Sulmet ruse ndaj sistemit energjetik në rajonin lindor ukrainas të Dnipropetrovskut kanë lënë pa rrymë 600.000 persona, teksa fushata e Kremlinit ndaj caqeve energjetike të Ukrainës vazhdoi më 8 nëntor.
Kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Hanzha, tha se spitalet janë detyruar që të operojnë me gjeneratorë me naftë, ndërkaq transporti publik që funksionon me energji elektrike në Dnipro është ndërprerë plotësisht.
“Punonjësit e kompanisë së energjisë elektrike tashmë po punojnë për të rikthyer furnizimin me energji. Përpjekjet e tyre po pengohen nga bombardimet e vazhdueshme ruse”, shkroi ai në rrjetet sociale.
Sulmet ndodhën një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Rusinë se po përpiqet të ushtrojë presion maksimal përpara bisedimeve trepalëshe në Abu Dabi që do të mbahen në ditët në vijim, duke e zhytur “të gjithë vendin në errësirë”.
SHIKONI EDHE:
SHBA-ja paraqet plan për sigurinë evropiane në prag të bisedimeve për UkrainënMë 8 nëntor, Zelensky tha se ka “ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike në mbarë vendin. Vetëm në rajonin e Zhitomirit, 140 ndërtesa banimi mbetën pa ngrohje pas një sulmi rus”.
Rusia nisi intensifikimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës në fund të shtatorit. Moska e ka shënjestruar këtë sektor çdo dimër që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Në tetor, Radio Evropa e Lirë siguroi nga forcat e armatosura ukrainase një dokument të detajuar rus, i cili paraqet planin për fushatën e sulmeve të këtij viti, që kanë për shënjestër prodhimin dhe furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, sistemet e kanalizimit dhe ngrohjen.
SHIKONI EDHE:
Dimri i egër në horizont: Ukrainasit përgatiten për më të keqenForcat e armatosura ukrainase njoftuan më 8 nëntor se Rusia ka kryer sulme gjatë natës me tre raketa tokë-ajër të llojit Kh-59/69, që u lëshuan nga Deti i Azovit, si dhe me 164 dronë sulmues, 112 prej të cilëve me motor reaktiv.
Sipas ushtrisë ukrainase, 137 dronë u penguan. Megjithatë, një sulm me dron ndaj një shtëpie private në një periferi të Dnipros shkaktoi zjarr, ndërsa një tjetër sulm në këtë qytet vrau një civil dhe plagosi një tjetër, njoftuan autoritetet ukrainase.
Katër persona u plagosën në rajonin e Poltavës si pasojë e sulmeve ruse.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se kagoditur një nënstacion elektrik “që furnizon me energji elektrike ndërmarrjet e industrisë së mbrojtjes të Ukrainës”, si dhe një anije kontejner në Detin e Zi, e cila po “transportonte armë”.
Autoritetet në rajonin rus të Kurskut, që gjendet në kufi me Ukrainën, thanë se një 40-vjeçar u vra pasi traktori me të cilin po udhëtonte u godit në një sulm me dron.
Pretendimet lidhur me zhvillimet në fushëbetejë nuk mundën që të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.