Shaheen: SHBA duhet të përqendrohet te ekonomia, stabiliteti e demokracia në Ballkanin Perëndimor

Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, gjatë një diskutimi të Këshillit Atlantik me liderë të rinj për rolin e gjeneratës së ardhshme në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë, në Tiranë, Shqipëri, 9 tetor 2026.

Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, ka thënë të premten në Tiranë se Shtetet e Bashkuara duhet ta përqendrojnë politikën e vet karshi Ballkanit Perëndimor në tri fusha: mundësitë ekonomike, stabilitetin dhe institucionet demokratike.

Shaheen, anëtare e rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, po e udhëheq një delegacion të Kongresit amerikan gjatë një vizite disaditore në Ballkanin Perëndimor.

Ajo e vizitoi Bosnje e Hercegovinën dhe tani po qëndron në Shqipëri, para se të udhëtojë drejt Kosovës të hënën. Ajo do t’i vizitojë edhe Malin e Zi e Kroacinë.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, ku u takua me liderë të rinj për të shtjelluar rolin e gjeneratës së ardhshme në ndërtimin e së ardhmes së Shqipërisë, Shaheen theksoi rëndësinë e angazhimit ekonomik amerikan, duke përfshirë heqjen e barrierave tregtare, zgjerimin e qasjes në tregje dhe mbështetjen për bizneset amerikane dhe sipërmarrësit shqiptarë.

SHIKONI EDHE:

SHBA-ja do që ta ndryshojë hartën energjetike të Ballkanit

“Dua t’i jap meritat kësaj administrate në Uashington. Ajo i ka kushtuar më shumë vëmendje angazhimit ekonomik amerikan, dhe mendoj se kjo është e mirë për rajonin”, tha Shaheen për administraten Trump.

Por ajo shtoi se “diplomacia amerikane duhet t’ua hapë dyert bizneseve amerikane, por nuk duhet të vendosë se cilat biznese amerikane duhet të kalojnë nëpër ato dyer”.

Muajin e kaluar, zhvilluesi amerikan i projekteve të gazit të lëngshëm natyror (LNG), Argent LNG, nënshkroi memorandum mirëkuptimi me Qeverinë e Shqipërisë për ta vlerësuar ndërtimin e një terminali në tokë për ruajtjen dhe rigazifikimin e LNG-së, me kapacitet deri në 5 milionë tonë në vit.

SHIKONI EDHE:

Shqipëria dhe firma amerikane nënshkruajnë memorandum për vlerësimin e ndërtimit të një terminali për LNG

Disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane dhe SHBA-në për të zgjeruar rrjetin e gazit. Në mesin e tyre Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në korrik se vendi po e shqyrtonte mundësinë për ta përdorur gazin amerikan në të ardhmen, mes thirrjeve të vazhdueshme për t’iu bashkuar projektit të aleatit të vet më të madh për furnizim me LNG.

Stabiliteti

Duke folur për stabilitetin, senatorja u ndal te gjendja në Bosnje e Hercegovinë, ku kishte qëndruar para vizitës në Shqipëri dhe ishte nderuar me titullin “Qytetare Nderi e Sarajevës”.

Ajo tha se, më shumë se 30 vjet pas luftës, udhëheqësit politikë ende po shfrytëzojnë ndasitë etnike dhe po sfidojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

“Shqipëria e kupton se paqëndrueshmëria nuk ndalet në kufi. Ajo që ndodh në Bosnjë ka rëndësi edhe këtu. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi edhe këtu”, tha Shaheen.

Ajo theksoi se politika amerikane duhet të përforcojë institucionet dhe marrëveshjet që kanë ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit në rajon.

SHIKONI EDHE:

Senatorja Shaheen: Bosnja të largohet nga Rusia dhe ta vazhdojë rrugën drejt BE-së e NATO-s

Gjatë qëndrimit në Sarajevë, ajo i bëri thirrje Bosnjës të vazhdojë të shikojë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe të largohet nga Rusia.

Demokracia dhe sundimi i ligjit

Si fushë të tretë, Shaheen përmendi demokracinë dhe sundimin e ligjit, duke argumentuar se ato janë të lidhura ngushtë me zhvillimin ekonomik dhe sigurinë.

Sipas saj, bizneset investojnë kur kontratat zbatohen dhe gjykatat janë të pavarura, ndërsa sipërmarrësit kanë nevojë për kushte të barabarta garimi.

Ajo ritheksoi gjithashtu mbështetjen për një rrugë të besueshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Shaheen, procesi i integrimit evropian ndihmon në forcimin e sundimit të ligjit, institucioneve demokratike dhe qeverisjes ekonomike. Ajo i cilësoi këto reforma të rëndësishme si për vendet e rajonit, ashtu edhe për Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, senatorja paralajmëroi se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i besueshëm dhe se perspektiva evropiane nuk duhet të shndërrohet në premtim të pafund.

“Duhet të ketë një rrugë të qartë përpara për vendet që i përmbushin detyrat e tyre”, tha ajo.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Shqipëria shihen si më të përparuarat në rrugën drejt anëtarësimit dhe që të dyja synojnë të bëhen pjesë e bllokut deri më 2030.

SHIKONI EDHE:

Shqipëria dhe Mali i Zi përparojnë në negociata me BE-në duke mbyllur kapituj të rëndësishëm

Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ajo aplikoi për anëtarësim në fund të vitit 2022, por kërkesa e saj ende nuk është shqyrtuar.

Serbia ka 22 nga 35 kapitujt e negociatave të hapur me BE-në, por procesi i saj është i bllokuar që nga viti 2021. Ndërsa Bosnje e Hercegovina e mori dritën e gjelbër për hapjen e negociatave në mars 2024, por ende pret miratimin e kornizës negociuese dhe nisjen zyrtare të tyre.

Kjo është vizita e fundit e Shaheenit në Ballkanin Perëndimor në kuadër të një delegacioni të Kongresit në cilësinë e anëtares së rangut më të lartë të pakicës në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit.