Ndërlidhjet

Pse shënjestrimi i “ekonomisë në hije” e godet Iranin aty ku i dhemb më së shumti

Forcat amerikane patrullojnë pranë anijes me mallra, me flamur iranian, M/V Touska, pasi ajo u sekuestrua nga forcat amerikane më 19 prill në Gjirin e Omanit.
Forcat amerikane patrullojnë pranë anijes me mallra, me flamur iranian, M/V Touska, pasi ajo u sekuestrua nga forcat amerikane më 19 prill në Gjirin e Omanit.

Meqë armëpushimi në luftën mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit pritet të skadojë më 22 prill, veprimet e SHBA-së në det po e tërheqin sërish vëmendjen kah një çështje qendrore: sa thellë është e mishëruar struktura ushtarake e Iranit në ekonominë e vendit?

Çaktivizimi i anijes, M/V Touska, më 19 prill, për të cilën thuhet se lidhet me rrjetet tregtare iraniane, nxori në pah kontrollin që Garda Revolucionare Islamike (IRGC) ushtron mbi industri kyç: nga bankat dhe energjia, deri te transporti detar dhe telekomunikacioni.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), Rachel Ehrenfeld, drejtoreshë e Qendrës Amerikane për Demokraci dhe Institutit për Luftë Ekonomike, si dhe autore e disa librave mbi financimin e terrorizmit, tha se shtrirja ekonomike e IRGC-së nuk është rastësi, por themel thelbësor i fuqisë së saj.

Ajo argumentoi se goditja e infrastrukturës dhe veprimtarisë tregtare prekin drejtpërdrejt aftësitë ushtarake të regjimit.

Rachel Ehrenfeld.
Rachel Ehrenfeld.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni argumentuar prej kohësh se mbizotërimi i IRGC-së në ekonominë e Iranit është thelbësor për fuqinë ushtarake që ka. Sa i rëndësishëm është sekuestrimi i Touska-s nga SHBA-ja në këtë kontekst?

Rachel Ehrenfeld: Varet se kush e zotëron anijen, cilit fondacion i përket. IRGC-ja e ka fondacionin më të madh në Iran. Kur Ajatollah [Ruhollah] Khomeini e nisi në vitin 1979 Revolucionin Islamik dhe e mori kontrollin e Iranit, ai mendoi se si ekonomia të lulëzonte dhe se si t’iu mbijetonte sanksioneve të jashtme, për shembull.

Pra, çfarë të bëni? Krijoni fondacione. Elementeve të ndryshme të forcave revolucionare në Iran iu ndanë pjesë të ndryshme të ekonomisë. Si organizata bamirëse që mbikëqyrin bamirësinë, atyre iu vunë emra të ndryshëm, dhe më i madhi është IRGC-ja.

Ai vendosi që ky do të ishte sistemi.... [Dhe ish-udhëheqësi suprem ajatollah Ali Khamenei] në vitin 2004 nxori atë që në thelb ishte një fetva ose direktivë përmes organeve legjislative iraniane, dhe ajo u përfshi në ligj. Kjo është struktura që i lejoi IRGC-së të zhvillojë ekonominë në hije të Iranit. Ajo është pjesë e ekonomisë, por nuk jep llogari. Ata nuk paguajnë taksa. Në Iran, të gjithë duhet të paguajnë taksa.

Kjo u ndihmon atyre t’i shmangin sanksionet ndërkombëtare, sepse është një organizatë bamirëse që dërgon para aty-këtu.

Ata i përdorin të gjitha llojet e institucioneve financiare dhe sistemeve bankare në mbarë botën.

Brenda fondacionit të madh ka nënndarje, dhe edhe ato pjesë janë të përfshira. Kështu që tani ata kontrollojnë bankat, pasuritë e paluajtshme, telekomunikacionin, transportin, minierat, energjinë, mbrojtjen, kimikatet, petrokimikatet. Çfarëdo që të përmendni, ata e zotërojnë.

Nuk e di nëse kjo anije i përket IRGC-së apo jo, por meqë sistemi i tyre është i tillë, të gjithë duhet ta dinë.... Më habit fakti që amerikanët, pra administrata, nuk e kanë shpjeguar vërtet si funksionon ekonomia atje.

Dhe, kjo është në dëm të tyre; po marrin shumë kritika sepse, “O, ju do ta shkatërroni infrastrukturën”. Por, ata e zotërojnë infrastrukturën, pjesën më të madhe të saj. Ka tregti private dhe njëfarë ekonomie civile, por ajo nuk është e madhe dhe mund të merret lehtësisht nga regjimi.

Në javët e fundit, me ndaljen e internetit nga regjimi, shumë njerëz që kishin biznese private dhe civile përdornin internetin për të bërë biznes. Interneti u ndal. Kostoja ishte miliarda. Njerëzit nuk mund të komunikojnë dhe nuk mund të bëjnë biznes.

Pra, shkatërrimi i pjesës më të madhe të infrastrukturës së madhe, përfshirë transportin detar, do të ishte pjesë e forcave, forcave të armatosura, për shembull, edhe nëse ato nuk supozohet të jenë anije tregtare të armatosura që i shërbejnë qëllimeve të regjimit iranian për luftë, jo për paqe.

Radio Evropa e Lirë : Ju e keni përshkruar IRGC-në si një “shtet brenda shtetit”. Duke pasur parasysh ndryshimet e fundit në udhëheqje, sa pjesë të ekonomisë së Iranit kontrollon sot IRGC-ja dhe a është e mundur të ndahet qeverisja civile nga fuqia ushtarake?

Rachel Ehrenfeld: Në një farë mënyre, po. Civile, çfarëdo që është civile, është nën kontrollin e IRGC-së. Nga të dhënat e fundit që kam mundur të nxjerr, ata kontrollojnë rreth dy të tretat e ekonomisë.

Kjo lidhet me atë që Khamenei, dhe para tij Khomeini, e quajtën “ekonomi qëndrese”. Ata donin të krijonin një ekonomi që i bën ballë armikut.

Njerëzit duhet ta dinë këtë në mënyrë që të mos kritikojnë më kur goditet infrastruktura, sepse këto të gjitha i shërbejnë IRGC-së, që është forca më e fuqishme në Iran.

Radio Evropa e Lirë: Raportet sugjerojnë se një “këshill ushtarak” ka anashkaluar administratën e Pezeshkianit. A tregon kjo se IRGC-ja ka konsoliduar kontrollin mbi shtetin iranian?

Rachel Ehrenfeld: Duket se po, sepse dëgjuam një ditë që ngushticat (Ngushtica e Hormuzit) ishin të hapura, dhe menjëherë më pas, disa orë më vonë, ishin mbyllur. Kjo tregon qartë se po zhvillohet një luftë për pushtet.

Por, nga sa kuptoj, IRGC-ja është vërtet grupi që drejton regjimin.

Radio Evropa e Lirë: Duke përdorur zjarr kundër një anijeje cisternë, a po sinjalizon Uashingtoni se tani e konsideron flotën tregtare të IRGC-së si shënjestër legjitime ushtarake?

Rachel Ehrenfeld: Sigurisht që po, sepse nuk dihet se çfarë transportojnë. Ajo që transportojnë mund të jenë armë, municione, ose diçka që plotëson nevojat e tyre.

Edhe nëse është diçka si hurma nga ndonjë shkretëtirë, paratë nga shitja do të shkojnë në xhepat e IRGC-së. Çdo gjë që lëviz tani atje, lëviz sepse IRGC e lejon.

Radio Evropa e Lirë: Thuhet se Touska transportonte mallra për përdorim të dyfishtë. Në kërkimet tuaja, sa shpesh IRGC-ja fsheh materiale me lidhje ushtarake brenda dërgesave civile?

Rachel Ehrenfeld: Ata janë të njohur për mallrat me përdorim të dyfishtë. Dhe, përsëri, edhe nëse është diçka që mund ta shesin, ose ta riparojnë dhe ta përdorin për diçka tjetër, gjithçka lidhet me vlerën, pra vlerën financiare.

Sa kushton? E shesin, fitojnë para, ose kursejnë para. Pra, çdo gjë që hyn dhe del i sjell përfitim atyre.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni argumentuar se goditja e infrastrukturës mund të jetë më efektive sesa përballja e drejtpërdrejtë ushtarake. A janë veprimet e tanishme të SHBA-së shembull i kësaj strategjie në praktikë?

Rachel Ehrenfeld: Nëse Shtetet e Bashkuara - dhe shpresojmë edhe vende të tjera, jo vetëm vendet perëndimore, por edhe fqinjët e Iranit – e zbatojnë bllokadën siç duhet dhe i përmbahen sanksioneve, ekonomia e Iranit do të shembet, së shpejti.

Radio Evropa e Lirë: Ka raportime për një “bllokadë selektive” pranë ishullit Larak. A e mbron përfshirja e thellë e IRGC-së në ekonomi nga një trysni e tillë apo e bën më të cenueshme?

Rachel Ehrenfeld: Ata gjithashtu po kërcënojnë transportin tregtar në vende të tjera, si pranë Bab al-Mandabit. Po përpiqen realisht të ndërpresin transportin detar ndërkombëtar.

Duhet të parandalohen. Ky lloj shantazhi nuk mund të lejohet.

Radio Evropa e Lirë: Meqë po afrohet afati i 22 prillit për armëpushimin, si e vlerësoni fundin e lojës ekonomike të regjimit? A ka shenja trysnie?

Rachel Ehrenfeld: Nuk e di. IRGC-ja e drejton atë, dhe ky është një regjim radikal, ideologjik. Qëllimi i tyre është të krijojnë sa më shumë kaos, të vrasin sa më shumë “jobesimtarë” dhe të vdesin për besimet e tyre që të vijë Imami i 12-të.

Kur beson në një ideologji të tillë, që shumica e njerëzve në botë nuk e kuptojnë, nuk e di çfarë do të mbizotërojë. Por, gjëja optimale që mund të ndodhë është ndryshimi i regjimit.

Radio Evropa e Lirë: Nëse armëpushimi skadon pa përparim, çfarë prisni se do të ndodhë?

Rachel Ehrenfeld: Mendoj se fuqia ushtarake duhet ta gjunjëzojë këtë regjim; të eliminojë sa më shumë udhëheqës të jetë e mundur ose ta detyrojë regjimin të zhduket.

Shpresoj që populli i Iranit të dalë në rrugë dhe ta detyrojë ndryshimin. Ka shumë njerëz të pakënaqur. Kemi parë protesta dhe e dimë që IRGC-ja dhe Basij kanë vrarë protestues.

Shumë njerëz nuk e duan këtë. Udhëheqja ka vjedhur miliarda, është pasuruar dhe ka dërguar familjet jashtë vendit ndërsa njerëzit e zakonshëm vuajnë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe për fund, a përfaqëson ky moment ndonjë ndryshim më të gjerë në mënyrën se si përdoret lufta ekonomike kundër aktorëve shtetërorë si Irani?

Rachel Ehrenfeld: Do të nxirren shumë mësime nga kjo luftë. Lufta ekonomike ka shumë faza dhe mund të ndihmojë shumë, sidomos pasi ekonomia e Iranit ishte tashmë në gjendje të keqe para luftës.

Nëse doni të fitoni, duhet të përdorni strategjitë më të mira: luftën ekonomike dhe atë kinetike së bashku. Shpresojmë jo për shumë kohë, sepse të dyja i dëmtojnë edhe njerëzit e pafajshëm.

Dhe, kjo është fatkeqësi. Por, ky regjim ka qenë në pushtet për dekada, dhe ata që përpiqen të ndalin zgjerimin e tij nuk mund të fajësohen thjesht për ndërhyrjen tani.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG