Kryetari i Komisionit parlamentar ukrainas shpjegon pse Ukraina nuk e njeh Kosovën: Krimea, Serbia dhe municioni

Oleksandr Merezhko, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin ukrainas.

Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin ukrainas, Oleksandr Merezhko, thotë se në Ukrainë ka qëndrime të ndryshme për njohjen e Kosovës, por se vendimi përfundimtar i takon presidentit Volodymyr Zelensky.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Shërbimit të Kosovës të Radios Evropa e Lirë, Merezhko deklaron se argumentet kundër njohjes lidhen kryesisht me frikën se Rusia mund ta përdorë Kosovën si precedent për pushtimin e territoreve ukrainase, me mbështetjen e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës dhe, deri diku, me municionin serb që përfundon në Ukrainë.

Megjithatë, ai thotë se personalisht është skeptik ndaj këtyre argumenteve, dhe se njohja e Kosovës nuk do ta shkelte të drejtën ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo çështje mund të rikthehet në agjendën politike të Kievit, pas përfundimit të luftës.

Merezhko është deputet i partisë Shërbëtori i Popullit, forca politike e lidhur me presidentin ukrainas, Zelensky.

Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, Zelensky tha se shteti i tij s’ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës, dhe deklaroi se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.

Kjo deklaratë nxiti reagime, si në Kosovë, ashtu edhe në Ukrainë.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Glauk Konjufca, shprehu keqardhje për deklaratën e Zelenskyt dhe kundërshtoi paraqitjen e Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë.

“Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, ne e kundërshtojmë në mënyrë të vendosur çdo paraqitje të Republikës së Kosovës përmes prizmit të integritetit territorial të Serbisë”, tha Konjufca në reagimin e tij në X.

Konjufca po ashtu tha se Kosova do të mirëpriste njohjen nga Ukraina, duke argumentuar se një vendim i tillë do të forconte parimet e lirisë, demokracisë dhe ligjit ndërkombëtar që “Ukraina po i mbron sot”.

Konjufca tha se shteti i Kosovës lindi nga lufta e popullit për liri dhe çlirimi i tyre më 1999 erdhi pas “vite të shtypjes sistematike dhe fushatës gjenocidale të regjimit të Millosheviqit”.

“Ajo që pasoi nuk ishte një akt ankesimi, okupimi apo pushtimi territorial, por një proces gjithëpërfshirës ndërkombëtar nën administratën e Kombeve të Bashkuara dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar për statusin final të Kosovës”, tha Konjufca.

Gjatë 9 gushtit, Komuna e Prishtinës ndërmori një veprim për të kundështuar atë që udhëheqësi ukrainas tha.

Komuna e largoi një flamur të vendosur në qendër të qytetit, me mbishkrimin “Free Ukraine” (Liri për Ukrainën).

“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti, Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në një postim në rrjetet sociale.

Në Kosovë janë përqendruar te fakti se Prishtina e ka mbështetur Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus: e ka dënuar agresionin, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ka ofruar ndihmë financiare, ka strehuar gazetarë ukrainas dhe ka ofruar trajnime ushtarake.

Oleksiy Goncharenko, deputet i Parlamentit ukrainas nga partia opozitare Solidariteti Evropian dhe përfaqësues i Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cilësoi qëndrimin e Zelenskyt si “gabim diplomatik” dhe tha se Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Ukrainasit e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe ne besojmë se Ukraina duhet ta njohë shtetin”, shkroi Goncharenko në X, duke shtuar se do të vazhdojë të angazhohet për njohjen e Kosovës dhe se beson se Kievi përfundimisht do ta marrë një vendim të tillë.

Ndaj deklaratës së Zelenskyt reagoi edhe Yurii Hudymenko, veteran ukrainas i luftës dhe kryetar i Këshillit Publik Kundër Korrupsionit pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.

Në një postim në Facebook, ai tha se ndihet “i neveritur dhe i turpëruar” nga qëndrimi i presidentit ukrainas, duke kujtuar mbështetjen që Kosova u ka dhënë ukrainasve, ushtarëve dhe refugjatëve që nga nisja e pushtimit rus. “Shpresoj që miqtë e mi nga Kosova ta kuptojnë se fjalët e presidentit nuk janë gjithmonë mendimi i të gjithë vendit”, shkroi Hudymenko.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar ekipit për media të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për sqarime shtesë lidhur me deklaratat e tij për Kosovën dhe është në pritje të përgjigjes.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë, konkretisht, mendon Ukraina se do të humbiste nëse do ta njihte Kosovën sot?

Oleksandr Merezhko: Në Ukrainë ka qëndrime të ndryshme për këtë çështje, veçanërisht mes deputetëve të Radës. Megjithatë, vendimi për njohjen ose mosnjohjen e Kosovës i takon presidentit. Është prerogativë e tij.

Ekzistojnë disa argumente kundër njohjes. I pari është se një vendim i tillë mund t’i jepte, në njëfarë mënyre, një argument Rusisë, e cila mban të pushtuar në mënyrë të paligjshme Krimenë dhe pjesë të rajoneve të tjera të Ukrainës.

Argumenti i dytë është se, meqë Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, edhe Ukraina duhet të mbështesë integritetin territorial të Serbisë.

Argumenti i tretë lidhet me faktin se Serbia u shet municion vendeve të tjera, i cili më pas përfundon në Ukrainë dhe i nevojitet asaj.

Personalisht, jam skeptik ndaj secilit prej këtyre argumenteve, por ky është qëndrimi im personal. Ka gjithashtu argumente në favor të njohjes. Në veçanti, njohja e Kosovës nuk do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare, pasi për këtë çështje ekziston edhe opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Radio Evropa e Lirë: A lidhet qëndrimi i Ukrainës ende kryesisht me Krimenë dhe integritetin territorial, apo ruajtja e marrëdhënieve me Serbinë është bërë po aq e rëndësishme?

Oleksandr Merezhko: Kryesisht lidhet me Krimenë dhe integritetin territorial dhe, ndoshta, edhe me çështjen e municionit.

Megjithatë, sipas mendimit tim, Serbia do të vazhdojë t’u shesë municion vendeve të tjera gjithsesi, sepse përfiton financiarisht nga kjo, dhe për shkak të qëndrimit të Bashkimit Evropian.

SHIKONI EDHE:

Rusia “nuk i ndahet” Kosovës  

Sa u përket marrëdhënieve me Serbinë, fatkeqësisht një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së saj vazhdon të jetë nën ndikimin e propagandës ruse, e cila ende nuk është ndaluar në Serbi.

Serbia gjithashtu vazhdon t’i shmanget bashkimit me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

Problemi është se [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq nuk synon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por në të njëjtën kohë ka nevojë të krijojë para BE-së përshtypjen se nuk është vetëm aleat i [presidentit të Rusisë, Vladimir] Putinit, por se ka edhe “marrëdhënie të mira” me Kievin.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të duhej të ndryshonte që Kievi ta rishqyrtonte çështjen e njohjes së Kosovës?

Oleksandr Merezhko: Kjo çështje mund të rikthehet në agjendë pas përfundimit të luftës. Shumëçka do të varet nga qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i vendeve të tij anëtare.

Në përgjithësi, jeta politike në Ukrainë është shumë dinamike.