Gjykata Themelore në Prishtinë do të shpallë në pasditen e së premtes aktgjykimin në rastin Banjska ndaj Bllagoje Spasojeviqit, Vlladimir Tolliqit dhe Dushan Maksimoviqit, të akuzuar për sulmin e armatosur në komunën e Zveçanit, më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kosova e ka karakterizuar sulmin si akt terrorizmi dhe e ka akuzuar Serbinë për përfshirje - por Beogradi i ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve në Prishtinë.
Tre të akuzuarit janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.
Gjykata vendosi ta veçonte procedurën penale ndaj Spasojeviqit, Tolliqit dhe Maksimoviqit, të cilët ndodhen në paraburgim nga shtatori i 2023-tës, kurse për 42 të tjerë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për gjykim në mungesë.
Për çka akuzohen të dyshuarit?
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit dyshohet se, përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, kishin tentuar ta shkëpusnin pjesën veriore të Kosovës, për t’ia bashkuar Serbisë, me ç’rast ishte vrarë polici Bunjaku, ishte plagosur nga armë zjarri polici tjetër Alban Rashiti, ndërsa ishin lënduar policët Çlirim Sahiti, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi, por ishte rrezikuar edhe jeta e policëve të tjerë dhe e popullatës civile.
Për këto veprime, të njëjtit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
I akuzuari si udhëheqës i të dyshuarve për sulmin në Banjskë, Radoiçiq, dyshohet se nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura përmes një grupi të strukturuar, për t’i përdorur për armatim, logjistikë dhe financim të pjesëtarëve, me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Për këto veprime të dyshuara, ai akuzohet për lehtësim dhe financim të terrorizmit.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, dyshohet se, me ndihmën e njërit nga të akuzuarit, Radulle Steviq, si dhe bizneseve të tij, Radoiçiq ka konvertuar të ardhura nga aktiviteti kriminal në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, duke i transferuar edhe te persona të tretë, për të fshehur origjinën e tyre. Për këtë pjesë, ai akuzohet për shpëlarje parash.
SHIKONI EDHE:
Aktakuza për Banjskën: Si e ndihmuan Steviq dhe kompania e tij Radoiçiqin?Çka deklaruan në gjyq Spasojeviq, Tolliq dhe Maksimoviq?
Në shqyrtimin gjyqësor ndaj tyre, që nisi më 17 prill të vitit 2025, tre të pandehurit, Spasojeviq, Tolliq dhe Maksimoviq mohuan akuzat të cilat iu ngarkuan.
SHIKONI EDHE:
Rasti Banjska: Tre të akuzuar nuk e pranojnë fajësinëSpasojeviq, gjatë gjykimit, deklaroi se nuk kishte sulmuar askënd me eksplozivë apo me armatim të rëndë, dhe se nuk kishte vrarë apo lënduar njeri. Po ashtu, mohoi se kishte pasur qëllim shkëputjen e veriut të Kosovës dhe bashkimin e tij me Serbinë.
Tolliq pranoi se kishte qenë në Banjskë më 24 shtator, por tha se motivi i pjesëmarrjes së tij nuk ishte ai që përshkruhet në aktakuzë.
Ai deklaroi se nuk kishte qëlluar askënd, dhe se nuk kishte pasur qasje në mjete eksplozive, duke shtuar se nuk mund t’i parashikonte zhvillimet dhe pasojat e ngjarjes, dhe se kishte qenë i plagosur rëndë, për çka kishte marrë trajtim mjekësor në Prishtinë.
Ndërkaq, Maksimoviq, i cili ishte punëtor i hotelit Rajska Banja, deklaroi se ditën e 24 shtatorit ishin mbledhur me shokë në një vikend-shtëpizë, për të pjekur mish në skarë.
Ndonëse në telefonin e tij ishin gjetur video-incizime të sulmit ndaj Policisë dhe të monitorimit të saj, ai kishte thënë se ato nuk i kujtoheshin.
Në fjalët përmbyllëse në gjyqin ndaj tyre, Prokuroria kërkoi dënim me burgim të përjetshëm.
*Video nga arkivi: Dëshmia e dy policëve për atë që ndodhi në Banjskë
Your browser doesn’t support HTML5
Dëshmitë e dy policëve – si ndodhi sulmi në Banjskë?
Çka ndodhi në Banjskë?
Sipas aktakuzës dhe dëshmive të kolegëve të zyrtarit të vrarë policor, Bunjaku:
- Rreth orës 2 të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, disa policë të Kosovës, teksa po ktheheshin nga Izvori, vendbanim në Zveçan, për në bazën e tyre policore në Kushtovë, në Mitrovicën e Jugut, kishin vërejtur se dy kamionë me ngarkesa kishin bllokuar urën që të shpie për në fshatin Banjskë.
- Dhoma komanduese nga baza i kishte udhëzuar ata, përmes radiolidhjes, që ta shikonin terrenin dhe të dërgonin fotografi të vendngjarjes, teksa dy njësite me policë ishin nisur për ndihmë.
- Njëzet minuta më vonë, aty kishin mbërritur njësitë policore prej 6 policëve, në mesin e të cilëve edhe Bunjaku. Pas një konsulte të shkurtër, policët ishin shpërndarë në zonën pranë kamionëve për të vëzhguar. Teksa Bunjaku kishte nisur të ecte në drejtim të kamionëve, kishte ndodhur një shpërthim i madh, që policët nuk e kishin kuptuar nga iu erdhi. Në atë moment, polici i Kosovës, Alban Rashiti, kishte kuptuar që ishte plagosur në kraharor.
- Tutje, kishin vazhduar gjuajtje me armë zjarri në drejtim të tyre nga disa pozicione, dhe në anën e tij të majtë, Rashiti kishte vërejtur se rreshteri Bunjaku kishte mbetur i shtrirë në tokë, i gjakosur në qafë dhe fytyrë.
- Polici tjetër, Çlirim Shaqiri, ishte munduar që ta tërhiqte nga vendi i ngjarjes Bunjakun pas plagosjes. Pasi nuk kishte mundur ta tërhiqte, ndërkohë që të shtënat nuk ndaleshin, kishin afruar një veturë të Policisë deri te trupi i Bunjakut, për ta futur brenda, dhe për ta dërguar për ndihmë mjekësore në Mitrovicë të Jugut.
- Policëve, në atë rast, u ishin dërguar përforcime shtesë, përfshirë automjete të blinduara, dhe konfrontimet me grupin që po sulmonte kishin zgjatur disa orë. Gjatë përplasjes së armatosur kishin mbetur të vrarë edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar, pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Banjskës.
*Video nga arkivi: Çfarë ndodhi në Banjskë të Zveçanit
Your browser doesn’t support HTML5
Bilanci i 24 shtatorit - Çfarë ndodhi në Banjskë?
Ç’u bë me Radoiçiqin?
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë e mori vetë Radoiçiq, duke mohuar përfshirjen e autoriteteve shtetërore të Serbisë në këtë rast.
Kosova insiston që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin dhe të akuzuarit e tjerë për Banjskën, në mënyrë që të përballen me drejtësinë. Këtë çështje, Kosova e sheh si kyç për përparim në dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë – proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Radoiçiq u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në tetorin e 2023-tës, dhe u ngarkua me disa vepra penale, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.
SHIKONI EDHE:
Dy vjet pa aktakuzë për Banjskën në Serbi: Radoiçiq me adresë në BeogradKush janë të akuzuarit për sulmin në Banjskë që u panë pranë Presidencës së Serbisë?Megjithatë, një gjykatë në Beograd e liroi atë nga paraburgimi, duke ia konfiskuar dokumentet e identifikimit.
Ndaj tij, Organizata Ndërkombëtare e Policisë – INTERPOL lëshoi fletarrestim në dhjetorin e atij viti.
Serbia paralajmëroi ngritje aktakuze për këtë rast, por deri më tani nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim.
Departamenti amerikan i Shtetit kërkoi që Radoiçiq, të cilin e quajti kriminel, të mbahej përgjegjës për sulmin në Banjskë.
Më shumë se dy vjet pas sulmit në veri të Kosovës, ai mbetet ende i lirë, me adresë të vendbanimit të regjistruar në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.
*Video nga arkivi: Prova të paraqitura nga autoritetet në Kosovë për sulmin në Banjskë
Your browser doesn’t support HTML5
Çka thonë provat e Kosovës për përgatitjet e grupit të Millan Radoiçiqit?
Ndryshe nga Radoiçiq, i cili nuk u shfaq më në publik pasi pranoi organizimin e sulmit në Banjskë, persona të tjerë të përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës u panë verën e 2025-tës në publik.
Ata u shfaqën duke “ruajtur” vendin e punës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë protestave masive antiqeveritare atje.
Teksa të akuzuarit e tjerë nga Kosova për rastin Banjska vazhdojnë të jenë në arrati, më 17 prill 2026 u njoftua se autoritetet kosovare arrestuan një burrë, mbi dyshimet se ishte i përfshirë në sulmin vdekjeprurës.