Serbia ndalon dy agjentë të dyshuar rusë për planifikimin e një sabotimi në Gjermani

Makinë e policisë në Suboticë të Serbisë - fotografi ilustruese

Gjykata e Lartë në Suboticë u caktoi masën e paraburgimit dy personave, konfirmoi kjo gjykatë për Radion Evropa e Lirë më 10 korrik, ndërsa mediat gjermane raportuan se ata dyshohen për planifikimin e një akti të sabotimit në Gjermani dhe i lidhën ata me shërbimin sekret rus.

Autoritetet në Serbi nuk treguan se për çfarë akuzohen dhe as identitetin e tyre të plotë.

Sipas gazetës gjermane Bild, bëhet fjalë për agjentë rusë “njëpërdorimësh”, të cilët dyshohet se planifikonin të vendosnin lëndë shpërthyese në Gjermani.

Gjykata bëri të ditur se të pandehurve me inicialet B.D. dhe Gj.S. u është caktuar masa e paraburgimit deri më 10 gusht, por se vendimi ende nuk ka marrë formë të prerë.

Ata ndodhen në paraburgim që nga 12 qershori, ndërsa në korrik masa u është zgjatur edhe për një muaj.

Gjykata e Lartë në Suboticë tha se nuk mund të japë më shumë informacione lidhur me procedurën në zhvillim.

Policia dhe Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë, e cila po udhëheq hetimet, nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

SHIKONI EDHE:

Gjurmët e spiunëve rusë në Serbi

Çfarë raportuan mediat gjermane?

Gazeta gjermane Bild shkroi se në fillim të qershorit, forcat speciale arrestuan në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë dy persona të dyshuar si agjentë “njëpërdorimësh” të shërbimit sekret rus.

Kjo nënkupton se ata ishin rekrutuar për një mision të vetëm, pa qenë pjesë e përhershme e shërbimeve të inteligjencës.

Sipas raportit të Bild-it, të publikuar në korrik, në valixhen e të dyshuarve është gjetur lëndë shpërthyese, porse nuk është e qartë se cili ishte objektivi i planifikuar në Gjermani.

Hetuesit dyshojnë se shënjestër mund të ketë qenë një objekt i lidhur me prodhimin ose furnizimin e pajisjeve ushtarake për Ukrainën.

Bild shkroi gjithashtu se informacionet e siguruara nga autoritetet gjermane të sigurisë dhe shërbimet e inteligjencës, kanë qenë vendimtare për arrestimin e tyre.

Policia gjermane, agjencia e inteligjencës përgjegjëse për sigurinë e brendshme dhe agjencia evropiane e policisë, Europol, nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë rast.

Ministri federal i Punëve të Brendshme i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, deklaroi në qershor se shërbimet gjermane të sigurisë kishin parandaluar një sulm me lëndë shpërthyese, që kishte në shënjestër Gjermaninë, duke shtuar se bëhet fjalë për një rast tepër konfidencial.

Ministri gjerman, Alexander Dobrindt.

Sipas gazetës Bild, ky konsiderohet suksesi i parë i qendrës së sapokrijuar për luftimin e kërcënimeve hibride.

Në raportin vjetor për vitin 2025 të Shërbimit gjerman për Mbrojtjen e Kushtetutës, Dobrindt paralajmëroi se Gjermania është vazhdimisht cak i sulmeve hibride nga Rusia.

“Shteti rus synon të destabilizojë shoqërinë tonë, të minojë demokracinë tonë dhe të dobësojë mbështetjen tonë për Ukrainën”, thuhej në raport.

Dënime për spiunazh në favor të Rusisë

Arrestimi në kufirin serbo-hungarez ndodhi gjashtë muaj pasi një gjykatë në Serbi dënoi tre persona për spiunazh në favor të Rusisë dhe për organizimin e incidenteve kundër komuniteteve hebraike dhe myslimane në Francë dhe në Gjermani.

Tre shtetas serbë - Aleksandar Saviq, Filip Petroviq dhe Nemanja Qevap - u arrestuan në shtator të vitit 2025 në Smederevë, afër Beogradit, së bashku me tetë persona të tjerë të dyshuar.

Në dhjetor, ata arritën marrëveshje me Gjykatën e Lartë në Smederevë për pranimin e fajësisë dhe u dënuan me ndëshkime që varionin nga gjashtë muaj deri në një vit e gjysmë arrest shtëpiak.

Hetimet ndaj tetë të dyshuarve të tjerë vazhdojnë.

SHIKONI EDHE:

"Koka derrash dhe mbishkrime islamofobe në Francë dhe Gjermani": Provokimet e 11 serbëve të arrestuar

Sipas aktgjykimeve, të cilat janë parë nga Radio Evropa e Lirë, grupi kreu katër operacione midis prillit dhe shtatorit të vitit 2025, të drejtuara kundër komuniteteve fetare hebraike dhe myslimane, me qëllim nxitjen e tensioneve në Gjermani dhe në Francë.

Grupi, mes tjerash, akuzohet se hodhi ngjyrë të gjelbër mbi Muzeun e Holokaustit dhe tri sinagoga në Paris, si dhe la koka derrash para nëntë xhamive në këtë qytet.

Në qendër të Berlinit, pranë memorialit kushtuar hebrenjve të vrarë gjatë Holokaustit, anëtarët e grupit vendosën skelete plastike.

Sipas aktgjykimit, grupi merrte urdhra, udhëzime dhe financim nga strukturat e shërbimit sekret të Federatës Ruse.

Organizator i grupit ishte Momçillo Gajiq, shtetas serb, të cilin Radio Evropa e Lirë e lokalizoi në Rusi. Ai është i lidhur edhe me Kishën Ortodokse Serbe.

Kamp për stërvitje ushtarake

Para drejtësisë serbe po zhvillohet edhe një rast tjetër, ku dyshohet të jetë e përfshirë Rusia.

Prokuroria në Shabac, në perëndim të Serbisë, po heton pretendimet e autoriteteve moldaviane se shërbimet ruse kanë organizuar një kamp për stërvitje ushtarake në perëndim të Serbisë, për përgatitjen e trazirave para zgjedhjeve parlamentare në Moldavi, të mbajtura në fund të shtatorit 2025.

Në atë kohë, policia serbe arrestoi Llazar Popoviqin dhe Sava Stevanoviqin, të cilët dyshohen se kanë organizuar një kamp pranë qytetit të Lloznicës, ku pjesëmarrësit janë stërvitur për përplasje me policinë, ditën e zgjedhjeve në Moldavi.

Pas marrjes në pyetje nga Prokuroria e Lartë Publike në Shabac, ata u liruan, ndërsa hetimet ndaj tyre vazhdojnë.

Popoviq dhe Stevanoviq lidhen me ministrin aktual pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Nenad Popoviq, i cili ka lidhje biznesore në Rusi.

Llazar Popoviq ishte më herët këshilltar i tij, ndërsa Sava Stevanoviq fillimisht ishte anëtar i Partisë Popullore Serbe (SNP) të Popoviqit, e më pas i partisë Serbia e Shëndoshë - pjesë e koalicionit qeverisës.

SHIKONI EDHE:

Serbia dhe Bosnje e Hercegovina vazhdojnë hetimet për kampet paramilitare ruse

Më 26 shtator, policia e Moldavisë publikoi një video, për të cilën tha se shfaq “kampet ushtarake në Serbi të organizuara nga shërbimi sekret rus”.

Në kuadër të hetimeve në Moldavi janë ndaluar mbi 70 persona, shumica e të cilëve dyshohet se janë trajnuar në Serbi.

Ata dyshohen për përgatitjen e trazirave masive dhe destabilizimin e Moldavisë para zgjedhjeve parlamentare të 28 shtatorit, në të cilat partia proevropiane në pushtet fitoi bindshëm ndaj koalicionit prorus.

Rusia mohon se ka ndërhyrë në procesin zgjedhor, ndërsa Moldavia e akuzon atë për zhvillimin e një lufte hibride, që përfshin fushata dezinformimi dhe financim të paligjshëm të partive proruse.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë në shtator të vitit 2025, në një trajnim ushtarako-taktik të organizuar në kompleksin turistik “Sunçana Reka” morën pjesë nga 150 deri në 170 shtetas të Moldavisë dhe Rumanisë.

Në njoftimin e policisë serbe nuk u përmend Rusia.

Pas arrestimeve, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia “nuk guxon të shërbejë si poligon për veprimtarinë e shërbimeve të huaja”.

Ai shtoi se në Serbi veprojnë shërbime inteligjente nga e gjithë bota, si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, dhe se “kjo është në rregull derisa të mos arrijë në pikën ku trajnohen ushtarakisht persona të caktuar”.

Diplomatët rusë dhe rasti i një agjenti në Beograd

Radio Evropa e Lirë raportoi në vitin 2023 për qindra diplomatë rusë të dëbuar nga vendet e Bashkimit Evropian nën dyshimet se ishin të përfshirë në aktivitete spiunazhi.

Gjatë atij hulumtimi, REL-i i identifikoi të paktën tre prej tyre si diplomatë rusë të akredituar në Serbi, përfshirë dy që kishin lidhje me shërbimet ruse të inteligjencës.

Deri më sot, asnjë institucion në Serbi nuk është deklaruar lidhur me këto gjetje.

Edhe një tjetër “aferë spiunazhi”, që ka shpërthyer shtatë vjet më parë, ka mbetur pa epilog gjyqësor.

Në nëntor të vitit 2019, në internet u publikua një video ku një person, i identifikuar si agjent i inteligjencës ruse, shihej duke i dhënë para një ish-pjesëtari të Ushtrisë së Serbisë.

Sipas zyrtarëve më të lartë serbë, pamjet ishin regjistruar gati një vit më herët, në dhjetor të vitit 2018.

Autenticitetin e videos e konfirmoi për mediat Rela Zhelski, shef i sektorit të analizës në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), duke deklaruar se në të shfaqej Georgij Kleban, një agjent i inteligjencës ruse.

Lidhur me këtë rast u mblodh edhe Këshilli për Siguri Kombëtare i Serbisë.

SHIKONI EDHE:

Serbia dhe Mali i Zi si poligonë të shërbimeve ruse

Pas mbledhjes, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kryeson këtë këshill, deklaroi se shërbimet serbe të inteligjencës kishin “konstatuar dhe dokumentuar në disa raste, me fotografi, video dhe incizime audio, kontaktet e Klebanit me pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë”.

Po atë periudhë, Vuçiq zhvilloi një bisedë edhe me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harcenko, pas së cilës deklaroi se, për të, çështja e agjentit rus në Serbi konsiderohej e mbyllur.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë në dhjetor të vitit 2019 se nuk kishte hapur procedurë penale lidhur me këtë rast.

Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane, Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës nga presidenti rus, Vladimir Putin, në shkurt të vitit 2022.

Megjithëse është në negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Moska është një nga vendet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe ka mbështetur përpjekjet e Beogradit për të penguar anëtarësimin e saj në organizata dhe institucione ndërkombëtare.

Përgatiti: Valona Tela