklarata e Paunoviqit për “spastrimin etnik” është “një shembull tipik i papërgjegjshmërisë”.
Sipas saj, ajo ka pasoja në tri nivele: njerëzor, institucional-politik dhe historik.
Ajo thotë se dikush që mbron vlerat humaniste, nuk duhet as ta mendojë, e lëre më ta thotë publikisht, një deklaratë për spastrimin etnik.
Sipas saj, një gjë e tillë është veçanërisht e papranueshme kur vjen nga një përfaqësuese e Qeverisë së Serbisë.
“Si dikush që vjen nga Kosova, ajo do të duhej të kishte ndjeshmëri të veçantë, si në gjuhën që përdor, ashtu edhe në qëndrimet që mban, pikërisht për shkak të përvojës së rëndë që kanë kaluar për dekada si shqiptarët, ashtu edhe serbët”, thotë Llazareviq për Radion Evropa e Lirë.
Deklaratën e Paunoviqit e dënoi edhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, tha se ajo “është në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, përgjegjësisë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”.
SHIKONI EDHE:
BE-ja dënon deklaratën e ministres serbe për "spastrimin etnik" të KosovësÇfarë thonë qytetarët?
Jellena nga Mitrovica e Veriut thotë se deklarata e ministres serbe për “spastrimin etnik” është “problematike dhe provokuese”.
Sipas saj, ajo vetëm se i dëmton serbët që jetojnë në Kosovë.
“Është veçanërisht problematike, sepse vjen nga një ministre me prejardhje nga Peja, e cila nuk jeton më në Kosovë”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Aleksandri nga Graçanica ndan të njëjtin qëndrim.
“Një deklaratë e tillë e pamenduar nuk u shkon aspak në favor serbëve që kanë mbetur të jetojnë në Kosovë, sepse mund të keqpërdoret. Ajo tregon edhe një herë se sa pak mendon pushteti në Serbi për njerëzit që kanë mbetur të jetojnë këtu”, thotë ai.
Millena nga Shtërpca vlerëson se është “tejet destruktive” që një zyrtare e lartë shtetërore të flasë për spastrim etnik, sidomos duke pasur parasysh rrethanat në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë.
“Ajo që më frikëson është i ashtuquajturi ‘efekti flutur’, pra pasojat negative që kjo deklaratë - pothuajse me siguri - do t’i shkaktojë”, thotë ajo.
Kush e paguan çmimin e deklaratave të politikanëve nga Beogradi?
Disa organizata joqeveritare serbe reaguan më 15 korrik me një deklaratë të përbashkët, duke e cilësuar deklaratën e ministres Paunoviq për “spastrimin etnik” të Kosovës si “gjuhë urrejtjeje, retorikë çnjerëzore dhe përpjekje e rrezikshme për ta normalizuar idenë e spastrimit etnik në hapësirën publike”.
Sipas tyre, pasojat e deklaratave të tilla nuk i bartin politikanët që i bëjnë, por serbët që jetojnë në Kosovë.
“Këta narrativë thellojnë mosbesimin ndërmjet komuniteteve, e rëndojnë edhe më tej pozitën e serbëve të Kosovës dhe shpesh shërbejnë si justifikim për politika dhe masa që kufizojnë të drejtat dhe hapësirën e veprimit të komunitetit tonë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Qendrës për Veprime Shoqërore Afirmative, Nismës së Re Shoqërore, Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial dhe organizatës Aktiv.
SHIKONI EDHE:
Nga Vullin deri te Bërnabiq: Fyerjet ndaj shqiptarëve nga zyrtarë serbë ndër viteLlazareviq, kryeredaktore e portalit KoSSev, thotë se serbët në Kosovë tashmë janë duke i përjetuar pasojat e politikave të Beogradit dhe të Prishtinës dhe se deklarata e Paunoviqit është “ideale për instrumentalizim të mëtejshëm në përplasjet verbale mes Beogradit dhe Prishtinës”.
Edhe Milliqeviq nga organizata Aktiv thotë se autoritetet në Kosovë i përdorin deklaratat e papërgjegjshme të politikanëve serbë për të “arsyetuar” qasjen e tyre ndaj komunitetit serb dhe beson se edhe kësaj radhe do të ndodhë e njëjta gjë.
A do të përballet Paunoviq me përgjegjësi politike?
Studentët protestues në Serbi, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë dhe Partia Serbia Qendra (SRCE) e dënuan deklaratën e Paunoviqit dhe kërkuan që ajo të mbajë përgjegjësi politike.
Në një reagim të publikuar më 14 korrik, Paunoviq tha se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë, anëtare e së cilës është që nga viti 1992.
“Ne jemi partia që e ka udhëhequr Serbinë në rrethana jashtëzakonisht të vështira historike, partia që ka bërë sakrifica të mëdha dhe emri i së cilës është përmendur më së shumti në Hagë”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me deklaratën e Paunoviqit, ndërsa ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili është edhe bashkëpartiak i saj, i cilësoi reagimet ndaj deklaratës për “spastrimin etnik” si “të turpshme dhe hipokrite”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 15 korrik se deklarata e ministres Paunoviq nuk pasqyron as vullnetin e tij dhe as atë të Qeverisë së Serbisë, duke shtuar se politika e shtetit është dialogu dhe kurrë spastrimi etnik.
Ndërkaq, Milliqeviq thotë se Paunoviq duhet të japë dorëheqje të parevokueshme dhe të kërkojë falje.
Llazareviq, në anën tjetër, beson se ministrja mund të përballet me pasoja politike, por “jo sepse Qeverisë së Serbisë i është zgjuar ndërgjegjja”, por për shkak të presionit të opinionit publik dhe bashkësisë ndërkombëtare.