Një shtetas i Kosovës, i kërkuar nga autoritetet amerikane për përfshirje të dyshuar në krime kibernetike, u ekstradua të enjten, më 19 nëntor, nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Policia e Kosovës njoftoi se ekstradimi u realizua nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë e tjera policore dhe institucionet e drejtësisë.
Sipas njoftimit, personi ishte në kërkim në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet amerikane të drejtësisë.
“I dyshuari iu dorëzua njësisë U.S. Marshals të SHBA-së, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’”, bëri të ditur Policia.
Autoritetet kosovare nuk e bënë publik identitetin e të ekstraduarit, moshën e tij apo hollësi për veprat penale për të cilat kërkohet në SHBA.
Radio Evropa e Lirë i kërkoi Policisë së Kosovës informacione shtesë për rastin - përfshirë kohën dhe vendin e arrestimit, akuzat konkrete dhe nëse ekstradimi lidhet me ndonjë operacion të mëhershëm të përbashkët me autoritetet amerikane - dhe është në pritje të përgjigjes.
Ky nuk është rasti i parë i bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe atyre amerikane në luftimin e krimeve kibernetike.
Në korrik të këtij viti, Policia e Kosovës arrestoi një person në rajonin e Prizrenit, nën dyshimin se kishte siguruar në mënyrë të paligjshme të dhëna bankare dhe personale, kryesisht të qytetarëve amerikanë, dhe i kishte publikuar ato në platforma në internet.
Policia tha atëkohë se hetimet ishin zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet amerikane dhe se veprimet e mëtejshme do të koordinoheshin me to.
SHIKONI EDHE:
Identitete për 2 dollarë: Brenda tregjeve ilegale të drejtuara nga BallkaniNë një rast tjetër, shtetasi kosovar, Ardit Kutleshi, i ekstraduar në SHBA gjatë vitit 2025, e pranoi fajësinë në shtator të këtij viti për vepra penale të lidhura me administrimin e platformës Rydox, përmes së cilës shiteshin të dhëna të vjedhura personale dhe mjete për kryerjen e krimeve kibernetike.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, përmes kësaj platforme ishin realizuar mbi 7.600 transaksione, me të ardhura prej së paku 232 mijë dollarësh.
Nuk dihet nëse ekstradimi i 19 nëntorit ka lidhje me ndonjërin prej këtyre rasteve.
Krimet kibernetike janë ndër veprat penale që shpesh kërkojnë bashkëpunim ndërmjet autoriteteve të disa shteteve, për shkak se autorët, viktimat dhe infrastruktura e përdorur mund të gjenden në vende të ndryshme.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 18 nëntor, shefi i hetimeve të krimeve kibernetike në Policinë e Kosovës, Fadil Abdyli, tha se hetimi i mashtrimeve online mund të kërkojë bashkëpunim me bankat dhe policitë e shteteve të tjera.
Sipas tij, autori mund të ndodhet në një shtet, viktima në një tjetër dhe infrastruktura e përdorur për mashtrim në një shtet të tretë.
Përfshirja e autoriteteve të huaja mund t’i zgjasë hetimet, pasi, siç tha Abdyli, “nuk është një punë që mund të kryhet menjëherë”.
Ai tha se Policia e Kosovës ka ekipe për hetimin e krimeve kibernetike në nivel qendror dhe rajonal, si dhe bashkëpunon me institucione vendore e ndërkombëtare për trajtimin e këtyre rasteve.
SHIKONI EDHE:
Nga mesazhet mashtruese te hetimi: Si i heton Policia mashtrimet online?Në njoftimin e 19 nëntorit, Policia e Kosovës tha se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të parandalimit dhe hetimit të krimit, si dhe gjurmimit dhe arrestimit të personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.