Ndërlidhjet

Marrëveshja e re për ekstradim, pasqyron realitetin e ri 


Fotografi Ilustruese
Fotografi Ilustruese

Marrëveshja për ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka hyrë në fuqi.

Kjo marrëveshje e ka zëvendësuar dhe modernizuar marrëveshjen e vitit 1901 ndërmjet SHBA-së dhe Mbretërisë së Serbisë dhe që ishte e zbatueshme edhe në rastin e Kosovës, si shtet trashëgues i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, thekson që Marrëveshja për ekstradim do t’u mundësojë të dy palëve që edhe më tej të forcojnë sigurinë bilaterale dhe rajonale, me mjete të reja për luftë kundër kriminalitetit.

“Kjo e zëvendëson marrëveshjen që ishte më se njëqind vjet e vjetër, dhe kjo e reja tash pasqyron realitetet e shekullit 21 duke zëvendësuar një listë të vjetruar të veprave të ekstradueshme dhe duke mundësuar ekstradimin për vepra si shpëlarja e parave, krimet kibernetike, dhe krimet tjera moderne”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Lidhur me atë se a ka ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së kërkesa për ekstradim, në Ministrinë e Drejtësisë për Radion Evropa e Lirë thonë se kjo çështje është konfidenciale dhe se për këtë duhet kontaktuar gjykatat e të dy shteteve.

Megjithatë, ndërkohë, mësohet se aktualisht nuk ka kërkesa të tilla.

Kosova, në vitin 2010, pati refuzuar një kërkesë të SHBA-së,për ekstradim.

Radio Evropa e Lirë, megjithatë, në mars të vitit 2016 ka raportuar që ishin tre persona që jetojnë në Kosovë dhe të cilët kërkohen nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI). Ata mund të ekstradohen pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për ekstradim.

​Marrëveshja për ekstradim është nënshkruar në vitin 2016. Ndërkohë, marrëveshja është miratuar në Senatin amerikan, ndërkaq që javën e kaluar, nënshkrimi i protokollit të instrumenteve për Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet ndihmësit të zëvendëssekretarit amerikan të shtetit, Matthew Palmer, dhe ministrit të Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, ka shënuar hyrjen në fuqi të marrëveshjes. Kjo është vërtetuar edhe me letrën që e ka nënshkruar presidenti amerikan, Donald Trump, e cila, të martën, u është dorëzuar autoriteteve të Kosovës.

“Kjo marrëveshje shënon një akt historik në marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, si dhe është garanci që sundimi i ligjit nuk ka alternativë dhe që lufta kundër krimit do të shkojë deri në fund”, ka deklaruar ministri i Drejtësisë, Tahiri.

Me këtë marrëveshje, të dyja palët janë pajtuar për ekstradim të personave për shkak të ndjekjes penale dhe zbatimin e dënimit të shqiptuar, për të cilin mund të kërkohet ekstradimi. Marrëveshja është e zbatueshme për veprat penale të kryera para dhe pas datës së hyrjes në fuqi.

Në letrën e dërguar Senatit amerikan nga presidenti i atëhershëm amerikan, Barak Obama, thuhet që marrëveshja me Kosovën është e ngjashme me marrëveshjet tjera për ekstradim, të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë me vendet tjera, por që në rastin konkret, lista me veprat penale të vjetruara, për të cilat është e i mundur ekstradimi, është zëvendësuar me qasjen moderne “vepër e dyfishtë penale”.

Kjo nënkupton që ekstradimi i personave mund të miratohet në rast se vepra penale e kryer është dënueshme sipas ligjeve të dy shteteve dhe për të cilat parashihet dënimi me burg prej më shumë se 1 vit. Në mesin e këtyre veprave, ndër të tjera, janë edhe pastrimi i parave, krimi kibernetik, ndërkaq që raste për ekstradim do të jenë edhe tentimi, komploti ose pjesëmarrja në kryerjen e veprës penale.

Marrëveshja, gjithashtu, trajton edhe çështjen e juridiksionit territorial.

Në qoftë se vepra penale është kryer jashtë territorit të shtetit, i cili kërkon ekstradimin, kjo do të miratohet në qoftë se ligjet e vendit, ndaj të cilit bëhet lutja, parashikojnë dënimin për veprat penale të kryera jashtë territorit të saj. Në qoftë se kjo nuk parashikohet me ligje, atëherë vendi ka të drejtë për diskrecion me rastin e vendimit. Gjithashtu, kërkesat për ekstradim nuk do të refuzohen në rast se ato bazohen vetëm në atë që vendi i kryerjes së krimit është shteti, të cilit i bëhet lutja.

Siç thuhet në analizën e marrëveshjes, e publikuar në faqen e internetit të Kongresit amerikan, këtë rregullore e ka propozuar ekipi negociues amerikan, në mënyrë që të përmbushen ligjet e Kosovës, të cilat parashikojnë ekstradimin për vepra të kundërvajtjes, të cilat janë kryer vetëm në territorin e Kosovës.

“Kosova, më herët, ka refuzuar të miratojë ekstradimin në SHBA, bazuar në marrëveshjen e mëhershme ekzistuese”, thuhet në analizë.

Përndryshe, në vitin 2010, Kosova pati refuzuar që të ekstradojë Bajram Asllanin nga Mitrovica, i cili nga autoritetet amerikane ka qenë i dyshuar se ka kryer veprën penale “ofrim i mbështetjes materiale për terroristët”,bazuar në Kushtetutën e SHBA-së, si dhe “komplot për të vrarë, paaftësuar ose lënduar personat apo të shkaktohet dëm ndaj pronës në shtet të huaj”.

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka refuzuar rastin për disa baza. Para së gjithash, e ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e Marrëveshjes për ekstradim të vitit 1901, qëgjithashtu ka pamundësuar ekstradimin e qytetarëve të vet. Po ashtu, “ofrimi i mbështetjes materiale për terroristët” nuk ka qenë i cekur në atë marrëveshje si vepër penale. Kodi Penal i Kosovës gjithashtu, parasheh që banori i Kosovës mund të transferohet në juridiksion të huaj, në qoftë se vepra për të cilën është bërë kërkesa për ekstradim, nuk është kryer në Kosovë.

Në këtë rast, Asllani dyshohet se është pajtuar me H.S. që të përkthejë nga gjuha angleze në gjuhën shqipe videokasetat e prodhuara në Kosovë, me tematikë terroriste, të cilat përshkruajnë një vetëvrasës me bombë, i cili sulmon varganin e automjeteve të SHBA-së.

Byroja Federale e Hetimeve, që nga viti 2010, në faqen e saj të internetit “kërkon informacione’ për Bajram Asllanin, duke theksuar se është bashkëpunëtor i grupit tetë anëtarësh nga Karolina Veriore në SHBA, i cili ka planifikuar nisjen e xhihadit të dhunshëm. Anëtarët e këtij grupi janë arrestuar në vitin 2009, për shkak të dyshimit për planifikim të sulmit mbi forcat bregdetare amerikane në Kvantik, në shtetin Virgjinia, si dhe dyshimin për planifikim të lëndimit të njerëzve në Kosovë, në Jordani dhe në Rripin e Gazës.

Asllani nga Mitrovica, në vitin 2010, pasi që është refuzuar ekstradimi, pati thënë për Radion Evropa e Lirë se është i gatshëm që të ballafaqohet me çfarëdo akuze që ngarkohet dhe se nuk ka bërë asnjë krim e as nuk ka dalë ndonjëherë nga Kosova. Por, tash, ai nuk ka dashur që të japë kurrfarë deklarate , duke theksuar se mediat i kanë shkaktuar “pasoja të mëdha për diçka që nuk e ka bërë”.

*Video nga arkivi: Bajram Asllani

Bajram Asllani
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Gjithashtu, me marrëveshjen e re refuzohet mundësia për ekstradim për “vepër penale politike” ose në rast se shteti nga i cili kërkohet ekstradimi, konstaton që kërkesa është e motivuar politikisht.

Megjithatë, në domenin e “veprave penale politike” nuk bien vrasjet, vrasjet pa dashje, kidnapimet, shkaktimi i lëndimeve të rënda trupore, sulmi me qëllim të shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore, përdorimi ose kërcënimi për përdorim të materialit shpërthyes apo tëpajisjeve shkatërruese, të cilat mund të rrezikojnë jetën ose të shkaktojnë dëme pronësore; ose komploti apo tentimi për të kryer cilëndo prej këtyre veprave penale, ndihma ose shtytja e personit tjetër që të kryejë ose të tentojë të kryejë vepër të tillë penale.

Marrëveshja, gjithashtu, përmban rregulloren që ka të bëjë me dënimin me vdekje. Në rast se në vendin, i cili kërkon ekstradimin e personit për vepër penale, ekziston dënimi me vdekje për atë vepër, atëherë është e mundur që vendi, nga i cili kërkohet ekstradimi, të refuzojë këtë ekstradim, përveç nëse merr garanci që personi nuk do të ekzekutohet. Në Kosovë, për dallim nga SHB-ja, nuk ekziston dënimi me vdekje.

Ekstradimi, gjithashtu, mund të refuzohet në qoftë se personi, paraprakisht, ka qenë i dënuar ose i liruar nga vepra penale, për të cilën kërkohet ekstradimi.

Kërkesa për ekstradim, e cila bëhet përmes kanaleve diplomatike, duhet të jetë e mbështetur me informacione dhe dëshmi, të cilat ofrojnë bazë të arsyeshme që personi i kërkuar ka kryer vepër penale.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG