Sekretari amerikan i Mbrojtjes*, Pete Hegseth, ka deklaruar se Uashingtoni është i gatshëm të rifillojë veprimet ushtarake kundër Iranit nëse negociatat në vazhdim nuk prodhojnë një marrëveshje, duke theksuar se forcat amerikane mbeten të gatshme pavarësisht përpjekjeve për të arritur një zgjidhje diplomatike.
Duke folur në forumin e mbrojtjes dhe sigurisë Shangri-La Dialogue në Singapor më 30 maj, Hegseth tha se Shtetet e Bashkuara janë “më se të afta” për të rinisur sulmet nëse kjo bëhet e nevojshme dhe se rezervat e tyre ushtarake janë “më se të përshtatshme” për operacione të tilla.
Shefi i Pentagonit tha se Trump po tregon “durim” dhe se ai “do të pranojë vetëm një marrëveshje të mirë” për të parandaluar që Irani të sigurojë armë bërthamore, ndërsa vazhdojnë bisedimet për një zgjatje të propozuar të armëpushimit aktual, i cili mbetet i brishtë.
Komentet e Hegsethit erdhën disa orë pasi Trump zhvilloi një takim me këshilltarët e tij kryesorë më 29 maj për të marrë një “vendim përfundimtar” lidhur me një kornizë për zgjatjen e armëpushimit me Iranin, por takimi përfundoi pa u njoftuar ndonjë vendim i qartë.
Sipas zyrtarëve amerikanë, propozimi do ta zgjaste armëpushimin edhe për 60 ditë, duke u dhënë kohë negociatorëve të punojnë për një marrëveshje më të gjerë që do të adresonte programin bërthamor iranian, rezervat e uraniumit të pasuruar dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, palët vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje të mëdha për çështje kyçe, përfshirë pasurimin e uraniumit dhe fatin e rezervave bërthamore të Iranit.
SHIKONI EDHE:
"Ide thelbësisht të ndryshme" vështirësojnë bisedimet SHBA-Iran, thotë ish-diplomati amerikanAktualisht, Irani posedon mbi 440 kilogramë uranium të pasuruar në 60 për qind, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore - një nivel shumë përtej nevojave civile dhe vetëm një hap teknik larg nivelit për armë bërthamore.
Gjatë qëndrimit në Singapor, Hegseth hodhi poshtë gjithashtu sugjerimet se konflikti me Iranin e kishte shpërqendruar Uashingtonin nga rajoni i Azi-Paqësorit, duke thënë se SHBA-ja mund të “bëjë dy gjëra njëkohësisht”.
*Shënim: Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv në shtator të vitit 2025, duke e ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në Departament të Luftës, si emër të dytë.