Shtetet e Bashkuara kanë reaguar pas vrasjes së gazetarëve Afganistan dhe kanë akuzuar militantët se po tentojnë të minojnë zgjedhjet parlamentare afgane, duke sulmuar “gur themelimin e demokracisë”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka shkruar në Twitter se dy sulmet vetëvarëse, ku u vranë të paktën 25 persona, përfshirë nëntë gazetarë në Kabul më 30 prill, ishin sulme “barbare”.
“Mediat e pavarura janë gur themel i demokracisë”, ka thënë ai.
“Pavarësist sulmit, peisazhi vibrant i mediave që janë zhvilluar në Afganistan do të qëndrojnë”, ka thënë tutje ai.
Grupi militant, Shteti islamik ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ku janë vrarë edhe dy gazetarë të Radios Evropa e Lirë.
Sulmet e 30 prillit vijnë vetëm një javë pasi më 22 prill, nga një sulm vetëvrasës u vranë 60 persona pranë një qendre regjistrimi të votuesve në Kabul. Përgjegjësinë për këtë sulm e ka marrë po ashtu IS-i.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis ka thënë se sulmet kishin për qëllim të minonin procesin zgjedhor. Në Afganistan, zgjedhjet parlamentare do të mbahen në muajin tetor.
“Kjo është gjë normale për njerëzit që nuk mund të fitojnë përmes votave, prandaj ata përdorin bombat”, ka thënë para gazetarëve në Uashington sekretari Mattis.
Gazetarët u vranë pasi kishin shkuar për të mbuluar një sulm të mëhershëm në zonën Shash Darak të Kabulit, kur një sulmues vetëvrasës, që pretendote se ishte gazetar, shpërtheu eksplozivët e tij.
Your browser doesn’t support HTML5
Në mesin e të vrarëve janë edhe dy gazetarë të Radios Evropa e Lirë, një grua që po trajnohen të bëhej gazetare e REL-it, një fotograf i agjencisë AFP. Ndërkaq, gazetarët e tjerë të vrarë në këtë sulm punonin për mediat afgane.
“Kur mediat janë në rrezik, të gjitha të drejtat e njeriut janë nën një kërcënim të madh”, ka thënë ambasada amerikane në Kabul.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se është i “zemëruar” pas këtyre sulmeve.
“Sulmi që kishte për cak gazetarët edhe njëherë shfaq rrezikun që përballen gazetarët për të kryer misionin e tyre themelor”, ka thënë ai.
“Përgjegjësit për krime të tilla duhet të dalin para drejtësisë”, ka thënë tutje Guterres.
Shefi ekzekutiv i Afganistanit, Abdullah Abdullah gjithashtu ka thënë se ky sulm është “mbi demokracinë”, ndërkaq, presidenti afgan, Ashraf Ghani ka thënë se ky sulm është shembull i “krimeve të luftës”.
Në një sulm të ndarë më 30 prill në provincën Khost, është vrarë edhe një gazetar i BBC.
“Veprime të tilla vetëm se forcojnë angazhimin tonë të palëkundur ndaj popullit afgan”, ka thënë gjenerali John Nicholson, komandati i forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan.
“Kjo tragjedi na kujton rrezikun që ekipet tona përballen në terren dhe rolin që gazetarët luajnë për demokracinë”, ka thënë shefi i agjencisë AFP, Fabrice Fries.
Afganistani konsiderohet si një prej shteteve më të rrezikshme në botë për gazetarët, ku vetëm vitin e kaluar janë vrarë 20 gazetarë. Javën e kaluar, një sulmues i paidentifikuar kishte qëlluar për vdekje një gazetar në Kandahar.