Sulmet ruse me dronë dhe raketa vrasin 17 persona në Ukrainë

Policë dhe pjesëtarë të sigurimit pranë një magazine supermarketi të goditur nga një raketë ruse në Kiev, më 5 gusht.

Sulmet ruse gjatë natës me dronë dhe raketa balistike vranë të paktën 17 persona në Kiev dhe rajonin përreth. Ukraina paralajmëroi për mungesë kritike të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe u bëri thirrje aleatëve të përshpejtojnë dërgesat e raketave për sistemet Patriot dhe të armëve të tjera urgjentisht të nevojshme, përballë intensifikimit të sulmeve ruse.

Alarmi për sulme ajrore në rajon vazhdon të jetë në fuqi, njoftoi të mërkurën shërbimi i emergjencave, duke shtuar se ekipet e shpëtimit po vazhdojnë operacionet në kushte rreziku të shtuar, për shkak të mundësisë së sulmeve të tjera.

“Rusia ka sjellë përsëri vdekje dhe shkatërrim në tokën tonë, duke ua marrë jetën civilëve”, shkroi në Telegram kreu i Administratës Rajonale të Kievit, Tymur Tkachenko.

SHIKONI EDHE:

Rusia godet Kievin me raketa balistike teksa Ukraina e pret vendimin e SHBA-së për raketat Patriot

Ai tha se numri më i madh i viktimave u regjistrua në rajonin e Brovarit, ku u vranë nëntë persona. Në rajonin e Buças u vranë edhe katër civilë, ndërsa një person tjetër humbi jetën në rajonin e Fastivit.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se nga sulmi në kryeqytet u plagosën të paktën 44 persona dhe u vra një person.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia e sulmoi vendin me 24 raketa balistike, katër raketa hipersonike dhe 115 dronë. Objektivi kryesor ishte rajoni i Kievit.

Sulmi po vazhdon, ndërsa disa dronë rusë ndodhen ende në hapësirën ajrore të Ukrainës, thanë Forcat Ajrore.

SHIKONI EDHE:

“Putin është bandit”: Senatori Scott thotë se Kongresi amerikan duhet ta mbajë Rusinë përgjegjëse

Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë publikoi pamje që tregojnë pasojat e sulmit rus gjatë natës në një vend në rajonin e Brovarit, në rajonin e Kievit.

“Raketat për interceptimin e raketave balistike mund t’ua kishin shpëtuar jetën atyre që u vranë sot”, shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në platformën X pas sulmit.

“Është shumë e rëndësishme që partnerët tanë ta kuptojnë se vonesat në furnizimin me këto raketa, ose mosgatishmëria për të ofruar sisteme kundër raketave balistike, çojnë drejtpërdrejt në viktima dhe shkatërrime të tilla të tmerrshme”, shtoi ai.

Sipas ushtrisë ukrainase, mbrojtja ajrore rrëzoi ose neutralizoi 98 dronë rusë, por nuk arriti të interceptonte asnjërën prej raketave të lëshuara më 5 gusht.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi sulmin ndaj Kievit dhe rajonit përreth, duke thënë se kishte shënjestruar qendra transporti, logjistike dhe shpërndarjeje me armë precize dhe dronë me rreze të gjatë veprimi.

Moska i ka intensifikuar sulmet me raketa ndaj Ukrainës, në një kohë kur vendi po përballet me mungesë të madhe të sistemeve të mbrojtjes ajrore të afta për të shkatërruar raketat balistike me shpejtësi të lartë.