Takimi i paparalajmëruar mes Kurtit e Abdixhikut për presidentin përfundon pa ndonjë rezultat

Shtatorja e Ibrahim Rugovës, presidentit të parë të Kosovës, që gjendet përballë institucioneve qendrore të Kosovës: Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Një takim i paparalajmëruar mes Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, Lumir Abdixhiku, për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, ka përfunduar pa ndonjë përparim të shtunën vonë.

Kurti, kryeministër në detyrë, dhe Abdixhiku, janë duke zhvilluar bisedime në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që do t’i jepte fund krizës pothuajse dyvjeçare institucionale.

Por, takimi i së shtunës nuk ishte paralajmëruar paraprakisht dhe asnjëri prej liderëve nuk foli për media për bisedimet më të fundit.

Megjithatë, i pyetur nga gazetarët duke dalë nga takimi nëse ishte arritur ndonjë përparim, Kurti tha: “Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për ju”.

Kurti heshti kur u pyet nga gazetarët se çfarë emrash ishin përmendur për president gjatë bisedimeve.

SHIKONI EDHE:

Kurti e Abdixhiku flasin për emra “konkretë” në bisedimet e “vështira” për presidentin e ri të Kosovës

Ky ishte takimi i dytë këtë javë mes tyre, pas atij të mërkurën, pas të cilit të dy liderët thanë se kishin biseduar për emrat e mundshëm për presidentin e ardhshëm, duke i cilësuar negociatat si të "vështira".

“Jemi në një fazë të re, kur po bisedojmë për dhe me emrat konkretë e të përveçëm, të cilët nuk mund të behën publik derisa të ketë pajtueshmëri për ta dhe me ta”, kishte thënë Kurti pas atij takimi.

Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit, Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.

Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit.

Vendi është me ushtruese të detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun, qëkurse Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në prill.

Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.

Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri.

SHIKONI EDHE:

Çfarë nëse Kosova mbetet pa president pas 4 tetorit?

LVV-ja dhe LDK-ja, pas dështimit të bisedimeve për bashkëpunim qeveritar, kanë mbajtur tri takime ku kanë biseduar për një marrëveshje të mundshme për presidentin e ardhshëm, por nuk kanë treguar se kush janë kandidatët e mundshëm.

Çështja e presidentit ishte pika më e nxehtë edhe në bisedimet e dështuara për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së.

Partia e Kurtit i fitoi 53 mandate në zgjedhjet e fundit dhe, së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë, i ka votat e mjaftueshme prej të paktën 61 sosh, për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re.

Megjithatë, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në për çështjen e presidentit, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.