Ndërlidhjet

Irani thotë se i ka kapur dy anije në Ngushticën e Hormuzit

Anije dhe varka në Ngushticën e Hormuzit. Fotografi nga arkivi.
Anije dhe varka në Ngushticën e Hormuzit. Fotografi nga arkivi.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftoi të mërkurën se i ka sekuestruar dy anije, duke i akuzuar ato se kishin kryer “shkelje” gjatë një përpjekjeje të dyshuar “për t’u larguar fshehurazi” nga Ngushtica e Hormuzit.

Sipas IRGC-së, anijet e kapura janë MSC Francesca, të cilën e përshkroi si anije në pronësi të Izraelit, dhe anija Epaminodes.

IRGC-ja shtoi se ato u ndaluan sepse synonin të largoheshin “pa leje” duke i manipuluar sistemet e ndihmës së navigimit dhe duke rrezikuar sigurinë detare në përpjekje për të dalë “fshehurazi” nga ngushtica.

Marina e IRGC-së bëri të ditur se anijet janë dërguar në ujërat territoriale të Iranit për inspektim të ngarkesës dhe dokumentacionit të tyre.

Ndërkohë, paraprakisht forcat e armatosura të Iranit thanë se kishin sulmuar dhe çaktivizuar tri anije mallrash pranë bregdetit të vendit, sipas mediave shtetërore.

IRGC-ja e kishte mbyllur Ngushticën e Hormuzit për anije dhe cisterna nafte qysh më 28 shkurt, ditën kur kishte nisur operacioni i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit.

Ajo e rihapi përkohësisht rrugën ujore për një ditë pas fillimit të armëpushimit më 8 prill, por e mbylli sërish pasi bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit dështuan dhe filloi një bllokadë detare amerikane ndaj porteve iraniane.

Kapja e anijeve nga Irani vjen një ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të martën vonë se do ta zgjaste njëanshëm armëpushimin me Iranin, por shtoi se bllokada e porteve iraniane, e cila e ka zemëruar Teheranin, do të mbetej në fuqi.

Trump theksoi se do ta “zgjasë armëpushimin deri në momentin kur propozimi i tyre të dorëzohet dhe bisedimet të përfundojnë, në një mënyrë apo tjetër”.

Ai shtoi se SHBA-ja do ta vazhdojë bllokadën ndaj porteve iraniane, e cila deri tani ka çuar në sekuestrimin e të paktën dy anijeve nga Marina amerikane.

Ndikimi i bllokadës detare amerikane ndaj Iranit Ndikimi i bllokadës detare amerikane ndaj Iranit
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:03 0:00

Teherani ka thënë se nuk do t’i rifillojë bisedimet pa u hequr bllokada, ndërsa SHBA-ja ka deklaruar se nuk do ta heqë atë derisa të nënshkruhet një marrëveshje paqeje.

Rundi i parë i bisedimeve në Islamabad më 11-12 prill nuk arriti të prodhojë marrëveshje për përfundimin e plotë të luftës.

Tensionet në rajon mbeten të larta, ndërsa anijet e mallrave janë grumbulluar në Gjirin Persik për shkak të bllokadës.

Teksa trafiku detar është ngadalësuar pothuajse plotësisht, disa anije thuhet se kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG