Sky ECC - nga strehë e krimit në armë të hetuesve

5 pyetje është podkast i Radios Evropa e Lirë, ku një temë sqarohet me ndihmën e profesionistëve dhe ekspertëve, përmes përgjigjeve që kapin thelbin. Nga shëndeti e ekonomia, deri te politika dhe ligji, çdo episod sjell bisedë të qartë, verifikim faktesh dhe sqarime të nevojshme.

Dekodimi i disa mesazheve në aplikacionin Sky ECC shërbeu si pikënisje për një hetim të autoriteteve të Kosovës dhe të Europolit, që rezultoi me arrestimin e pesë personave më 9 qershor në Kosovë, si të dyshuar për pjesëmarrje në një rrjet të trafikimit të drogës.

Sipas Valdet Hoxhës, ekspert i sigurisë dhe ish-drejtor i Departamentit të Hetimeve në Inspektoratin Policor të Kosovës, tanimë kur teknologjia ka ndryshuar mënyrën e komunikimit dhe organizimit të krimit, institucionet e sigurisë po përballen me sfida gjithnjë e më komplekse në luftën kundër krimit të organizuar.

Hoxha pohon se zhvillimet teknologjike kanë ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si veprojnë grupet kriminale, dhe në aftësinë e shtetit për t’i zbuluar ato.

“Derisa në të kaluarën ka pasur një rrjet të organizuar, me një kupolë në krye, ku në mënyrë mekanike janë dhënë urdhrat dhe është ditur, të themi, thjesht kush është bosi, tashmë krimi i organizuar, veçanërisht ai transnacional, operon në bazë të celulave të ndryshme, që nuk është e habitshme në qoftë se nuk e njohin njëra-tjetrën”, thotë Hoxha në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë.

▶️ Shiko podkastin:

🎧 Dëgjo podkastin:

Your browser doesn’t support HTML5

Sky ECC - nga strehë e krimit në armë të hetuesve

Kjo formë e re organizimi, sipas tij, e bën më të vështirë depërtimin e agjencive të sigurisë, pasi grupet shpesh nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta mes vete, dhe funksionojnë në mënyrë të izoluar për arsye sigurie.

Hoxha thotë se platformat e enkriptuara, si Sky ECC, fillimisht u kanë dhënë grupeve kriminale një ndjesi të rreme sigurie në komunikim, duke “menduar që janë shumë të sigurta, prandaj edhe kanë dhënë material të mjaftueshëm” për veprimtaritë e tyre.

Kjo, shton ai, ka mundësuar depërtimin e institucioneve dhe goditjen e rrjeteve kriminale në nivel ndërkombëtar.

Hoxha sqaron se mesazhet e dekriptuara nuk mund të shërbejnë si bazë e vetme për vendime gjyqësore.

“Këto janë indicie që orientojnë hetimin… por nuk mund të jenë prova të vetme”, shprehet ai.

Sipas tij, ato duhet të shoqërohen me prova të tjera materiale dhe rrethanore, për të ndërtuar një rast të qëndrueshëm.

Podkastin mund ta dëgjoni edhe në Apple Podcasts dhe në Spotify.

Autore: Flaka Zogu | Realizimi teknik: Rrahman Osmani, Mahir Elshani | Producent: Trim Haliti