SHBA-ja synon ta kthejë marrëveshjen e transitit Armeni-Azerbajxhan në mundësi investimi

Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov, i pëshpërit diçka në vesh homologut të tij armen, Ararat Mirzoyan, gjatë një takimi për projektin TRIPP, në Nju Jork, më 23 shtator.

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po përpiqet ta shndërrojë hapjen, që ka ndërmjetësuar mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, në diçka më konkrete: një korridor transporti që lidh Azinë Qendrore dhe Kaukazin Jugor me tregjet perëndimore, si dhe një mundësi investimi për kompanitë amerikane.

Zyrtarë të lartë rajonalë dhe drejtues të më shumë se 40 kompanive u mblodhën në Nju Jork më 23 shtator për të diskutuar hapat e ardhshëm për Rrugën Trump për Paqen Ndërkombëtare dhe Prosperitetin (TRIPP), një nga shtyllat kryesore të përpjekjeve të Uashingtonit për ta shndërruar hapjen mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në rritje të tregtisë dhe investimeve rajonale.

Në këtë ngjarje, që u mbajt në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, morën pjesë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, dhe senatori republikan nga Montana, Steve Daines, si dhe zyrtarë nga Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe pesë shtetet e Azisë Qendrore.

Sfida tani është shndërrimi i një marrëveshjeje politike në çelik, asfalt dhe investime. Nuk ka nisur ende asnjë ndërtim, studimet e fizibilitetit janë ende duke u zhvilluar dhe kompanitë nuk pritet të fillojnë të konkurrojnë për kontratat e mëdha deri në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027.

Uashingtoni e sheh TRIPP-in si një korridor multimodal përmes jugut të Armenisë, që lidh Azerbajxhanin me enklavën e tij Nakçivan dhe krijon një lidhje më të gjerë lindje-perëndim mes Kaukazit Jugor, Azisë Qendrore dhe tregjeve perëndimore.

Seksioni i propozuar armen është vetëm rreth 43 kilometra i gjatë, por synon që të zgjidhë një nga çështjet më të debatueshme që ka dalë nga konflikti prej dekadash mes Armenisë dhe Azerbajxhanit: si të lidhet Azerbajxhani me Nakçivanin përmes territorit armen.

Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan dy luftëra të mëdha për Nagorno-Karabakun, që ndërkombëtarisht njihet si territor i Azerbajxhanit, që për dekada kishte një popullsi kryesisht etnike armene. Azerbajxhani rivendosi kontrollin e plotë mbi territorin në vitin 2023, duke bërë që pothuajse e gjithë popullsia e tij etnike armene të largohej.

SHIKONI EDHE:

Aeroporte dhe zbrazëtira: Brenda rajoneve që Azerbajxhani i rimori nga Armenia

Të dyja vendet ranë dakord për tekstin e një traktati paqeje në mars të vitit 2025, por ende nuk e kanë përmbyllur marrëveshjen përfundimtare. Në një samit në Shtëpinë e Bardhë, pesë muaj më vonë, kryeministri armen, Nikol Pashinian, dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që synon t’i japë fund konfliktit prej dekadash dhe të hapë lidhjet e transportit në rajon. TRIPP-i doli nga kjo marrëveshje.

SHIKONI EDHE:

Trump: Armenia dhe Azerbajxhani do të nënshkruajnë marrëveshje të paqes në Shtëpinë e Bardhë

TRIPP-i synon që të mundësojë transit të papenguar mes pjesës kontinentale të Azerbajxhanit dhe Nakçivanit përmes territorit armen, duke ruajtur sovranitetin, integritetin territorial dhe juridiksionin e Armenisë – një dispozitë politikisht e rëndësishme, duke pasur parasysh mosmarrëveshjet e gjata rreth kontrollit të rrugës.

Projekti është paraparë që të zhvillohet nga një kompani amerikano-armene, në të cilën Shtetet e Bashkuara synohet që të kenë kontroll, duke i dhënë Uashingtonit një rol të rëndësishëm në një rajon strategjik ku Rusia tradicionalisht ka ushtruar ndikim të konsiderueshëm.

Sipas planit, seksioni armen në fund do të përfshijë lidhje hekurudhore dhe rrugore, si dhe infrastrukturë energjetike dhe digjitale.

Nga marrëveshja e paqes te rruga tregtare

Witkoff u dha merita Pashinianit dhe Aliyevit për njohjen e faktit se një marrëveshje paqeje ofronte një alternativë më të mirë ndaj konfliktit prej dekadash.

“Ndryshe nga shumë konflikte të tjera që shohim në botë, këtu i kishim të gjithë përbërësit për një marrëveshje”, tha Witkoff, duke i përshkruar dy udhëheqësit si “jashtëzakonisht pragmatikë dhe të pjekur”.

Ai gjithashtu i dha merita presidenti Trump për shtyrjen përpara të procesit, pasi zyrtarët amerikanë konstatuan se komunikimi mes Jerevanit dhe Bakusë kishte ngecur.

Megjithatë, fokusi në Nju Jork ishte nëse hapja diplomatike tani mund të sjellë përfitime ekonomike.

Witkoff tha se implikimet ekonomike të TRIPP-it po bëhen gjithnjë e më të dukshme, teksa zyrtarët dhe kompanitë shqyrtojnë potencialin që ka projekti për të luajtur në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.

“Gjithçka tani është përqendruar te transmetimi dhe shpejtësia e arritjes në treg”, tha ai, duke iu referuar vlerësimeve se rruga mund të shkurtojë disa udhëtime tregtare deri në tri javë.

TRIPP-i mund të integrohet në Korridorin Transkaspik, ose Korridorin e Mesëm, një rrjet lindje-perëndim përmes së cilit transportohen mallra mes Kinës dhe Azisë Qendrore përmes Detit Kaspik, Kaukazit Jugor dhe më tej drejt Evropës. Ky korridor ka tërhequr vëmendje të madhe, teksa qeveritë dhe bizneset kërkojnë alternativa ndaj rrugëve tradicionale të transitit përmes Rusisë.

Witkoff tha se pret që projekti të gjenerojë “investime të mëdha”, veçanërisht në Armeni.

Duke folur në një ngjarje tjetër në Nju Jork më 23 shtator, Pashinian tha se zbatimi i TRIPP-it do ta “zhbllokojë plotësisht” ndërlidhjen rajonale dhe do të “hapë një epokë të re” për Armeninë dhe ekonominë e saj.

Megjithatë, për momentin, korridori mbetet kryesisht një projekt në letër.

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se studimet inxhinierike dhe të fizibilitetit po shqyrtojnë rrugën e propozuar hekurudhore, përfshirë aspektet teknike, mjedisore dhe sociale. Një studim i ndarë i kryer më herë i fizibilitetit po shqyrton mundësinë e vendosjes së infrastrukturës energjetike dhe digjitale përgjatë lidhjeve të transportit.

Zyrtarët presin që puna për fizibilitetin e hekurudhës të përfundojë deri në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027, pas së cilës kompanitë mund të konkurrojnë për kontratat. Ndërtimi i hekurudhës do të kërkonte të paktën 18 muaj të tjerë, ndërsa lidhjet e energjisë elektrike potencialisht mund të fillojnë të operojnë në vitin 2027.

Investimet amerikane

Uashingtoni po ndërton po ashtu struktura financiare dhe korporative që synojnë t'i shndërrojnë këto plane në projekte ku mund të investohet.

SHBA-ja dhe Armenia po krijojnë një kompani për zhvillimin e TRIPP-it, një ndërmarrje të përbashkët në të cilën Uashingtoni pritet të ketë shumicën e aksioneve dhe e cila do të mbikëqyrë zhvillimin e infrastrukturës dhe tenderët konkurrues.

Një Fond i Ndërmarrjeve Transkaspike, i veçantë, synon të mobilizojë kapitalin privat për projektet e ndërlidhjes në mbarë rajonin.

Andrew D'Anieri, drejtor i Qendrës për Euroazinë në Këshillin e Atlantikut, tha se të dyja nismat sinjalizojnë angazhim më të thellë ekonomik të SHBA-së.

“Shtyrja përpara e projektit të TRIPP-it dhe njoftimi për Fondin e Ndërmarrjeve Transkaspike në prani të zyrtarëve të lartë rajonalë dhe kompanive të mëdha amerikane dërgon një sinjal të fortë se Amerika e ka seriozisht”, tha D'Anieri për Radion Evropa e Lirë.

“TRIPP-i do të përparojë më ngadalë, duke pasur parasysh shkallën e vështirësisë teknike të projektit dhe ndjeshmërive gjeopolitike”, tha ai.

SHIKONI EDHE:

Kongresisti amerikan: Marrëveshja e paqes Armeni-Azerbajxhan mund të arrihet para përfundimit të mandatit të Trumpit

Një rrugë e re përmes një rajoni me shumë interesa

Këto ndjeshmëri shtrihen përtej Armenisë dhe Azerbajxhanit. Kaukazi Jugor lidh Evropën me Azinë Qendrore në një rajon ku Rusia, Kina, Irani dhe Turqia kanë të gjitha interesa të rëndësishme.

Angela Howard, hulumtuese në Qendrën për Fuqinë Ekonomike dhe Financiare të Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, tha se infrastruktura e mbështetur nga SHBA-ja mund të krijojë lidhje të reja tregtare, teksa zvogëlon varësinë nga rrugët e kontrolluara ose të ndikuara nga Rusia.

“Investimi i SHBA-së në Kaukaz e vendos Amerikën në portën hyrëse për në Azinë Qendrore”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se projektet e mbështetura nga SHBA-ja do të kërkonin masa mbrojtëse kundër korrupsionit dhe ndikimit të huaj.

“Rregulla të forta mbrojtëse dhe mbikëqyrje e gjerë do të jenë kritike në të ardhmen”, tha Howard.

Daines tha se Uashingtoni duhet ta vazhdojë angazhimin e tij dhe argumentoi se rajoni duhet të shihet jo vetëm përmes prizmit të konflikteve të së kaluarës, por edhe si një qendër e mundshme për tregti dhe investime.

Për momentin, kuadri politik ekziston, por studimet inxhinierike, financimi, tenderët dhe ndërtimi janë ende çështje që presin të realizohen në të ardhmen. Siç u shpreh një zyrtar i lartë amerikan, “ende nuk kemi arritur në atë fazë”.