Ndërlidhjet

Trump e zgjat armëpushimin me Iranin por e mban në fuqi bllokadën ndaj porteve iraniane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të martën vonë se do ta zgjatë njëanshëm armëpushimin me Iranin, por shtoi se bllokada e porteve iraniane, e cila e ka zemëruar Teheranin, do të mbetet në fuqi.

“Bazuar në faktin se Qeveria e Iranit është seriozisht e përçarë, gjë që nuk është e papritur, dhe me kërkesë të marshallit Asim Munir dhe kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, na është kërkuar ta pezullojmë sulmin tonë ndaj Iranit deri në momentin kur udhëheqësit dhe përfaqësuesit e tyre të mund të dalin me një propozim të unifikuar”, shkroi Trump në Truth Social të martën vonë.

Trump shtoi se do ta “zgjasë armëpushimin deri në momentin kur propozimi i tyre të dorëzohet dhe bisedimet të përfundojnë, në një mënyrë apo tjetër”.

Ai nuk dha ndonjë afat të saktë kohor.

Nuk është ende e qartë nëse Teherani do ta zgjasë armëpushimin nga ana e vet.

Një këshilltar i kryetarit të fuqishëm të Parlamentit të Iranit e quajti zgjatjen e armëpushimit “manovër për të fituar kohë për një sulm të befasishëm” dhe theksoi se Teherani duhet ta marrë iniciativën, pa dhënë hollësi.

Zëdhënësi shtoi gjithashtu se bllokada e tanishme amerikane e porteve iraniane është “e njëjtë me bombardim dhe përgjigja ndaj saj duhet të jetë ushtarake”.

Trump kishte paralajmëruar paraprakisht se nuk donte ta zgjaste armëpushimin e përkohshëm me Iranin, i cili pritej të skadonte sot, pasi Uashingtoni priste të kuptonte nëse bisedimet me Teheranin do të vazhdonin.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë më vonë njoftoi se nënpresidenti, JD Vance, nuk do të udhëtonte për në Islamabad të martën, për një rund të dytë negociatash të ndërmjetësuara nga Pakistani. Ai nuk tha nëse po shqyrtohej ndonjë datë e re për udhëtimin e tij.

Bllokada mbetet në fuqi

Trump shtoi në postimin e tij se SHBA-ja do ta vazhdojë bllokadën ndaj porteve iraniane, e cila deri tani ka çuar në sekuestrimin e të paktën dy anijeve nga Marina amerikane.

Teherani ka thënë se nuk do t’i rifillojë bisedimet pa u hequr bllokada, ndërsa SHBA-ja ka deklaruar se nuk do ta heqë atë derisa të nënshkruhet një marrëveshje paqeje.

Pakistani u ka bërë thirrje si SHBA-së ashtu edhe Iranit që ta zgjasin armëpushimin, por thuhet se Teherani po shqyrton mundësitë dhe po pret të shohë nëse kushtet e tij - përfshirë heqjen e bllokadës dhe njohjen e të drejtës për pasurim të uraniumit - do të plotësohen.

Ndikimi i bllokadës detare amerikane ndaj Iranit Ndikimi i bllokadës detare amerikane ndaj Iranit
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:03 0:00

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei, e dënoi ndalimin e një cisterne iraniane nga forcat amerikane të hënën, si dhe sekuestrimin e një anijeje tjetër një ditë më parë, duke i quajtur “pirateri detare dhe terrorizëm shtetëror” dhe tha se këto veprime ngrenë pikëpyetje për përkushtimin e Uashingtonit ndaj bisedimeve serioze.

Irani e ka bllokuar hyrjen në Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet, përveç të vetave ose atyre që Teherani i lejon të kalojnë.

“Kartat e reja” të Iranit

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, i cili është gjithashtu negociatori kryesor i Iranit, shkroi në X të hënën se Teherani është “i gatshëm të zbulojë karta të reja” në luftën me SHBA-në dhe Izraelin, duke e akuzuar Trumpin për “rrethim dhe shkelje të armëpushimit”, sepse po përpiqet t’i shndërrojë bisedimet në “dorëzim ose ta arsyetojë rifillimin e luftës”.

Trump ka kërcënuar se do ta rifillojë luftën dhe do ta sulmojë infrastrukturën civile iraniane, si ura dhe centrale elektrike, nëse Teherani nuk i pranon kushtet e tij.

Rundi i parë i bisedimeve në Islamabad më 11-12 prill nuk arriti të prodhojë marrëveshje për përfundimin e plotë të luftës, e cila filloi më 28 shkurt kur sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit goditën caqe në gjithë Iranin.

Tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa anijet e mallrave janë grumbulluar në Gjirin Persik për shkak të bllokadës.

Teksa trafiku detar është ngadalësuar pothuajse plotësisht, disa anije thuhet se kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit.

Të dhënat nga platforma e gjurmimit të anijeve MarineTraffic treguan se një anije e quajtur Ean Spir, pa flamur dhe pa pronësi të njohur, kaloi nëpër këtë rrugë ujore të martën, pasi më parë ishte ankoruar në një port irakian.

Një anije e tjetër pa flamur, Lian Star, gjithashtu duket se ka kaluar përmes ngushticës, sipas të dhënave.

Sipas analistëve të transportit detar, zakonisht rreth 140 anije kalojnë nëpër këtë ngushticë, e cila përbën rreth 20 për qind të transportit global detar të naftës dhe gazit.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG