Trump i thotë Kievit t’i ndalë sulmet ndaj naftës ruse, teksa dronët rusë godasin pranë kufirit polak

Presidenti amerikan, Donald Trump, u flet gazetarëve në bordin e avionit "Air Force One" gjatë kthimit në Shtetet e Bashkuara pas një vizite në Irlandë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, që t’i ndalë sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës, në një kohë kur Rusia po i vazhdon sulmet e pandërprera në gjithë Ukrainën, përfshirë pranë kufirit me Poloninë.

“Ka plot shënjestra të tjera. Mos e goditni naftën”, u tha Trump gazetarëve më 13 shtator gjatë vizitës së tij në Irlandë.

“Duhet t’i ndalni goditjet ndaj naftës në Rusi”, tha ai.

Trump e tha këtë një javë pasi të dërguarit e tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, e kishin vizituar Kievin dhe Moskën, në përpjekje për t’i afruar kryeqytetet ndërluftuese drejt një marrëveshjeje të negociuar.

Derisa të gjitha palët i kanë cilësuar bisedimet si “të rëndësishme”, dinamika në vijën e frontit nuk ka ndryshuar.

Rusia vazhdon ta sulmojë Ukrainën dhe ta godasë infrastrukturën civile, logjistike dhe energjetike të saj.

Ndërkohë, Ukraina ka vazhduar të përgjigjet duke goditur me dronë me rreze të gjatë shënjestra energjetike dhe ushtarake brenda Rusisë.

SHIKONI EDHE:

Sulmet e Ukrainës e detyrojnë Rusinë ta përpunojë naftën jashtë vendit

Kievi i ka quajtur këto sulme “sanksione me rreze të gjatë”, sepse synon t’ia kufizojë Moskës fitimin nga energjia dhe ta detyrojë atë të ulet për të biseduar.

Që nga fillimi i verës, sulmet me dronë ukrainas kanë shkaktuar mungesa të karburantit në gjithë Rusinë dhe kanë nxitur pakënaqësi te qytetarët e saj, të cilët ishin shkëputur nga lufta në Ukrainë, që tashmë ka hyrë në vitin e pestë.

Rafineria e naftës e kompanisë ruse Gazprom Neft në Moskë, pranë kryeqytetit rus, u vu në shënjestër të dronëve ukrainas më 18 qershor.

Ukraina paralajmëron se Rusia “po troket në derën e NATO-s”

Derisa përpjekjet e fundit diplomatike nuk kanë sjellë asnjë ulje praktike të tensioneve në fushëbetejë, dy sulme me dronë rusë goditën pranë kufirit polak në orët e para të 13 shtatorit.

Sulmi i parë goditi një pikë karburanti pranë pikëkalimit kufitar Yahodyn, mes Polonisë dhe Ukrainës, në rajonin ukrainas të Volnit. Nuk u raportua për viktima.

Sulmi i dytë, po ashtu në Volin, goditi lokomotivën e një treni pasagjerësh vetëm dy kilometra larg kufirit me Poloninë, njoftoi operatori shtetëror ukrainas i hekurudhave, Ukrzaliznytsia.

Sipas Oleksandr Shevchenkos, zyrtar lokal i transportit, treni po udhëtonte nga Kievi drejt Varshavës.

Zjarrfikësit duke hedhur ujë mbi një vagon treni të dëmtuar nga një sulm me dron pranë kufirit me Poloninë, 13 shtator.

Ukrzaliznytsia tha se një grup që vëzhgon kërcënimet e paralajmëroi paraprakisht ekuipazhin e trenit për sulmin, prandaj nuk pati viktima.

Pamjet video të shpërndara në rrjetet sociale ukrainase treguan njerëz duke ikur nga shpërthimi në stacionin hekurudhor.

Ukrzaliznytsia tha se “ka shumë mundësi” që synimi fillestar i sulmit me dron ishte “treni diplomatik”, i cili transportonte zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë ish-kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Kompania shtoi se ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, ndodhej në një tren tjetër në atë kohë.

Petraeus i tha gazetës New York Times se kishte dëgjuar dronët rusë mbi vete dhe më pas një shpërthim, gjë që çoi në evakuimin e menjëhershëm të pasagjerëve.

“Për ata që nuk janë përballur me zjarr, kjo ishte e tmerrshme... Ky është veprimi i një udhëheqësi vërtet barbar që po përpiqet të terrorizojë civilët ukrainas”, tha Petraeus.

Teksa këto incidente po ndodhnin, alarmet për sulme ajrore u lëshuan në disa zona lindore të Polonisë.

SHIKONI EDHE:

Rusia godet Kievin duke vrarë të paktën 5 njerëz, disa orë pasi të dërguarit amerikanë u larguan nga kryeqyteti ukrainas

Ndonëse nuk pati raportime për shkelje të hapësirës ajrore polake, Jacek Goryszewski, zëdhënës i Komandës Operative të Forcave të Armatosura të Polonisë, tha se “kërcënimi për Poloninë ishte real”.

Në incidente të ndara më 13 shtator, autoritetet rumune raportuan se një dron kishte hyrë në territorin e vendit, ndërsa Lituania u bëri thirrje banorëve të kryeqytetit dhe rajoneve përreth që të kërkonin paraprakisht strehim, pasi lëshoi një alarm për një vëzhgim të mundshëm të një droni.

Aeroporti kryesor i vendit në Vilnius u mbyll dhe avionët e NATO-s u ngritën në ajër. Alarmi u anulua brenda një ore.

“Sulmet barbare të Rusisë në kufirin Ukrainë-Poloni, në Yahodyn, nuk janë thjesht vazhdim i sulmeve të saj ndaj kufijve tanë shtetërorë”, shkroi ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha në X më 13 shtator.

“Ky është terrori i Putinit që po ‘troket’ drejtpërdrejt në dyert e BE-së dhe NATO-s”, tha ai.

Ai u bëri thirrje liderëve evropianë që të “hedhin gjithë peshën” e sanksioneve kundër Rusisë.