5 pyetje është podkast i Radios Evropa e Lirë, ku një temë sqarohet me ndihmën e profesionistëve dhe ekspertëve, përmes përgjigjeve që kapin thelbin. Nga shëndeti e ekonomia, deri te politika dhe ligji, çdo episod sjell bisedë të qartë, verifikim faktesh dhe sqarime të nevojshme.
Në një mbledhje të mbajtur më 6 tetor, Qeveria e Kosovës miratoi ndarjen e 15 milionë eurove për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm, për periudhën 2026–2027.
Por, programe të tilla që ndihmojnë familjet në pagesën e faturave, sipas ekspertes së energjisë, Zanfina Kabashi, nuk mjaftojnë për ta zgjidhur varfërinë energjetike.
Në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë, Kabashi thotë se koncepti i varfërisë energjetike nuk lidhet vetëm me papërballueshmërinë e faturës së rrymës.
Ajo thotë se mungesa e shërbimeve si ngrohja e shtëpisë gjatë dimrit e ftohja gjatë verës, uji i ngrohtë, ndriçimi dhe rryma për nevoja amvisërie, e përbëjnë konceptin e varfërisë energjetike.
▶️ Shiko podkastin:
🎧 Dëgjo podkastin:
Your browser doesn’t support HTML5
Si të jetojmë në shtëpi më të ngrohta me fatura më të ulëta?
“Në këtë formë, varfëria energjetike definohet si mungesë e qasjes në energji të mjaftueshme, për t’i siguruar këto shërbime që të duhen për të jetuar”, shprehet Kabashi.
Ajo sqaron se varfëria ekonomike dhe ajo energjetike nuk janë e njëjta gjë.
Në skemat e subvencionimit të faturave, deri më tani, kriteri kryesor ka qenë gjendja ekonomike e familjeve, dhe aftësia e tyre për t’i përballuar shpenzimet.
Megjithatë, sipas Kabashit, kjo nuk e tregon domosdoshmërisht shkallën e varfërisë energjetike, pasi nuk mat drejtpërdrejt kushtet e banimit, humbjet e energjisë apo mundësinë për ta ngrohur tërë hapësirën e shtëpisë.
“Një familje, e cila mund t’i ketë të ardhurat relativisht të ulëta, mirëpo jeton në një shtëpi e cila është e izoluar mirë, dhe nuk ka kosto të larta të energjisë elektrike, mund të jetë e varfër ekonomikisht, por nuk do të thotë që është e varfër në aspektin energjetik”, shpjegon ajo.
Në anën tjetër, edhe familjet me të ardhura që mund të duken të mjaftueshme, mund të përballen me varfëri energjetike, nëse jetojnë në shtëpi me izolim të dobët ose nuk kanë qasje në burime të përshtatshme të energjisë.
“Subvencionet, zgjidhje e përkohshme”
Kabashi e krahason subvencionimin me një ndihmë që e lehtëson gjendjen për një periudhë të caktuar, por nuk i jep zgjidhje afatgjate konsumatorëve në varfëri energjetike.
“Është mbrojtje e njëhershme. Subvencionet janë të nevojshme, sepse ti, nëse sot e ke problem [pagesën e faturës], dhe muajin tjetër shkyçesh, ti duhet ta paguash atë faturë”, thotë ajo.
Për këtë arsye, Kabashi vlerëson se programet e subvencionimit duhet të lidhen me masa të tjera, të cilat synojnë përmirësimin e kushteve të banimit dhe rritjen e efikasitetit energjetik.
Sipas Kabashit, zgjidhjet më të qëndrueshme kërkojnë investime në izolimin e shtëpive, ndërrimin e dritareve dhe kulmeve, si dhe instalimin e paneleve diellore, pompave termike dhe teknologjive të tjera efikase.
Ajo vlerëson se këto masa mund ta ulin sasinë e energjisë që i nevojitet një familjeje për ngrohje dhe shërbime të tjera, duke ndikuar edhe në uljen e faturave.
Podkastin mund ta dëgjoni edhe në Apple Podcasts dhe në Spotify.