Njerëzit e Vuçiqit në rrugë, studentët në pushtet: Çfarë e pret Serbinë?

Partia Përparimtare Serbe e Aleksandar Vuçiqit humbi zgjedhjet e 25 tetorit pas 14 vjetësh në pushtet.

Sot, falë teknologjisë digjitale, është më e lehtë të gjurmohet lëvizja e parave dhe të zbulohet se ku janë transferuar ato.

Por, teknologjia mundëson edhe transferimin e tyre brenda pak kohe, duke ua vështirësuar autoriteteve përpjekjet për t'i gjetur dhe rikuperuar.

Siç shpjegon Nemanja Nenadiq, drejtor programor i organizatës joqeveritare Transparenca Serbia, e cila merret me luftimin e korrupsionit, paratë “mund të transferohen lehtësisht nga një vend në tjetrin brenda një kohe shumë të shkurtër”.

Por, sa mund ta vështirësojë kjo punën e Listës Studentore, forcës së re politike që fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit në Serbi?

Lista Studentore erdhi në pushtet pas dy vjetësh me protesta, të udhëhequra nga studentët.

Gjatë fushatës, ajo premtoi forcimin e sundimit të ligjit, institucione të pavarura dhe luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Fitorja e saj i dha fund pushtetit 14-vjeçar të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq dhe ngjalli pritshmëri të mëdha te qytetarët - mbi 2.3 milionë prej të cilëve i dhanë votën.

Ky ndryshim politik sjell në mendje vitin 2000, kur Sllobodan Millosheviq u detyrua të pranonte humbjen në zgjedhje dhe u largua nga pushteti pas protestave masive, që kulmuan më 5 tetor në Beograd.

5 tetori kundrejt 25 tetorit

Kur aleanca e 18 partive, e njohur si Opozita Demokratike e Serbisë (DOS), mori pushtetin pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviqit në vitin 2000, një nga kërkesat kryesore të bashkësisë ndërkombëtare ishte ndjekja penale e ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për krime lufte.

Kjo çoi edhe në ekstradimin e vetë Millosheviqit në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, ku ai vdiq në paraburgim në mars të vitit 2006, pa iu shqiptuar aktgjykimi.

Njëzet e gjashtë vjet më vonë, vëmendja u zhvendos te korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit politik për përfitime personale.

“Në periudhën para vitit 2000, ish-zyrtarët e pushtetit kishin mundësi shumë të kufizuara për ta transferuar pasurinë e tyre jashtë vendit. Kjo ndodhte për disa arsye, përfshirë nivelin e zhvillimit të teknologjisë në atë kohë, por, mbi të gjitha, për shkak të sanksioneve që rëndonin mbi shumë pjesëtarë të regjimit, apo edhe mbi vetë shtetin”, kujton Nenadiq.

Nemanja Nenadiq (majtas)

Sot, sipas Nenadiqit, rreziku është shumë më i madh që “një pjesë e konsiderueshme e parave të fituara në mënyrë të paligjshme, të transferohet jashtë vendit, ku autoritetet shtetërore do ta kishin të vështirë t’i gjenin dhe t’i konfiskonin”.

Çfarë tregon rasti i Alta Bankës?

“Pikërisht ky rast tregon se sot është e mundur të reagohet shumë më shpejt se më parë”, thotë Nenadiq.

Që nga 2 nëntori, në paraburgim ndodhet Davor Macura, pronari i Alta Bankës.

E themeluar në vitin 2019, kjo bankë u zgjerua me shpejtësi dhe arriti të tërhiqte si klientë disa nga ndërmarrjet më të mëdha shtetërore të Serbisë, përfshirë Elektroekonominë e Serbisë, e cila është prodhuesja më e madhe e energjisë elektrike në këtë vend.

SHIKONI EDHE:

Ndalohet në Serbi biznesmeni që u propozua për sanksione amerikane

Dy ditë para arrestimit të Macurës, Banka Popullore e Serbisë ia hoqi Alta Bankës licencën e punës, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj financiare.

Macura akuzohet se ka nxjerrë rreth 380 milionë euro nga thesari i bankës, por jo se ka tentuar t'i transferojë ato jashtë vendit.

Ai i mohoi të gjitha pretendimet e paraqitura në kallëzimin penal.

“Ka ndodhur një përpjekje që ndoshta nuk ishte bashkërenduar mjaftueshëm nga njerëzit që, gjatë regjimit të mëparshëm apo atij që ende është në pushtet, kishin mundësi të kontrollonin shuma të mëdha parash. Prandaj, ekziston rreziku që të nxjerrim përfundime vetëm nga ajo që shohim, ndërsa të na shpëtojë ajo që mbetet e fshehur”, thotë Nenadiq.

Çfarë i parapriu kësaj?

Arrestimet që lidhen me falimentimin e Alta Bankës, si dhe një sërë arrestimesh të tjera, u kryen me urdhra të prokurorive, të lëshuar pas zgjedhjeve.

Operacionet u realizuan nga të njëjtat institucione dhe me të njëjtët zyrtarë që ishin në detyrë edhe gjatë qeverisjes së Aleksandar Vuçiqit dhe njerëzve të tij.

Por, a dëshmon kjo se deri më 26 tetor, institucionet e drejtësisë ishin penguar të vepronin për shkak të presionit politik?

Një vlerësim i tillë nuk vjen vetëm nga kritikët e Vuçiqit.

Për presion politik mbi drejtësinë paralajmëroi edhe Komisioni Evropian në raportin vjetor për përparimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, të publikuar më 4 nëntor.

“Presionet e papërshtatshme politike ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë janë rritur ndjeshëm”, thuhet në raport.

Megjithatë, mbështetësit e Vuçiqit i shohin ndryshe arrestimet dhe hetimet.

Sipas tyre, ato janë dëshmi e një fushate “terrori dhe përndjekjeje” që nisi menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve.

Këtë qëndrim e ndan edhe ish-zëvendëskryeministrja Zorana Mihajlloviq, e cila mbeti jashtë Qeverisë së Serbisë në vitin 2022.

Ajo u largua nga Partia Përparimtare Serbe në vitin 2023, por sot mbron politikat e pushtetit të mëparshëm.

SHIKONI EDHE:

Serbia hap sirtarët e drejtësisë pas humbjes së Vuçiqit

Zorana Mihajlloviq, dikur dhe sot

“Do të ishte shumë mirë të shihej se çfarë ka ndodhur me prokurorët që nuk e kanë bërë punën e tyre kur është dashur”, thotë Mihajlloviq në një intervistë për emisionin “Uvid” të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Ajo dha intervistën nga një protestë e organizuar në mbështetje të “Informer”-it, një medium që edhe pas zgjedhjeve mbeti i afërt me njerëzit e Vuçiqit dhe me vetë atë.

Po atë ditë, Organi Rregullator për Mediat Elektronike në Serbi (REM) i shqiptoi “Informer”-it masa të reja ndëshkuese, përfshirë ndalimin e transmetimit të reklamave.

Gjatë intervistës, të zhvilluar në Sheshin Nikolla Pashiq në Beograd, mes protestuesve, Mihajlloviq u pyet për korrupsionin gjatë qeverisjes së mëparshme, pjesë e së cilës ishte nga viti 2012 deri më 2022.

Përgjigjja e saj ishte e shkurtër: “Korrupsion ka gjithkund”.

Por, në shkurt të vitit 2024, Mihajlloviq kishte folur ndryshe.

Në një intervistë për televizionin lokal KTV, ajo kishte kritikuar projektin EXPO 2027, duke e cilësuar si mundësi për korrupsion.

“Një metodë e provuar dhe e organizuar për veprime korruptive”, kishte deklaruar atëkohë.

Zorana Mihajlloviq - fotofgrafi arkivi

Sot, Mihajlloviq thotë se kritikat që kishte bërë në atë kohë për projektin EXPO 2027, ishin pasojë e mungesës së informacioneve, pasi ishte larguar nga Qeveria e Serbisë.

“Kur fola për EXPO-n, nuk e dija se në këtë projekt ishin përfshirë edhe investime të tjera infrastrukturore. Nuk e kisha të qartë se shuma e përgjithshme ishte shumë më e madhe nga sa mendoja se duhej të ishte”, thotë ajo.

Megjithatë, Mihajlloviq këmbëngul se nuk tërhiqet nga deklaratat e mëparshme.

“Unë vetëm sqarova se nuk e dija që nën emrin EXPO ishin përfshirë të gjitha projektet infrastrukturore, jo vetëm ato që lidhen drejtpërdrejt me ekspozitën në Beograd dhe Surçin, por edhe projekte të tjera në vend”, thotë ajo.

Çfarë është EXPO 2027?

Projekti EXPO 2027 përfshin shumë më tepër sesa ekspozitën ndërkombëtare të teknologjisë, shkencës dhe kulturës, e cila është planifikuar të mbahet nga 15 maji deri më 15 gusht të vitit të ardhshëm.

Punimet e mëdha ndërtimore në komunën e Surçinit, në Beograd, nuk kufizohen vetëm në hapësirën prej 25 hektarësh të paraparë për ekspozitën.

Projekti përfshin edhe ndërtimin e një stadiumi futbolli me 52.000 vende, të Panairit të ri të Beogradit, të infrastrukturës rrugore dhe të objekteve të tjera.

Sipas një vlerësimi të Këshillit Fiskal të Serbisë, të publikuar pesë muaj më parë, shpenzimet për EXPO 2027 dhe projektet infrastrukturore që lidhen me të, mund të arrijnë në 3.4 miliardë euro.

Ndërtimi është duke u bërë në bazë të një ligji të posaçëm, të miratuar në tetor të vitit 2023 për zbatimin e projektit EXPO.

Punimet udhëhiqen nga kompania kineze “Power China”, e cila angazhoi qindra nënkontraktorë.

Ligji u kritikua sidomos për faktin se mundëson dhënien e disa kontratave pa tender, ndonëse projekti financohet nga buxheti i shtetit.

Maketa e hapësirës së ekspozitës ndërkombëtare EXPO 2027. Maj 2026.

Mihajlloviq u bën thirrje autoriteteve t'i hetojnë të gjitha dyshimet për korrupsion, por nuk përmend emra konkretë.

Ajo nuk jep emra as kur pyetet për një deklaratë të saj të dikurshme, që kishte bërë bujë, se disa njerëz brenda Partisë Përparimtare Serbe e kishin përdorur partinë si një “automat për t'u pasuruar dhe për të bërë jetë luksoze”.

Sot, këmbëngul se lufta kundër korrupsionit është duke u përdorur për qëllime politike.

“Korrupsioni është vetëm një pretekst për t'i larguar kundërshtarët politikë. Do ta shohim pas një viti se si do të duket e gjithë kjo”, thotë Mihajlloviq.

Çfarë pritet?

“Kjo ngjarje [fitorja e Listës Studentore në zgjedhje] është krejtësisht ndryshe nga ajo që përjetuam në tetor të vitit 2000”, thotë historiania Dubravka Stojanoviq.

Si profesoreshë në Fakultetin Filozofik të Beogradit, ajo ndoqi nga afër mobilizimin e studentëve, protestat e të cilëve nisën pas vdekjes së 16 personave nga shembja e strehës së betonit në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

“Mund të dëshmoj se, të paktën në Fakultetin Filozofik, mbledhjet e studentëve zgjasnin pesë deri në gjashtë orë çdo ditë, deri natën vonë. Më pas, studentët ndaheshin në dhjetë grupe pune, ku diskutonin dhe përpunonin vendimet e marra në mbledhje”, thotë Stojanoviq për Radion Evropa e Lirë.

“Flinin vetëm disa orë në fakultet dhe zgjoheshin herët në mëngjes për të përgatitur rendin e ditës për mbledhjen e radhës. Dhe, kështu, vazhdonin çdo ditë, krahas protestave, sulmeve dhe situatave jashtëzakonisht të rrezikshme me të cilat përballeshin”, kujton ajo.

SHIKONI EDHE:

Pushteti i ri serb synon rishikimin e marrëveshjeve me Kosovën, komunikim me Listën Serbe përmes ndërkombëtarëve

Revolta që nisi në qarqet akademike dhe vazhdoi me protesta për dy vjet, gjeti një mbështetje të paparë në shoqëri.

Lëvizja studentore krijoi një mënyrë të re organizimi dhe vendimmarrjeje, përmes mbledhjeve të hapura, në fakultetet e të gjitha universiteteve të Serbisë.

Vendimet merreshin me votim dhe, deri në zgjedhje, nga lëvizja nuk doli asnjë figurë që mund të konsiderohej udhëheqëse e saj.

Përmes këtyre mbledhjeve u përcaktuan edhe kandidatët e Listës Studentore, e cila do të ketë 140 deputetë në përbërjen e re të Kuvendit të Serbisë.

Seanca konstituive u caktua për të martën, më 17 nëntor.

Partia Përparimtare Serbe e Vuçiqit, e cila mori më shumë se 1.7 milion vota, do të përfaqësohet me 103 deputetë.

Në Kuvend do të jenë edhe partitë e pakicave kombëtare, ndërsa partitë opozitare kanë mbetur jashtë tij.

Për herë të parë që nga rrëzimi i Millosheviqit nga pushteti, jashtë Kuvendit kanë mbetur edhe socialistët e Ivica Daçiqit.

Pikërisht këtu qëndron dallimi, thekson Stojanoviq: Millosheviqin e mundën partitë politike, ndërsa Vuçiqin një lëvizje shoqërore.

Kush mund të japë këshilla?

“Atëherë, ndryshimin e udhëhoqën partitë politike të bashkuara në kuadër të Opozitës Demokratike të Serbisë, të cilat kishin dallime të mëdha mes tyre. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për lëvizjen e sotme studentore, por ajo, gjatë dy vjetëve, ka ndërtuar një formë shumë të veçantë të demokracisë dhe të vendimmarrjes, që deri më tani është dëshmuar jashtëzakonisht efikase dhe e suksesshme”, thotë Stojanoviq.

“Një dallim tjetër është se, në atë kohë, shumë pak njerëz kishin besim tek opozita serbe. Ishte e vështirë që qytetarët ta ndienin veten të përfaqësuar nga ato parti. Edhe ata që i mbështesnin, zakonisht rreshtoheshin ose me Zoran Gjingjiqin kundër Vojisllav Koshtunicës, ose anasjelltas. Kjo ishte problematike që në fillim. Ndërsa, lëvizja e sotme studentore ka arritur të bëjë që një numër jashtëzakonisht i madh qytetarësh ta ndiejnë veten pjesë të saj”, shton ajo.

Meqë lëvizja studentore ka sjellë forma të reja të organizimit politik, është e vështirë të parashikohet se në çfarë drejtimi do të zhvillohen ngjarjet. Mbetet e paqartë edhe nëse vendimet e mbledhjeve studentore në fakultete, që përbëjnë bazën e kësaj lëvizjeje, do ta vështirësojnë punën e Qeverisë së re.

“Ne besonim se ndryshimi duhej të fillonte me trajtimin e çështjeve më të debatueshme të shoqërisë: si erdhëm deri te luftërat e viteve ’90, cila ishte politika që na çoi drejt tyre dhe a jemi shkëputur ndonjëherë prej saj? Si mund të ndërtojmë një politikë të re të brendshme dhe të jashtme? Si duhet t’i rregullojmë marrëdhëniet me rajonin? Besonim se pa u përballur me këto çështje, nuk mund të kishte përparim. Por, studentët kanë treguar se ekziston edhe një rrugë tjetër. Dhe mendoj se nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’u besojmë, sepse ne nuk kemi arritur të bëjmë asgjë”, përfundon Stojanoviq.

Përgatiti: Valona Tela