Shkurtimisht
- Si 15-vjeçare, Sabina u largua nga Vjena në vitin 2014 për t’iu bashkuar grupit militant Shteti Islamik (ISIL) në Siri.
- Pesë vjet më vonë, çdo gjurmë e saj humbi, pasi u plagos në bastionin e fundit të ISIL-it.
- Nëna e saj, Senada, është e bindur se Sabina është ende gjallë dhe beson se e ka parë në një video të publikuar në vitin 2026.
“Unë besoj se ajo është gjallë”, thotë Senada me një zë që nuk lë asnjë dyshim se vajza e saj, Sabina, me të cilën nuk ka pasur asnjë kontakt që nga viti 2019, është diku në Siri ose Irak.
Dymbëdhjetë vjet më parë, dy adoleshente nga Vjena, vajza të prindërve me origjinë nga Bosnje dhe Hercegovina, u bënë simbol i mënyrës se si grupi militant Shteti Islamik (ISIL) rekrutonte vajza të mitura.
Tani, Senada thotë se e ka parë Sabinën në një video, e cila, sipas raportimeve të mediave, është xhiruar në fillim të vitit 2026 në një burg në Raka të Sirisë.
“Vajzat e posterëve të ISIS-it”
Sabina Selimoviq dhe Samra Keshinoviq, shtetase austriake, u quajtën nga disa media ndërkombëtare “vajzat e posterëve të ISIS-it”, pasi u dërguan në Siri sa ishin ende të mitura.
Sabina Selimoviq para se të shkonte në Siri.
Sipas rrëfimit të Senada Gabeliq Selimoviqit, gjithçka nisi në prill të vitit 2014, kur vajza e saj atëkohë 15 vjeçe, Sabina, shkoi si zakonisht në shkollë në Vjenë.
“Asgjë nuk më bënte të mendoja se nuk do ta shihja më”, thotë ajo.
Kur Sabina nuk u kthye në shtëpi më 10 prill, familja fillimisht u përpoq ta kontaktonte, e më pas e raportoi rastin në polici.
Senada thotë se zbuloi se Sabina kishte marrë me vete pasaportën, por në dhomën e saj nuk kishte asnjë shenjë që të tregonte se po planifikonte të largohej.
Kur babai i saj shkoi te familja e shoqes së Sabinës, Samra Keshinoviq, mësoi se edhe ajo mungonte dhe se kishte marrë me vete pasaportën.
Pak më vonë, familjet mësuan se Sabina dhe Samra, një vit më e madhe se ajo, kishin udhëtuar nga Vjena përmes Stambollit drejt qytetit turk, Adana, dhe prej aty kishin kaluar në Siri.
“Nuk e kam vënë kurrë re se do ta bënte një gjë të tillë. Shkonte në shkollë, shkonte në xhami, si çdo fëmijë tjetër. Atë mëngjes doli për në shkollë, si çdo ditë”, kujton Senada, teksa tregon një video ku Sabina, si çdo adoleshente tjetër, këndon dhe vallëzon në banesën ku jetonte në Vjenë.
Në muajt që pasuan, fotografitë e dy adoleshenteve nga Vjena dhe rrëfimet për jetën e tyre në Siri bënë xhiro nëpër botë.
Një nga fotografitë propagandistike të përdorura nga ISIS-i, që dyshohet se tregon Sabinën dhe Samrën.
Të dyja ishin vajza të refugjatëve boshnjakë, të cilët kishin gjetur strehim në Austri pasi kishin ikur nga lufta në Bosnje.
Rrethanat se si dy vajzat përfunduan në Siri, nuk u sqaruan kurrë zyrtarisht. Po ashtu, nuk u vërtetua nëse pas largimit të tyre qëndronte ndonjë rrjet i organizuar rekrutuesish.
Senada thotë se as vetë nuk e di saktësisht se si ndodhi gjithçka.
Kur përpiqej ta pyeste Sabinën, gjatë kohës që ato ende komunikonin ndërsa ajo ishte në Siri, vajza i përgjigjej se një ditë do t’ia tregonte të gjitha.
“Më thoshte: mos më pyet tani për këto gjëra”, kujton Senada, duke shtuar se familja ka bërë disa përpjekje për ta kthyer atë nga Siria.
Sipas vlerësimeve të studiuesve, nga viti 2012 deri më 2016, 200 deri në 300 persona nga Austria udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut për t’iu bashkuar grupeve terroriste.
Senada thotë se nuk ka kontakt me familjen e Samrës dhe se besohet se ajo ka humbur jetën në Siri.
Dy martesa dhe dy fëmijë
Pasi mbërriti në Siri, Sabina u martua me një burrë nga Turqia. Me të, ajo solli në jetë një djalë.
Pas vdekjes së tij, Sabina u martua me një burrë me origjinë nga Kosova, familja e të cilit jeton në Zvicër. Me të lindi edhe një djalë.
Deri në fillim të vitit 2019, Sabina jetoi me bashkëshortin dhe dy fëmijët në vende të ndryshme në Siri, duke ndryshuar vazhdimisht vendbanimin sipas lëvizjeve të grupit militant Shteti Islamik (ISIL).
Gjatë kësaj periudhe, ajo mbante kryesisht kontakte telefonike me nënën e saj.
Sabina me djalin e saj në Siri.
“Donte të kthehej. Po, ne u përpoqëm. Madje i dërgova edhe para që të mund të largohej. Por, nuk ia doli”, thotë Senada.
“Për herë të fundit u përpoqëm ta nxirrnim nga Siria në shkurt të vitit 2019, por pa sukses. Atëherë ajo ishte vetëm me fëmijët. Herën e fundit më telefonoi më 10 mars 2019”, tregon ajo.
Sipas Senadës, bashkëshorti i Sabinës, me origjinë nga Kosova, besohet se ndodhet në një nga burgjet ku mbahen ish-luftëtarët e ISIL-it, së bashku me dhjetëra persona të tjerë nga Ballkani.
Gjurma e fundit nga Baguzi, në vitin 2019
Në shkurt dhe mars të vitit 2019, Baguzi, në lindje të Sirisë, ishte bastioni i fundit territorial i të ashtuquajturit Shteti Islamik.
Forcat kurde, të mbështetura nga një koalicion ndërkombëtar, u bënin thirrje luftëtarëve dhe civilëve të largoheshin nga zona dhe të dorëzoheshin përpara ofensivës përfundimtare.
Pamje nga Baguzi. Mars, 2019.
Sabina ndodhej në një kamp me çadra së bashku me fëmijët e saj dhe gra të tjera.
Senada thotë se gratë që ishin me të, i treguan më vonë se të gjitha u nisën së bashku drejt pozicioneve të forcave kurde.
Mes kaosit dhe granatimeve, Sabina u plagos në dorë.
“Ajo mbante në krah Muhamedin, ndërsa Isakun e mbante për dore. Pikërisht aty u plagos. Gratë më treguan se thoshte se nuk donte të vdiste, se donte të kthehej me fëmijët dhe të jetonte jetën që kishte pasur më parë”, rrëfen Senada.
Çfarë ndodhi më pas, mbetet e paqartë.
Sipas Senadës, dëshmitarët i kanë treguar se, për shkak të plagës, Sabina u kërkoi grave të tjera t’ia merrnin fëmijët dhe t’i shpëtonin.
“Më thanë se ua dha numrin tim të telefonit dhe u kërkoi të më njoftonin. Ajo mbeti aty, duke gjakosur, dhe nuk mund të vazhdonte më tej. Më vonë, disa më thanë se burra që po largoheshin nga Baguzi, arritën ta çonin te forcat kurde. Të tjerë thoshin se kishte vdekur”, tregon Senada.
Pas kësaj, ajo nisi të merrte versione të ndryshme për fatin e vajzës së saj.
Senada udhëton për herë të parë në Siri
Senada thotë se nuk e besoi kurrë se Sabina kishte vdekur.
Ajo e dinte se fëmijët e Sabinës ndodheshin në kampin Al-Hol, së bashku me gratë që i kishin marrë me vete, dhe vendosi të bënte gjithçka për t’i marrë ata në Austri dhe, njëkohësisht, për të gjetur vajzën e saj.
Përmes një gazetareje nga Vjena, Senada u njoh me një politikan austriak, i cili e ndihmoi në organizimin e udhëtimit drejt Sirisë.
Së bashku me gazetaren dhe dy prindër të tjerë, fëmijët e të cilëve gjithashtu ishin larguar për në Siri, ajo udhëtoi përmes Irakut drejt kampit Al-Hol.
Pritën disa ditë për të marrë lejen për të hyrë në territorin e kontrolluar nga forcat kurde.
“Kur po i afroheshim kampit Al-Hol, e ndjeva praninë e Sabinës”, thotë Senada.
Kampi Al-Hol. Prill, 2019.
Pasi hyri në kampin Al-Hol, i cili në atë kohë ishte i mbipopulluar me mbi 60.000 njerëz, Senada u dërgua në një spital të improvizuar.
Ajo thotë se aty e pa për pak çaste Sabinën, por nuk iu lejua të takohej apo të fliste me të.
Sipas saj, Sabina mbante nikab dhe i dukeshin vetëm sytë.
Të nesërmen, në kamp u gjetën dy nipat e saj, të cilët ishin me gratë që i kishin marrë me vete nga Baguzi.
Pas disa muajsh dhe përfundimit të procedurave ligjore, djemtë u morën në Austri, ku sot jetojnë me Senadën.
Për Sabinën, nuk pati më asnjë gjurmë.
Senada thotë se më pas udhëtoi disa herë në Siri, në përpjekje për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me vajzën e saj dhe ku ndodhej, por pa sukses.
U përball vetëm me dyer të mbyllura, informacione kontradiktore ose heshtje.
Padia kundër autoriteteve austriake
Kthimi i dy nipave në Austri ishte, sipas Senadës, e vetmja dritë shprese pas largimit të Sabinës në Siri.
Ndërsa përpiqej të zbulonte se çfarë kishte ndodhur me vajzën e saj - për të cilën thotë se nuk ka besuar kurrë se ka vdekur - dhe të ndërtonte një jetë të re për nipat në Austri, ajo nisi edhe një betejë ligjore kundër autoriteteve austriake.
Senada kërkoi përgjegjësi, duke argumentuar se Sabina kishte arritur të largohej nga Austria në moshën 15-vjeçare, pa lejen e prindërve.
Ajo kaloi kufirin në aeroportin e Vjenës, fluturoi nga Stambolli drejt Adanas dhe më pas hyri në Siri.
“Si është e mundur që një vajzë 15-vjeçare të largohet e vetme nga Austria dhe të shkojë në Siri?”, pyet Senada.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor, ajo thotë se gjykata austriake konstatoi se Sabinës nuk duhej t’i lejohej të largohej nga vendi në atë moshë.
Megjithatë, vendimi nuk i dha përgjigjen që kërkonte më shumë: çfarë ndodhi me vajzën e saj?
“Shpesh mendoj nëse ajo e di që fëmijët e saj janë mirë... Besoj se, kudo që të jetë, do ta kishte më të lehtë po ta dinte këtë”, thotë Senada.
Dy nipat, Isaku dhe Muhamedi, janë përshtatur me jetën në Austri.
Sipas Senadës, ata janë mirë në shkollë, kanë shokë dhe jetojnë si bashkëmoshatarët e tyre.
“Pyesin edhe për nënën. Sidomos më i madhi. Njëherë më tha: ‘Pse ne jemi të gjithë në Austri, ndërsa mami është në Siri?’”, rrëfen ajo, por shton se djemtë i kujtojnë gjithnjë e më pak vitet e para të jetës së tyre në Siri.
Senada Selimoviq bisedoi disa herë me Radion Evropa e Lirë. Intervista e fundit u realizua në Sarajevë më 13 korrik, 2026.
Një video e re, një shpresë e re
Bazuar në informacionet që ka mbledhur ndër vite nga persona që kanë qëndruar në Siri, Senada beson se Sabina i mbijetoi plagosjes në Baguzi dhe se u trajtua në spitale nën kontrollin e forcave kurde.
Ajo thotë se burime të ndryshme i kanë treguar se Sabina, më pas, u transferua në disa objekte të ndryshme, kryesisht burgje, ku autoritetet kurde mbanin të ndaluara edhe disa gra që kishin jetuar në territoret e kontrolluara nga Shteti Islamik (ISIL).
Shumica e këtyre grave ndodheshin në kampet Al-Hol dhe Roj, deri para pak kohësh, kur kampi Al-Hol u mbyll.
Por, sipas Senadës, Sabina nuk ishte mes tyre.
Pavarësisht informacioneve të ndryshme dhe shpesh kontradiktore, ajo thotë se nuk ka dyshuar kurrë se vajza e saj ka vdekur.
“Unë e ndiej. Jemi të lidhura dhe e ndiej që është gjallë”, thotë ajo.
Kur pa videon që ia kishin dërguar disa persona, e cila, sipas raportimeve ishte xhiruar në fillim të vitit 2026 në një burg në Raka, Senada thotë se iu përforcua bindja se Sabina është ende gjallë.
“E njoha menjëherë. Ajo është Sabina”, thotë ajo.
Videoja u publikua në janar të vitit 2026 nga disa media dhe në rrjetet sociale, pasi forcat qeveritare siriane morën nën kontroll pjesë të verilindjes së Sirisë, të administruara për vite me radhë nga forcat kurde.
Mes pamjeve të publikuara ishin edhe ato nga një burg në zonën e Rakës, ku shiheshin gra dhe fëmijë duke dalë nga objekti i paraburgimit pas tërheqjes së forcave kurde të sigurisë.
Mediat siriane raportuan se në atë burg mbaheshin persona të akuzuar për lidhje me ISIL-in ose për vepra të tjera penale.
Radio Evropa e Lirë nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur se kur dhe ku është xhiruar videoja.
Për shkak të turmës, lëvizjes së njerëzve dhe cilësisë së dobët të pamjeve, është e vështirë të identifikohen personat që shfaqen në video.
Megjithatë, në një moment, Senada thotë se dëgjohet një grua duke thirrur: “Sabin, Sabin”.
“Në Siri kështu e thërrasin. Është ajo”, thotë Senada.
Ajo shton se nuk e di nëse vajza e saj është transferuar në Irak apo vazhdon të mbahet diku në Siri, qoftë në zonat nën kontrollin kurd, qoftë nga ndonjë grup tjetër.
Ministria e Punëve të Jashtme e Austrisë i tha Radios Evropa e Lirë se e ka shqyrtuar me kujdes videon që po qarkullon në internet, por se, për shkak të cilësisë së dobët, nuk mund të identifikojë me besueshmëri personat që shfaqen në të.
“Për momentin nuk kemi informacione të verifikuara për statusin e zonjës Selimoviq. Ambasadat tona në Siri dhe Irak e kanë ngritur këtë çështje pranë autoriteteve përkatëse për të marrë informacione shtesë. Deri më sot, nuk kemi marrë asnjë informacion të verifikuar nga kolegët tanë në rajon”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austrisë.
SHIKONI EDHE:
Nga Siria në ekran: Si e godet ekstremizmi i dhunshëm Kosovën?“Gjithçka kaloi”
Gjatë gjithë viteve të kërkimit, Senada thotë se ka ndjekur çdo gjurmë që mund ta çonte te vajza e saj.
Disa prej tyre rezultuan të rreme, ndërsa njëra, sipas saj, i kushtoi shumë stres, dhimbje dhe para.
Ajo tregon se, vitin e kaluar, disa persona në Bosnje dhe Hercegovinë, ku qëndron shpesh dhe ku ka edhe shtetësi, i premtuan se do ta ndihmonin për ta kthyer Sabinën nga Siria.
Duke u besuar, ajo pagoi afro 30 mijë euro.
Kur u bë e qartë se kthimi nuk do të ndodhte, e denoncoi rastin në policinë e Sarajevës.
Prokuroria e Kantonit të Sarajevës i konfirmoi Radios Evropa e Lirë se po verifikon pretendimet në kallëzimin e Senadës.
“Rasti është në fazën e verifikimit të pretendimeve të paraqitura në kallëzim. Po ndërmerren veprime për të përcaktuar nëse veprimet e personave të denoncuar përmbajnë elemente të një vepre penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Pavarësisht zhgënjimeve, dyerve të mbyllura, gjurmëve të rreme dhe vështirësive që ka hasur, Senada thotë se nuk do të heqë dorë nga kërkimet.
E pyetur se çfarë do t’i thoshte Sabinës nëse do ta takonte pas gjithë kësaj kohe, ajo përgjigjet:
“Thjesht do ta përqafoja dhe do t’i thosha: Kaloi. Gjithçka kaloi”.