Delegacioni i SHBA-së do të niset drejt Pakistanit për bisedime me Iranin

I dërguari special i SHBA, Steve Witkoff (djathtas), dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një delegacion në Pakistan këtë fundjavë, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, pritet po ashtu të shkojë në Islamabad.

Leavitt u tha gazetarëve se i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner do të udhëtojnë për një rund të ri negociatash me Teheranin më 25 prill, duke theksuar se Uashingtoni ka parë “disa përparime” nga pala iraniane ditët e fundit.

Araqchi pritet të mbërrijë në Islamabad më 24 prill për bisedime që, sipas raportimeve, do të përfshijnë konsultime mbi propozime për rinisjen e negociatave të paqes me Shtetet e Bashkuara.

Ekipet amerikane dhe iraniane zhvilluan bisedime paqeje në kryeqytetin e Pakistanit më 11-12 prill, por ato përfunduan pa marrëveshje, ndërsa një rund i dytë që pritej të mbahej më herët gjatë kësaj jave, nuk u realizua.

SHIKONI EDHE:

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka “afat të prerë” për përfundimin e luftës me Iranin

Zëdhënësja Leavitt tha se nënpresidenti i SHBA-së, JD Vance, i cili udhëhoqi ekipin amerikan më 11-12 prill, këtë herë nuk do të drejtojë delegacionin amerikan. Ajo shtoi se Vance do të qëndrojë në “gatishmëri” në SHBA dhe “do të jetë i gatshëm të udhëtojë drejt Pakistanit nëse e vlerësojmë se do të jetë e nevojshme”.

“Presidenti, nënpresidenti dhe sekretari i Shtetit do të presin këtu në Shtetet e Bashkuara për përditësime”.

Sipas një raporti të mëhershëm të CNN, që citoi zyrtarë amerikanë anonimë, Vance do të ishte i gatshëm të udhëtonte për në Islamabad nëse negociatat do të prodhonin përparim.

Në një postim në X, Araqchi tha se do të vizitojë Pakistanin, Omanin dhe Rusinë për t’u koordinuar me partnerët rajonalë mbi çështje dypalëshe dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit. Ai shtoi se marrëdhëniet me vendet fqinje mbeten prioritet për Teheranin.

SHIKONI EDHE:

Trump: SHBA-ja dhe Irani mund të zhvillojnë bisedime të reja, jemi shumë afër një marrëveshjeje

Lufta e SHBA dhe Izraelit kundër Iranit filloi më 28 shkurt. Një armëpushim është në fuqi që nga 8 prilli, që ishte paraparë të skandonte më 22 prill, por pak para se të skadonte presidenti Trump njoftoi për zgjatjen e tij.