Efektet e sulmeve ukrainase në Krime: Pa naftë, pa rrymë, pa turistë

Plazhet e Feodosias në Krime. Korrik 2026.

Dronët ukrainas kanë goditur pothuajse të gjitha urat në Krime dhe kanë ndërmarrë sulme të befasishme ndaj anijeve në ditët e fundit, duke e shkëputur këtë gadishull ukrainas, të okupuar nga rusët, nga furnizimet me karburante dhe duke e goditur industrinë e turizmit në pikë të verës.

Fushata e pandërprerë vazhdoi edhe më 11 korrik, pasi Ukraina sulmoi katër anije në gjirin Taganrog në Detin Azov, thanë autoritetet ruse.

Komandanti i njësiteve ukrainase të dronëve, Robert Brovdi, ka deklaruar se janë kryer rreth 50 sulme brenda pesë ditësh. Këto shifra nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, por duket se mund të mbështeten te kriza me karburante që ka mbërthyer Krimenë.

“Karburanti është bërë gjithnjë e më i rrallë. Praktikisht nuk ka mbetur fare. Dikur shitej fshehurazi”, tha Oleksandr Liev, ministër i Turizmit në qeverinë autonome të Krimesë, që ka ekzistuar para se Rusia ta aneksonte rajonin në vitin 2014.

“Nganjëherë në pikat e karburantit shfaqej ndonjë sasi... ndonjëherë me çmime marramendëse. Gjatë ditës së djeshme nuk është shfaqur askund, madje as me çmime të tilla. Edhe shitjet në fshehtësi po bëhen gjithnjë e më të rralla”, tha ai për Current Time më 10 korrik.

*Video: Si po i sfidon Ukraina autoritetet ruse në Krime?

Your browser doesn’t support HTML5

Krimeja në lak, autoritetet ruse në zor: Si (dhe pse) po i sfidon Ukraina?

Turistët kërkojnë evakuim

Kriza me karburante është shfaqur, në shkallë të ndryshme, edhe në rajone të tjera të Rusisë ku janë vendosur kufizime pas sulmeve ukrainase ndaj rafinerive të naftës.

Banorët në gjithë gadishullin po ankohen jo vetëm për mungesën e benzinës, por edhe për ndërprerje të energjisë elektrike, ndërprerje të komunikimeve dhe madje për mungesë të ushqimit dhe uji.

Turistët po kërkojnë ndihmë për t’u evakuuar nga Krimeja, e cila tradicionalisht ka qenë një destinacion i preferuar veror për rusët.

Trenat po vazhdojnë të qarkullojnë mbi urën – ku kalojnë trenat dhe makinat – miliardëshe mbi Ngushticën e Kërçit, në lindje të gadishullit. Por, disa turistë kanë shkuar në gadishull me vetura dhe tani nuk kanë mjaftueshëm benzinë për t’u larguar.

*Video: Rusia përballet me mungesë të karburanteve

Your browser doesn’t support HTML5

Përleshje fizike në pompat e derivateve në Rusi mes krizës me karburante

Kriza është përkeqësuar që disa javë. Në fillim të qershorit, një sulm me dronë ndaj një treni detyroi Rusinë që të pezullonte përkohësisht trafikun hekurudhor mbi urë. Pak më vonë, teksa mungesa me karburante u përkeqësua dhe sulmet u shtuan, një blogere ruse u bëri thirrje pushuesve që të mos udhëtonin drejt Krimesë.

“Nuk mund të shkoni tani në Krime, përveç rasteve kur është absolutisht e domosdoshme. As unë nuk do të shkoj, edhe pse duhet. Nuk ka benzinë – nuk ka fare, miq. Jo vetëm kaq, por edhe rruga tokësore është e mbyllur. Është bombarduar dhe po sulmohen edhe kamionët cisternë”, shkroi ajo duke shtuar se babai i saj jeton në Krimenë e okupuar.

Plazhe bosh

Javën që shkoi, një video-bloger nga Krimejaa publikoi pamje nga një plazh pothuajse i zbrazët në Feodosia.

“Është krejt bosh. Doja t’ju tregoja më shumë njerëz, por për fat të keq nuk ka. Me sa duket, nuk do të shohim asnjë pushues këtu”, tha ai.

Liev, ish-ministri, tha për Curent Time se ofertat e lira të hoteleve po tërheqin vetëm banorë vendas nga pjesë të ndryshme të Krimesë.

“Vetëm sot një menaxher hoteli në Jaltë më tha se kanë filluar të pranojnë rezervime nga banorët e Krimesë. Disa prej tyre, që kanë para, po arrijnë të bëjnë pushime këtë verë. Kjo është gjë rrallë për banorët e Krimesë”, tha ai.

Rusët, që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Krimesë, përballen me kontrolle sigurie, përfshirë intervista me autoritetet.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar aneksimin e Krimesë si një nga arritjet më të mëdha të sundimit të tij. Në vitin 2014, ai tha se gadishulli ka një “domethënie të shenjtë” për Rusinë, duke e krahasuar me Malin e Tempullit në Jerusalem.

Banorët tani po paguajnë çmim të lartë për okupimin rus.

“Sot është 6 korrik. U zgjova pa energji elektrike, ashtu si të gjithë në Sudak dhe Novi Svet. Thonë se kështu është në gjithë Krimenë”, shkroi një banore.

“Nuk kishte rrymë, sinjal apo internet. Mund të bëja telefonata dhe të dërgoja mesazhe, por interneti mobil praktikisht nuk funksiononte – vetëm më vinin njoftime, por nuk mund të hyja në asnjë aplikacion të mesazheve”, tha ajo.

Tatyana, një blogere nga qyteti bregdetar Çornomorsk, që gjendet afër skajit perëndimor të Krimesë, ka dokumentuar përjetime të ngjashme, duke treguar se e mbush telefonin me rrymë në një pikë mbushëse në një park ku autoritetet lokale kanë vendosur një gjenerator.

“Gjatë katër ditëve e gjysmë patëm vetëm pesë orë rrymë”, tha ajo në një video të publikuar së voni. “Burri im sjell ujë me kova nga hidranti”.

Tatyana, u ka kërkuar edhe ndjekësve mbështetje financiare për të blerë një gjenerator.

Televizioni lokal u ka bërë thirrje banorëve të përdorin “qendrat e ndihmës”, ku mund të mbushin telefonat, të përdorin linja fikse ose të ruajnë ilaçet në frigorifer.

“A ke nevojë të bësh një telefonatë urgjente apo të përfundosh një bisedë në një aplikacion mesazhesh? Mund ta mbushësh celularin mobil apo të përdorësh telefon tokësor në qendrën e qytetit për ndihmë të banorëve”, thuhet në një mesazh promocional.

Krimeja në terr të plotë teksa dronët ukrainas godasin rrjetin energjetik

Këto qendra kujtojnë “pikat e rezistencës” që u ngritën në Ukrainë, kur ukrainasit u strehuan gjatë dimirit gjatë sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike.

Në verë, megjithatë, në Krime është moti më i favorshëm, por as pajisjet për ftohje të ajrit nuk po punojnë.

Çmimet e ushqimeve fluturojnë

Kriza e energjisë ka goditur rëndë bizneset e vogla.

“Disa dyqane nuk janë hapur fare, ndërsa të tjerat pranojnë, por vetëm para në dorë. Edhe posta nuk është hapur sot”, tha një bloger nga Jalta.

Dyqanet më të mëdha, sikurse supermarketet, janë të hapura, por çmimet janë rritur shumë.

“Qumështi pa laktozë Parmalat kushtonte 179 rubla [2.30 dollarë], tani kushton 307”, tha një banore në një video të regjistruar teksa po vizitonte një dyqan javën që shkoi.

“Tek arka çmimet ishin edhe më të larta sesa në rafte. Kudo ka njoftime se mallrave po ju ndryshohet çmimi dhe se çmimi përfundimtar është ai në arkë”.

Ekspertët thonë se problemet logjistike janë arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve të ushqimeve. Përveç mungesës së karburantit, shumë shoferë kanë frikë të udhëtojnë drejt Krimesë për shkak të frikës se mund të jenë cak i sulmeve me dronë.

Brovdi, komandanti ukrainas, ka deklaruar se kamionët që transportojnë karburant janë caqe legjitime ushtarake dhe ka publikuar pamje të sulmeve me dronë ndaj kamionëve rusë.

Autoritetet okupuese ruse kanë premtuar javën e kaluar se problemet me furnizimet do të zgjidhen brenda dy javësh dhe se çmimet e benzinës do të bien, por nuk kanë shpjeguar se si do të arrihet kjo.

Përgatiti: Mimoza Sadiku