Pas samitit Trump-Xi, SHBA-ja ende pa zgjidhje për mineralet kritike

Një punëtor punon me eskavator në një minierë të mineraleve të rralla të tokës në Kinë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Kur u takuan në Uashington muajin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqësi kinez, Xi Jinping, nuk arritën pajtim për një nga çështjet më të debatueshme në raportet dypalëshe: kufizimet e gjera të Pekinit për eksportin e mineraleve kritike që kanë shkaktuar probleme si në zinxhirët e furnizimit të Pentagonit, ashtu edhe në ata të sektorit tregtar.

Trump dhe Xi ranë dakord ta zgjasnin për dy muaj armëpushimin tregtar, i cili ishte paraparë të përfundonte më 10 nëntor. Por, kjo zgjatje nuk i adreson shqetësimet kryesore të Uashingtonit lidhur me eksportet e pamjaftueshme të mineraleve nga Kina.

SHIKONI EDHE:

Xi: Nuk ka fitues në një luftë tregtare

Gjatë dëshmisë së tij në korrik para Komitetit të Financave të Senatit amerikan, përfaqësuesi tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, tha se eksportet e mineraleve nga Kina “nuk janë aq sa do të dëshironim. Nuk janë në ritmin që do të dëshironim”.

Kina dominon prodhimin dhe përpunimin global të mineraleve kritike dhe magnetet e përhershme me metale të rralla të tokës, të cilët i ruajnë vetitë magnetike pafundësisht, pa pasur nevojë për energji të jashtme. Magnetet e përhershme me metale të rralla të tokës janë kyç për funksionimin e gjithçkaje, nga motorët e automjeteve elektrike dhe turbinat e erës deri tek aeroplanët luftarakë dhe sistemet për drejtimin e raketave.

SHIKONI EDHE:

Pse Kina po e shfaq mbizotërimin e saj me minerale të rralla në luftën tregtare me SHBA-në?

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), një organizatë ndërqeveritare autonome me seli në Paris, vlerëson se Kina është përpunuesja kryesore e 19 prej 20 mineraleve kryesore strategjike, me një pjesëmarrje mesatare prej 70 për qind në treg.

Kontrolli i Kinës mbi magnetet e përhershme është edhe më i madh: sipas IEA-së, ajo ka 94 për qind të tregut global.

Pekini e ka përdorur si armë dominimin e tij në fushën e mineraleve kritike për t’iu kundërvënë sanksioneve amerikane ndaj sektorit të gjysmëpërçuesve të Kinës dhe tarifave të vendosura nga administrata e presidentit Trump. Ai i ka përshtatur kontrollet e eksporteve në mënyrë që të ushtrojë presion maksimal mbi zinxhirët e furnizimit të Pentagonit, dhe në të njëjtën kohë duke shmangur ndërprerjet në shkallë të gjerë në industritë e konsumit. Këto ndërprerje do të rrezikonin përshkallëzimin e tensioneve me Uashingtonin, gjë që Partia Komuniste Kineze, e cila qeveris vendin, nuk e dëshiron.

Në përgjithësi, Kina eksportoi 512 tonë metrikë magnete të përhershme me metale të rralla të tokës në SHBA në gusht, 21 për qind më pak se në korrik dhe 13 për qind më pak se një vit më parë, sipas të dhënave doganore kineze.

Para samitit, Xi synoi ta shfrytëzonte dominimin e Kinës në fushën e metaleve strategjike për të siguruar një armëpushim tregtar afatgjatë me SHBA-në, tha Tomasz Nadrowski, menaxher i portofolit të Fondit për Mineralet Kritike Amvest Terraden, me seli në Nju Jork.

“Kina e ka këtë rubinet që mund ta hapë dhe ta mbyllë, duke përcaktuar rrjedhën e mineraleve kritike drejt SHBA-së dhe vendeve të tjera”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Zgjatja e armëpushimit tregtar për dy vjet do t’i kishte dhënë kësaj leve edhe më shumë vlerë”, duke e përforcuar më shumë varësinë e SHBA-së nga zinxhirët kinezë të furnizimit me minerale kritike.

Administrata e presidentit Trump ishte e shqetësuar se, në rast të një armëpushimi dyvjeçar, “të gjithë [si prodhuesit komercialë, ashtu edhe ata të mbrojtjes] do të relaksoheshin dhe do të mendonin: ‘Nuk kemi nevojë të krijojmë kapacitete të reja’”, thotë ai.

“SHBA-ja nuk mund ta përballojë varësinë nga pika strategjike të bllokimit për lëndët kyç për bazën e saj industriale të mbrojtjes dhe industritë themelore, si ajo e automobilave”, tha në një intervistë Mahnaz Khan, nënkryetare për politikat e zinxhirëve kritikë të furnizimit në organizatën Silverado Policy Accelerator, me seli në Uashington.

Armëpushimi dymujor, për të cilin ranë dakord Trump dhe Xi, “i blen kohë Shteteve të Bashkuara, por nuk e eliminon cenueshmërinë themelore”, tha ajo.

Partneriteti me Azinë Qendrore

Teksa përpiqet të ulë varësinë nga Kina për mineralet kritike, administrata Trump ka intensifikuar ndjeshëm përpjekjet për të gjetur burime alternative. Në një dokument informues të publikuar në gusht, Shtëpia e Bardhë tha se që nga janari i vitit 2025 ka nënshkruar ose miratuar më shumë se 160 marrëveshje për minerale, me vlerë të përgjithshme rreth 40 miliardë dollarë.

Ndonëse administrata i jep përparësi prodhimit vendor të mineraleve, në disa raste projektet jashtë vendit janë më të realizueshme. Kjo vlen për tungstenin, që SHBA-ja nuk e ka prodhuar brenda vendit që nga viti 2015. Tungsteni është një lëndë e parë thelbësore për çelikun e përdorur në industrinë ushtarake, komponentët e hapësirës ajrore, municionet dhe autoblindat. Për shkak të dendësisë së lartë, ky metal përdoret për stabilizimin dhe kontrollin e raketave dhe aeroplanëve.

SHIKONI EDHE:

Trump dhe shtetet e Azisë Qendrore arrijnë marrëveshje për mineralet

Rëndësia e tungstenit për mbrojtjen e ka shtyrë administratën Trump të mbështesë një projekt me vlerë 1.1 miliard dollarë në Kazakistan. Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar në nëntor të vitit 2025 ndërmjet kompanisë amerikane Cove Capital, tashmë e njohur si Cove Kaz Capital Group, dhe kompanisë shtetërore kazake të minierave Tau-Ken Samruk, të dyja palët do të zhvillojnë bashkërisht një nga rezervat më të mëdha të tungstenit në botë.

“Kazakistani bëri një zgjedhje të vetëdijshme politike duke ia dhënë projektin një kompanie amerikane, ndonëse, sipas raportimeve, edhe Kina kishte konkurruar për të njëjtin projekt”, tha për Radion Evropa e Lirë Akbota Karibayeva Meyer, hulumtuese në Qendrën për Politika të Kaspikut, me seli në Uashington. Ky vendim është shembull i politikës së jashtme shumëdrejtimëshe të Kazakistanit, e cila synon ruajtjen e autonomisë strategjike duke balancuar marrëdhëniet me fuqitë e mëdha, shpjegoi ajo.

Shpimet, studimet e fizibilitetit dhe përgatitjet e terrenit nisën pas përmbylljes zyrtare të marrëveshjes. Megjithatë, fillimi i prodhimit të plotë komercial pritet të marrë edhe disa vjet kohë.

“A janë këto projekte në Kazakistan të realizueshme? Sigurisht që janë. Megjithatë, është shumë e vështirë që llogaritjet ekonomike të dalin pozitive pa subvencione”, tha në një intervistë Ian Lange, profesor në Shkollën e Kolorados për Miniera dhe zëvendësdrejtor i qendrës së saj për inovacionin e materialeve kritike.

“Në mënyrë ideale, do të doja të bëja diçka [në drejtim të investimeve në miniera] që kufizon shpenzimet e qeverisë dhe mundëson njëfarë konkurrence”, tha ai.

Administrata Trump po bashkëpunon edhe me Uzbekistanin për të siguruar minerale kritike.

Në shkurt, kompania amerikane e tregtimit të lëndëve të para Traxys nënshkroi një marrëveshje prej 1 miliard dollarësh me qeverinë uzbeke, e cila përqendrohet në kërkimin dhe mihjen e tungstenit, molibdenit dhe bakrit. Kjo marrëveshje është në përputhje me një pakt të veçantë për mineralet kritike, të arritur ndërmjet Korporatës Amerikane të Financimit të Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC) dhe Uzbekistanit.

Edhe në vende të tjera të Azisë Qendrore ekziston potencial për bashkëpunim me SHBA-në. Kirgizia dhe Taxhikistani kanë rezerva të mëdha të antimonit, një mineral kritik që përdoret si lëndë kundër flakëve, si përbërës në lidhjet me plumb dhe në komponentët e përdorur në gjysmëpërçues.

Gjatë një vizite në Bishkek në shtator, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Azinë Jugore dhe Qendrore, Sergio Gor, dhe senatori amerikan Steve Daines, kryetar i Grupit të Senatit për Azinë Qendrore, diskutuan me zyrtarët kirgizë për bashkëpunimin në fushën e minierave.

Gjatë udhëtimit të tyre, ata u takuan edhe me presidentët e Kazakistanit, Uzbekistanit dhe Taxhikistanit.

Ndonëse SHBA-ja po shënon përparim në sigurimin e mineraleve kritike nga Azia Qendrore, “është e rëndësishme të pranohet kufizimi që paraqet gjeografia”, tha Karibayeva Meyer.

Duke pasur parasysh afërsinë e saj me Azinë Qendrore, “për Kinën është shumë më e lehtë të përfshihet në rajon”.

Sfidat afatshkurtra dhe afatgjata

Në terma afat të shkurtër, SHBA-ja përballet me një pengesë të rëndësishme në përpjekjet për të diversifikuar burimet e mineraleve kritike: nga 1 janari i vitit 2027, Pentagoni do të ndalojë përdorimin e disa metaleve me origjinë nga vendet që i konsideron “kundërshtare”, përkatësisht Kina, Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani.

Ndalimi, në bazë të Urdhrit Ekzekutiv 14415, kufizon ndjeshëm mundësinë e marrjes së përjashtimeve për përdorimin e magneteve me metale të rralla të tokës, tungstenit, tantalit dhe molibdenit nga këto katër vende. Kompanitë e mbrojtjes nuk mund të marrin më përjashtim për arsye të kostos ose lehtësisë së përdorimit. Për të përfituar një përjashtim nga ky ndalim, ato duhet të dëshmojnë se materialet që i përmbushin kërkesat nuk janë aspak të qasshme, pavarësisht përpjekjeve shteruese për t’i siguruar ato.

Shoqata e Industrive të Hapësirës Ajrore (AIA), një organizatë tregtare me seli në Uashington, tha në një raport të fundit se disa prej kompanive anëtare presin t’i përmbushin kërkesat për produkte të caktuara deri më 1 janar. Të tjerave mund t’u duhet kohë deri në vitin 2028 ose më vonë, për shkak të mungesës së materialeve që i përmbushin kërkesat për përdorim në hapësirën ajrore, për disa nga materialet e përfshira në ndalim.

AIA i rekomandoi administratës Trump që kërkesat për përmbushjen e rregullave të përshtaten me gatishmërinë e zinxhirëve të furnizimit dhe të ruhet fleksibiliteti për dhënien e përjashtimeve.

Lange, nga Shkolla e Kolorados për Miniera, tha se administrata mund t’u ofrojë kompanive të mbrojtjes njëfarë fleksibiliteti shtesë.

SHIKONI EDHE:

Në këmbim të ndihmave për Ukrainën, Trump i do mineralet e rralla të saj. Pse?

Në terma më afatgjatë, analistët thanë se Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje përpunimit të mineraleve kritike. Dekada të tëra të zhvendosjes së prodhimit drejt Kinës kanë sjellë kosto të larta rregullatore, mungesë të ekspertizës së specializuar në metalurgji dhe mungesë të impianteve përpunuese në shkallë të madhe.

“Konsideroj se përpunimi është pengesa kryesore dhe më afatgjatë për diversifikimin në shkallë të gjerë, larg Kinës”, tha për Radion Evropa e Lirë Cory Combs, drejtues i hulumtimeve për mineralet kritike dhe zinxhirët e furnizimit në kompaninë këshilluese Trivium China.

“Minierat përgjithësisht janë shumë më pak komplekse nga pikëpamja teknologjike. Pengesat më të mëdha përqendrohen te njohuritë e specializuara që nevojiten për përpunimin. Përvoja e Kinës, e cila ka kaluar dekada duke ndërtuar kapacitetet e saj përpunuese, tregon se sa sfidues është ky proces”, tha ai.

Ai vuri në pah po ashtu se në SHBA mungojnë sinjalet për kërkesë të madhe në segmentet e zinxhirit të prodhimit ndërmjet mineraleve të përpunuara dhe përdorimit të tyre përfundimtar. Kjo e kufizon shkallën e marrëveshjeve për blerjen e prodhimit, që janë të nevojshme për financimin e duhur të zgjerimit të kapaciteteve të përpunimit.

Duke pasur parasysh kohën e gjatë që kërkohet për realizimin e projekteve, pengesat në marrjen e lejeve dhe kufizimet e kapitalit, analistët presin që Uashingtonit do t’i duhet më shumë se një dekadë për të zhvilluar një zinxhir furnizimi me minerale kritike, nga fazat e ndërmjetme të përpunimit e tutje, që nuk varet nga Kina.

Ndërkohë, Pekini do të synojë ta shfrytëzojë këtë varësi për ta penguar SHBA-në të vendosë kufizime të tjera ndaj zhvillimit të teknologjive të avancuara të Kinës, të rëndësishme për gjysmëpërçuesit dhe inteligjencën artificiale.

Deri më tani, kjo strategji ka qenë e suksesshme.

Në fillim të këtij viti, administrata Trump e shtyu përfshirjen e më shumë se 100 kompanive kineze në Listën e Entiteteve të Departamentit të Tregtisë, një listë e zezë për tregtinë dhe eksportet, për shkak të shqetësimeve se Pekini mund të kufizonte më tej dërgesat e metaleve të rralla të tokës.

Dominimi i vazhdueshëm i Kinës në fushën e mineraleve kritike mund të kufizojë gjithashtu aftësinë e Uashingtonit për të ndërhyrë në rast të një krize në Ngushticën e Tajvanit.

Një raport i publikuar në janar nga Fondacioni Heritage paralajmëron se, nëse Kina i përdor plotësisht si armë kufizimet e saj të eksporteve në fillim të një lufte, SHBA-ja mund t’i shterojë në më pak se 90 ditë rezervat ekzistuese të mineraleve të nevojshme për prodhimin e municioneve të reja të avancuara.