Ndërlidhjet

Gjermani Dirk Schubel emërohet përfaqësues i posaçëm i BE-së në Kosovë

E përditësuar
Selia e Komisionit Evropian në Bruksel
Selia e Komisionit Evropian në Bruksel

Këshilli i Bashkimit Evropian emëroi diplomatin gjerman, Dirk Schubel, si përfaqësues të ri të posaçëm të BE-së për Kosovën.

Ai do ta marrë detyrën më 1 shtator 2026, me mandat fillestar dyvjeçar, duke pasuar estonezin Aivo Orav.

Schubel është diplomat me përvojë të gjatë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

Aktualisht, ai drejton Divizionin për Rusinë në EEAS.

Dirk Schubel
Dirk Schubel

Më herët, ai ka shërbyer si i dërguar i posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor (2022-2024), ndërsa ka qenë edhe shef i Delegacionit të BE-së në Bjellorusi (2019-2022) dhe në Moldavi (2009-2013).

Sipas vendimit të Këshillit të BE-së, mandati i Schubelit do të përqendrohet në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, si dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit.

Ai do të monitorojë përparimin në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, do të kontribuojë në forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së komuniteteve, si dhe do të promovojë koordinimin politik të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Mandati i tij përfshin, gjithashtu, ofrimin e udhëzimeve politike për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim forcimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Në dy vjetët e fundit - nga 2024-ta deri në fund të marsit - në këtë funksion ishte Aivo Orav.

Në një nga deklaratat e fundit për mediat në Kosovë, Orav tha se çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë “nuk do të zhduket”.

“Dialog do të thotë gjithashtu Asociacion”, tha ai.

Pas largimit të tij, ushtrimin e detyrës e mori përsipër zëvendësshefja e BE-së në Kosovë, Eva Palatova.

Në një shkrim të publikuar javën e kaluar, Palatova tha se Bashkimi Evropian mbetet partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës, si dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, por theksoi se përgjegjësia për avancimin e së ardhmes evropiane të Kosovës u takon udhëheqësve politikë dhe institucioneve të Kosovës.

Me atë rast, ajo bëri thirrje për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke thënë se partia fituese - në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje - ka përgjegjësi të veçantë që të angazhohet me partitë e tjera politike për të arritur kompromis.

Kosova nuk ka institucione të qëndrueshme tash e më shumë se një vit e gjysmë, pasi tri palë zgjedhje të mbajtura brenda kësaj periudhe nuk kanë arritur t'i japin vendit një shumicë funksionale.

"Konkurrenca politike është një tipar normal dhe i shëndetshëm i demokracisë. Avancimi i së ardhmes evropiane të Kosovës duhet të jetë një objektiv i përbashkët", shkroi Palatova.

XS
SM
MD
LG