Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, bëri thirrje për formimin e shpejtë të institucioneve të Kosovës, që sipas tij, do t’i mundësonte bllokut evropian që t’i ofronte vendit ndihmën që ka në dispozicion.
“Përpara kemi një dritare të rëndësishme mundësish. Për të mirën e të gjithë qytetarëve të saj, Kosovës i duhen institucione funksionale, të afta për t’i zbatuar reformat e nevojshme dhe për ta shfrytëzuar plotësisht Planin e Rritjes të BE-së dhe financimin e ardhshëm mjaft të konsiderueshëm të IPA-s”, tha ai, sipas një njoftimi të Zyrës së BE-së në Kosovë.
Shfrytëzimi i këtyre mundësive, sipas tij, kërkon “përgjegjësi politike, institucione efektive dhe fokus të qartë në reforma dhe në agjendën e integrimit evropian”.
Kosova po përballet me krizë politike, pasi skena politike nuk po arrin konsensus për zgjedhjen e presidentit dhe formimin e Qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit, të dala nga zgjedhjet e qershorit.
Pavarësisht se partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, dy ditë më parë arriti marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për çështjen e presidentit, kandidatit të përbashkët, Bekim Sejdiun, është kundërshtuar nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke ngritur pikëpyetje nëse marrëveshja mund të prodhojë kreun e ri të shtetit.
SHIKONI EDHE:
Çka pas 6 votave të LDK-së kundër Sejdiut?Nëse deputetët nuk e zgjedhin presidentin e ri, atëherë Kosova do të mbante zgjedhjet e katërta në më pak se dy vjet dhe të dytat për shkak të moskonsensusit për çështjen e kreut të shtetit.
Për shkak të krizës politike, Kosova po ashtu mund të humbë miliona që BE-ja i ka ndarë për të në kuadër të Planit të Rritjes.
SHIKONI EDHE:
E zhytur në krizë institucionale, Kosova rrezikon humbjen e përhershme të milionave nga BE-jaGjermani Schuebel mori detyrën e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, duke e pasuar në këtë post estonezin, Aivo Orav.
Schuebel tha se do të punojë me institucionet e Kosovës për ta ndihmuar vendin që të “avancojë në rrugën e saj drejt integrimit në BE” e barabartë me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Do ta mbështes të ardhmen evropiane të Kosovës. Puna drejt saj kërkon angazhimin e tërë shoqërisë dhe përkushtim të përbashkët për ta bërë integrimin në BE prioritet, përtej ndarjeve politike. Gjithashtu do ta mbështes angazhimin konstruktiv të Kosovës në dialogun Prishtinë-Beograd, të lehtësuar nga BE-ja dhe përparimin drejt normalizimit të raporteve, në bashkëpunim të ngushtë me emisarin për dialog, Peter Sorensen”, tha ai.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka as statusin e vendit kandidat. Ndërkaq, dialogu Kosovë-Serbi, prej vitesh ka ngecur, teksa palët s’kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë që nga shtatori i vitit 2023.
Ambasadori i ri i bllokut evropian në Kosovë po ashtu vlerësoi Kosovën për rreshtimin me BE-në sa i përket politikës së Jashtme dhe Sigurisë.
Kosova, në linjë me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Ndryshe, Schuebel ka përvojë të gjatë diplomatike dhe karriera e tij është përqendruar kryesisht në politikën e jashtme të BE-së. Ai ka shërbyer ambasador i BE-së në Bjellorusi nga viti 2019 deri më 2022 dhe më herët në Moldavi, nga viti 2009 deri më 2013.
Së voni, ai ka shërbyer si shef i divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm.
BE-ja po ashtu njoftoi se në postin e zëvendësshefit të BE-së në Kosovë është emëruar Alexis Hupin.