Anëtarja e NATO-s, Shqipëria do ta rihapë Shkollën e saj të Aviacionit në Vlorë, gati dy dekada pasi ishte mbyllur për shkak të kostove dhe dëmimeve të mëdha gjatë viteve ‘90, njoftoi të enjten ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Nufi e bëri këtë njoftim gjatë shënimit të 75-vjetorit të krijimit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar në bazën ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, ku morën pjesë zyrtarë shtetërorë dhe ushtarakë.
“Ringritja e Shkollës së Aviacionit është hap i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësinë e traditës dhe përgatitjen e brezave të rinj të pilotëve dhe specialistëve”, tha Nufi.
SHIKONI EDHE:
Shqipëria do të prodhojë dronë luftarakëKjo shkollë do të nxjerrë pilotë ushtarakë dhe civilë, si dhe kontrollorë të trafikut ajror ushtarakë dhe civilë.
Shkolla do të ripahet pas një marrëveshjeje nga viti i kaluar mes kompanisë shtetërore të mbrojtjes së Shqipërisë, Kayo, dhe asaj izraelite, Elbit System Ltd.
Nufi nuk dha të enjten ndonjë datë se kur do të rifillojë të arsimojë pilotë kjo shkollë.
Por, pas nënshkrimit të marrëveshjes vitin e kaluar, autoritetet kishin parashikuar se deri në vitin 2030 shkolla do të nxirrte 30 pilotë dhe 50 kontrollorë të trafikut ajror ushtarakë.
Shkolla e Aviacionit ushtarak në Vlorë u themelua në vitin 1962, por ajo pësoi dëme të mëdha gjatë trazirave të të viteve ’90 dhe, pavarësisht se ishte rinovuar dhe u riorganizua disa herë, ajo ishte mbyllur para dy dekadave.
Ky njoftim vjen në një kohë kur Shqipëria ka bërë disa hapa për forcimin e mbrojtjes së vet.
Një ditë më parë ajo nënshkroi marrëveshje me Italinë për prodhimin e anijeve luftarake në bazën detare të Pashalimanit në Vlorë.
Your browser doesn’t support HTML5
Baza e kohës sovjetike kthehet në qendër të NATO-s në Shqipëri
Ndërsa, në fillim të muajit autoritetet njoftuan se do të fillonin prodhimin e dronëve luftarakë gjithashtu.
Nufi shtoi të enjten se gjithashtu po punohet për përmirësimin e sistemeve të radarëve dhe forcimin e mbrojtjes kundërajrore.
“Zhvillimi i kapaciteteve të reja, sidomos i mjeteve pa pilot, modernizimi i sistemeve të radarëve, forcimi i mbrojtjes kundërajrore, si elementë shumë të rëndësishëm dhe thelbësore për realitetin e sotëm të sigurisë”, tha Nufi.