Shtetet e Bashkuara e kanë ftuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, të marrë pjesë në samitin e Grupit të 20 ekonomive më të mëdha të botës (G20), që do të mbahet në Majami në dhjetor, tha të mërkurën sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Administrata e presidentit Donald Trump është duke kërkuar mënyra për t’u zbutur luftimet në Ukrainë.
“E kemi ftuar presidentin Putin në [takimin e] G20-ës”, u tha Rubio gazetarëve pas takimit me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
“Mendojmë se kjo është një mundësi që ai të angazhohet jo vetëm me presidentin [Trump], por edhe me liderë të tjerë botërorë”, theksoi Rubio.
Kjo ftesë përbën konfirmimin e parë publik se Uashingtoni e ka ftuar Putinin në samitin e liderëve të G20-ës. Zyrtarët rusë më parë janë ftuar në takime të nivelit ministror.
SHIKONI EDHE:
SHBA-ja rinis përpjekjet për paqe në Ukrainë, por ish-ambasadorët nuk shohin përparimRubio tha se samiti mund të krijojë mundësi që Putini dhe presidenti Donald Trump të takohen. Më vonë, ai ua bëri të qartë gazetarëve se nuk ka ndonjë marrëveshje për takim.
Dy liderët kanë biseduar disa herë në telefon qëkurse Trump u rizgjodh në vitin 2025, por Rubio tha se një takim ballë për ballë do të ishte më i dobishëm nëse do të kishte rezultat të përcaktuar qartë.
Para takimit Rubio-Lavrov, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nevojitet punë përgatitore para ndonjë takimi mes Trumpit dhe Putinit.
Rubio tha se pas vendimit të Trumpit për ta ftuar Putinin qëndrona gatishmëria e tij për t’u takuar me kundërshtarët.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara, ky president, është i gatshëm të angazhohet dhe të takohet me pothuajse këdo”, tha ai.
“Nëse takohesh vetëm me njerëz me të cilët pajtohesh, atëherë këto janë takime shumë të këndshme, por asgjë nuk ndodh”, shtoi Rubio. “Për t’i zgjidhur problemet, duhet të takohesh me njerëz me të cilët nuk pajtohesh”.
Por Rubio paralajmëroi se ftesa nuk duhet të shihet si dëshmi se një takim mes liderëve apo një marrëveshje më e gjerë është afër të ndodhë.
Armëpushim i propozuar për energjinë
Rubio e bëri këtë njoftim në kohën kur Uashingtoni po i bënte gjithashtu trysni Moskës dhe Kievit për ta shqyrtuar një armëpushim të kufizuar lidhur me sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe, mbase, objektivave që lidhen me grurin.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për ndalimin e sulmeve ndaj objekteve energjetike. Pas takimit me Trumpin në Nju Jork të martën, Zelensky tha se Kievi ishte i gatshëm t’i ndalte sulmet e tilla, nëse Rusia do ta bënte të njëjtën gjë. Reuters raportoi se një mirëkuptim i mëparshëm për objektivat energjetike dështoi shpejt pasi sulmet rifilluan.
SHIKONI EDHE:
Trump i thotë Kievit t’i ndalë sulmet ndaj naftës ruse, teksa dronët rusë godasin pranë kufirit polakRubio tha se propozimi ishte diskutuar në kontaktet e fundit të SHBA-së me të dyja palët, përfshirë nga i dërguari amerikan, Steve Witkoff, dhe këshilltari presidencial Jared Kushner.
Sekretari i Shtetit theksoi se një armëpushim për energjinë nuk do të përbënte marrëveshje për paqe.
“Kjo nuk e zgjidh luftën”, tha Rubio, por argumentoi se ai mund t’i kufizojë disa nga pasojat e konfliktit dhe të krijonte një bazë të mundshme për negociata më të gjera.
“Në fund të fundit, të gjithë duam që kjo luftë të përfundojë”, shtoi ai.
Kur u pyet përse Uashingtoni po i kërkonte Ukrainës të ndalte sulmet ndaj objekteve energjetike ruse, pavarësisht sulmeve ruse ndër vite ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës, Rubio pranoi se objektivat shërbejnë për qëllime të ndryshme.
“Kur bëhet fjalë për energjinë në anën ruse, sulmet energjetike me të cilat po përballen kanë në shënjestër rafineritë dhe objektet e naftës dhe gazit”, tha ai. “Për palën ukrainase, energjia nënkupton rrjetin e tyre elektrik”.
Rubio tha se sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës së naftës ruse synojnë të ulin të ardhurat e Moskës, ndërsa sulmet ruse ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës ndikojnë drejtpërdrejt në furnizimin me energji elektrike dhe shërbime të tjera bazike.
Ky dallim, tha ai, e bënte më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje, por nuk e bënte atë më pak të vlefshme. “Prandaj, nuk është e lehtë që brenda natës të thuash: le ta arrijmë një marrëveshje”, tha Rubio. “Por mendoj se ia vlen të besh përpjekje për ta bërë të mundur këtë”.
SHIKONI EDHE:
Jeanne Shaheen për Rusinë, Ballkanin dhe NATO-n: “Putin po tenton të na rraskapitë”Kievi ka shtuar sulmet ndaj objekteve ruse të naftës javët e fundit, ndërsa Rusia ka vazhduar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.
Takimi me Lavrovin nuk sjell përparim
Rubio dha pak hollësi për takimin e tij me ministrin e Jashtëm Lavrov dhe nuk njoftoi për ndonjë përparim.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se të dy diskutuan luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet SHBA-Rusi. Takimi u zhvillua pasi Uashingtoni po përpiqet t’i mbajë të hapura kanalet diplomatike, duke testuar nëse Moska dhe Kievi mund të bien dakord për masa të kufizuara për uljen e luftimeve.
Kremlini ka thënë se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet për kalimin në negociata formale për paqe, ndërsa ka thënë gjithashtu se Putini mbetet i hapur për kontakte me Trumpin.
Rubio paralajmëroi gjithashtu se konflikti mund të përhapet përtej Ukrainës përmes sabotimit, sulmeve hibride ose një incidenti që përfshin forcat ushtarake.
“Një nga shqetësimet që kemi, ndër shumë të tjera, lidhur me luftën mes Rusisë dhe Ukrainës është se ajo mund të përhapet në vende të tjera”, tha ai.
Ai përmendi mundësinë e një sulmi hibrid ose sabotimi, apo të një incidenti që përfshin avionë ushtarakë.
“Ajo mund të përhapet diku tjetër, qoftë përmes një sulmi hibrid, një sulmi sabotimi apo një keqkuptimi”, tha Rubio.
Ai tha se Uashingtoni i ka ngritur këto shqetësime me qeveritë evropiane, mes frikës në rritje se lufta mund të krijojë pika të reja tensioni jashtë Ukrainës.