Ndërlidhjet

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka “afat të prerë” për përfundimin e luftës me Iranin

Njerëzit mblidhen për ta nderuar udhëheqësin e ndjerë suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, dhe për të treguar mbështetje për udhëheqësin e ri suprem, Mojtaba Khamenei, në Ambasadën iraniane në Bejrut, më 22 prill.
Njerëzit mblidhen për ta nderuar udhëheqësin e ndjerë suprem të Iranit, ajatollah Ali Khamenei, dhe për të treguar mbështetje për udhëheqësin e ri suprem, Mojtaba Khamenei, në Ambasadën iraniane në Bejrut, më 22 prill.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kërkon që Teherani ta japë një përgjigje “të unifikuar” ndaj propozimeve të Shteteve të Bashkuara për përfundimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit me Iranin, dhe ai nuk ka vendosur ndonjë “afat të prerë” tani për tani, tha Shtëpia e Bardhë të mërkurën vonë.

Trump e zgjati njëanshëm armëpushimin me Iranin, i cili skadonte pikërisht të mërkurën.

Presidenti amerikan po i “ofron pak fleksibilitet” regjimit iranian, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Ajo pohoi se ka “shumë përçarje të brendshme” në Teheran.

“Kjo është një betejë mes pragmatistëve dhe zyrtarëve të vijës së ashpër në Iran në këtë kohë, dhe presidenti dëshiron përgjigje të unifikuar. Dhe, derisa ne po e presim përgjigjen, e kemi një armëpushim për operacionet ushtarake dhe sulmet kinetike”, tha Leavitt.

Leavitt shtoi se trysnia ekonomike dhe bllokada detare e SHBA-së mbeten në fuqi.

Trump e ka bërë një “propozim shumë të fuqishëm” për përfundimin e luftës dhe “nuk ka vendosur ndonjë afat të prerë për ta marrë një propozim nga Irani” si përgjigje, shtoi ajo, pa dhënë hollësi.

Paraprakisht, Leavitt i tha Fox News se Irani duhet të pranojë ta dorëzojë uraniumin e pasuruar në Shtetet e Bashkuara si pjesë e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës.

Lufta filloi me sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.

Pas bisedimeve ballë për ballë në Islamabad më 11–12 prill që përfunduan pa marrëveshje, pritej të zhvillohej një rund i ri këtë javë, por nuk u zhvillua, pasi Irani nuk e konfirmoi pjesëmarrjen dhe negociatorët amerikanë nuk kanë udhëtuar ende për në Pakistan.

Komentet e Leavitt erdhën pasi kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, përsëriti akuzat e Teheranit se bllokada detare e SHBA ndaj Iranit - e vendosur nga Trump më 13 prill - përbën shkelje të armëpushimit.

Në një postim në X, Qalibaf tha se “rihapja e Ngushticës së Hormuzit është e pamundur me një shkelje kaq flagrante të armëpushimit”.

Irani e ka mbyllur praktikisht këtë ngushticë, e cila shërben si rrugë për rreth një të pestën e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm, menjëherë pas fillimit të luftës.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG