Trump thotë se Irani është pajtuar për inspektime të larta bërthamore, me gjithë mohimet

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, më 22 qershor 2026.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka përsëritur pretendimin e tij të martën se Irani është pajtuar ta lejojë nivelin më të lartë të inspektimeve të objekteve të tij bërthamore, dhe se inspektimet do të vazhdojnë për kohë të papërcaktuar.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi të martën se, pavarësisht “protestave iraniane dhe deklaratave të rrejshme, të shoqëruara me propagandën e vazhdueshme të mediave të rreme, të cilat po bëjnë gjithçka të mundur për ta paraqitur fitoren e SHBA-së sa më të vogël dhe të parëndësishme, Irani është pajtuar plotësisht dhe pa asnjë rezervë për nivelin më të lartë të inspektimeve bërthamore për një kohë shumë të gjatë në të ardhmen”.

Sipas Trumpit, kjo marrëveshje do të sjellë “ndershmëri bërthamore”.

“Nëse ata nuk do të ishin pajtuar për këtë, nuk do të kishte negociata të mëtejshme!” shkroi ai.

SHIKONI EDHE:

Irani dhe SHBA-ja shohin përparim drejt paqes

Ky pretendim u bë fillimisht më 22 qershor nga nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili tha se Irani kishte rënë dakord për inspektime të objekteve të tij bërthamore dhe se këto inspektime mund të zhvilloheshin që këtë javë.

Megjithatë, zyrtarët e Republikës Islamike e kanë hedhur poshtë çdo sugjerim se inspektorëve ndërkombëtarë do t’u lejohet qasje në vendet bërthamore të vendit.

Më herët të martën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, tha se Irani nuk e ka plan të lejojë inspektime nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në objektet bërthamore që janë bombarduar.

Që nga vera e vitit 2025, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli bombarduan objektet bërthamore iraniane në Fordo, Natanz dhe Isfahan, Teherani ka pezulluar bashkëpunimin me IAEA-n dhe ka bllokuar qasjen e inspektorëve në këto vende.

Në një pjesë tjetër të postimit të tij në Truth Social, Trump tha se, pas pajtimit të Iranit për inspektimet e IAEA-s dhe “lëshimeve të tjera të rëndësishme”, Teherani u pajtua edhe për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit dhe të mos vendosë bllokadë detare.

SHIKONI EDHE:

Rubio niset drejt Gjirit teksa SHBA-ja synon vulosjen e kornizës me Iranin dhe uljen e shqetësimeve rreth sigurisëVance thotë se është arritur “përparim i mirë” në planin për marrëveshjen finale me Iranin

Megjithatë, ai shtoi se forcat detare amerikane në Lindjen e Mesme do të mbeten në pozicionet e tyre dhe mund ta rivendosin bllokadën, nëse do të jetë e nevojshme, megjithëse tha se një skenar i tillë tani duket “shumë pak i mundshëm”.

Trump deklaroi gjithashtu se asetet e ngrira të Iranit do të vendoseshin në një depozitë nën kontrollin e SHBA-së dhe mund të përdoreshin ekskluzivisht për blerjen e ushqimeve dhe furnizimeve mjekësore nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë misër, grurë dhe sojë nga fermerët amerikanë.

“Këto janë gjëra për të cilat Irani ka nevojë urgjente”, shkroi Trump. “Kjo është një krizë humanitare dhe mendoj se është e nevojshme të ndihmohet, tani, para se të jetë tepër vonë”.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se negociatat me Iranin po “ecin mirë”.