Banorë të Zvërnecit protestuan të shtunën kundër punimeve për ndërtimin e një resorti në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë, mes kundërshtimeve për ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.
Protestuesit tentuan të hynin në kantierin e ndërtimit dhe u përleshën me punonjësit e sigurisë private të kontraktuar nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila po kryen punimet.
Protestës iu bashkuan edhe aktivistë të mjedisit, të cilët kundërshtojnë projektin duke argumentuar se po dëmtohet një zonë e mbrojtur me rëndësi të veçantë për biodiversitetin.
Pas protestës, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” reagoi përmes një deklarate, duke thënë se investimi po zhvillohet në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe se rrethimi është vendosur në një pronë private të blerë ligjërisht.
“Projekti i ndërtimit, ashtu si edhe ai mjedisor, po finalizohet nga disa prej studiove më të mira në botë dhe, sapo të përfundojë, do të bëhet publik. Investitorët kanë një histori të pakontestuar biznesi dhe zotërojnë kompani të listuara në bursat ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e kompanisë.
Sipas saj, investimi pritet të arrijë vlerën e 4 miliardë eurove dhe të krijojë rreth 10.000 vende të reja pune.
SHIKONI EDHE:
Përplasje mendimesh në Shqipëri për investimet e planifikuara të dhëndrit të TrumpitNjë ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kundërshtoi pretendimet e organizatave mjedisore dhe aktivistëve se shteti po i jep investitorëve tokë publike në Zvërnec.
“Mbi gjithë këtë është krijuar zhurma e një lajmi të rremë se shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë. Ajo është një pronë private dhe investitorët e përfshirë janë tejet seriozë, të cilët atë pronë e kanë marrë nga privatët”, tha Rama.
Ai shtoi se shteti ka interesa pronësore vetëm në pjesën e projektit që lidhet me ishullin e Sazanit dhe se negociatat për këtë projekt ende nuk kanë përfunduar.
Your browser doesn’t support HTML5
Brenda ishullit Sazan ku Jared Kushner planifikon një kompleks luksoz
Megjithatë, aktivistët e mjedisit dhe banorët e zonës thonë se punimet po zhvillohen në kundërshtim me interesin publik dhe po dëmtojnë një zonë të mbrojtur.
Joni Vorpsi, drejtues i shoqatës “Protection and Preservation of Natural Environment in Albania”, tha se punimet përbëjnë “një masakër kundër natyrës”.
“Zona është e mbrojtur dhe ndër më të rëndësishmet për biodiversitetin. Jemi kundër një investimi të tillë sepse e shohim si shkatërrues. Ka mbi një muaj që makineritë hyjnë pa leje mjedisore dhe po dëmtojnë habitatin. Çfarë vlere ka një zonë e mbrojtur kur nuk mbrohet nga autoritetet?”, tha ai.
Sipas Vorpsit, në terren janë kryer punime si rrethimi i zonës me tela me gjemba, hapja e rrugëve dhe shkulja e pemëve, pa u zhvilluar më parë dëgjesa publike dhe pa u bërë publike lejet përkatëse.
“Ne e kemi denoncuar publikisht këtë situatë. U takuam me ministrin e Mjedisit, i cili na tha se po kryhen studime gjeologjike, por kjo nuk është e vërtetë. Aty po bëhen punime dhe po shkatërrohen duna shekullore", tha ai.
"Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit na tha se subjekti ka leje, por në tabelën e vendosur në kantier nuk figuron as leja e ndërtimit dhe as vendimi për ndikimin në mjedis”, shtoi ai.
Vorpsi tha se nxitimi për të zhvilluar punimet mund të lidhet me detyrimet që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të integrimit evropian për ndryshimin e ligjit për zonat e mbrojtura.
“Në vitin 2024 u ndryshua ligji për zonat e mbrojtura dhe u lejua ndërtimi i resorteve me pesë yje në këto zona. Në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian, Shqipërisë i është kërkuar të rishikojë dispozitat problematike të këtij ligji. Para se të ndodhë kjo, po nxitohet të kryhen punime”, tha ai.
Banorët e zonës kanë organizuar edhe më parë protesta, duke pretenduar se prona e tyre po u merret në mënyrë të paligjshme.
Kostaq Konomi, kryeplak i Zvërnecit, tha për Radion Evropa e Lirë se banorët nuk do të lejojnë që t’u merret prona padrejtësisht.
“Jemi në procese gjyqësore që nga viti 2004. Së fundmi, Gjykata e Lartë e ka kthyer çështjen në Gjykatën e Vlorës, por ende nuk është marrë në shqyrtim. Si mund të ndërtohet kur çështja është ende në gjykatë? Jemi në konflikt me një biznesmen që pretendon pronësinë e tokave tona dhe që jeton në Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, i cili në mars të vitit 2024 deklaroi se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.
SHIKONI EDHE:
Shqipëria i jep dritën e gjelbër dhëndrit të Trumpit: Cili është plani për Sazanin?Kompania që ka nisur punimet është themeluar në maj të vitit 2024.
E, Vorpsi ngriti pikëpyetje edhe për strukturën e kompanive të përfshira në projekt.
“Nga informacionet publike nuk kuptohet qartë kush po e zhvillon projektin dhe sa kompani janë të përfshira. Përmendet edhe UTC (Urbacon Trading and Contracting), një kompani arabe. South Adriatic Development duket si një kompani e krijuar për projektin, në partneritet me kompani të tjera që do ta zbatojnë atë”, tha ai.
Në mars të vitit 2024, Kushner njoftoi planet për investime në Sazan dhe Zvërnec. Në atë kohë, Qeveria e Shqipërisë deklaroi se nuk kishte marrë një kërkesë për investim në Zvërnec.
Komiteti për Investimet Strategjike ka publikuar dokumentacionin për projektin në Sazan, por deri më tani nuk ka publikuar dokumente që lidhen me një investim strategjik në Zvërnec.