Rusia i godet disa qytete në një sulm të madh gjatë ditës në Ukrainë

Pasojat e sulmeve ruse në Lviv të Ukrainës, më 24 mars 2026.

Rusia i ka goditur disa rajone në Ukrainë duke përdorur qindra dronë në një sulm të rrallë gjatë ditës, si pasojë e të cilit u vranë të paktën tre njerëz, u plagosën dhjetëra të tjerë dhe u dëmtuan ndërtesa në qendrën historike të qytetit perëndimor të Lvivit, thanë zyrtarët të martën.

Sulmi i së martës ndodhi pak orë pas sulmeve gjatë natës që vranë të paktën katër njerëz, sipas autoriteteve.

Rusia shpesh lëshon dronë dhe raketa drejt qyteteve në sulme para agimit dhe në orët e hershme të mëngjesit, por sulmet gjatë ditës, larg vijave të frontit, janë më pak të zakonshme.

Sulmet ndodhën ndërsa Rusia njoftoi se bisedimet trepalëshe mes Uashingtonit, Moskës dhe Kievit, që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë, janë në një “pauzë situative” pas fillimit të luftës në Iran.

SHIKONI EDHE: Rusia dhe Ukraina këmbejnë sulme me dronë pas bisedimeve SHBA-Ukrainë në Floridë

Në Lviv, videot shfaqën një dron duke fluturuar mbi një ndërtesë në qendër të qytetit dhe duke goditur atë që dukej si një pallat banimi trekatësh pranë një kishe.

Të paktën dy ndërtesa banimi u goditën, tha kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadoviy, në Telegram.

“Rusia po sulmon një qendër qyteti të mbushur me njerëz në mes të ditës. Vetëm pak minuta më parë, dronë rusoiranianë goditën qytetin e Lvivit, duke plagosur rëndë dy njerëz”, shkroi në X kryeministrja Yulia Svyrydenko.

Zyrtarët më vonë thanë se të paktën 13 njerëz u shtruan në spital.

Svyrydenko tha se një kishë e shekullit të 17-të, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO në qendër të Lvivit, Kompleksi i Manastirit Bernardin, ishte cak i sulmit. Në Telegram, kreu rajonal Maksym Kozytskiy tha se një pjesë e objektit historik u dëmtua.

Ministri i Jashtëm Andriy Sybiha i bëri thirrje drejtuesit të UNESCO-s që “të reagojë menjëherë ndaj këtij krimi në mënyrën më të fuqishme të mundshme”.

SHIKONI EDHE: Lufta në Ukrainë hyn në vitin e pestë - mes negociatash e luftimesh

“Ukraina do të përdorë të gjithë mekanizmat në dispozicion për të mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore dhe për të siguruar përgjegjësi. Rusia duhet të përballen me përgjegjësi për shkeljet brutale të së drejtës ndërkombëtare”, shkroi Sybiha në X.

Ai tha se edhe rajone të tjera, përfshirë Ternopil, Vinitsia, Ivano-Frankivsk, Zhitomir, Zaporizhja dhe Dnipro, u goditën të martën.

Sipas zyrtarëve vendës, të paktën dy njerëz u vranë në Ivano-Frankivsk dhe një në Vinnytsia.

Më herët gjatë ditës, Ukraina tha se Rusia i kishte lëshuar 426 dronë dhe raketa drejt saj, duke i vrarë të paktën katër njerëz dhe duke i plagosur dhjetëra të tjerë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se dëme u shkaktuan në 11 rajone.

“Një tjetër natë terrori rus kundër Ukrainës”, ka thënë ministri i Jashtëm, Andriy Sybiha.

“Kur Rusia dështon në fushëbetejë dhe nuk mund ta imponojë vullnetin e saj në tavolinën negociuese, ajo e përdor terrorin kundër civilëve”, ka thënë Sybiha. “Metoda tipike të kriminelëve rusë”.

“Presioni ndaj Rusisë duhet të intensifikohet pa vonesa. Sanksionet duhet të godasin më ashpër. Duhet të miratohet paketa e 20-të e Bashkimit Evropian”, ka shkruar Sybiha në X.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, i ka dënuar sulmet ruse në infrastrukturën civile të energjisë në Ukrainë dhe i ka përshkruar si “krim lufte dhe sulm ndaj të gjithë nesh”.

Sipas forcës ajrore ukrainase, Rusia i ka lëshuar 34 raketa dhe 392 dronë, përfshirë shtatë raketa balistike Iskander, 23 raketa lundruese dhe katër raketa ajër-ajër. Ushtria ukrainase thotë se forcat e saj ajrore kanë kapur 365 dronë dhe 25 raketa.

Në fjalimin e tij të natës, vetëm disa orë para sulmeve ruse, Zelensky, duke iu referuar raporteve të inteligjencës, paralajmëroi për një sulm të mundshëm rus në shkallë të gjerë dhe u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë ndaj sinjaleve të alarmit ajror.

SHIKONI EDHE: Në luftën e SHBA-së kundër Iranit, Rusia është pothuajse fituese

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj kanë kapur 55 dronë ukrainas gjatë natës, një ditë pasi Ukraina goditi një depo karburanti në portin e Detit Baltik në Primorsk, qendra më e madhe perëndimore e eksportit të naftës në vend.

Sulmet e fundit ndodhën ndërsa Rusia njoftoi se bisedimet trepalëshe mes Uashingtonit, Moskës dhe Kievit, që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë, janë në një “pauzë situative” pas fillimit të luftës në Iran.

“Kjo është një pauzë situative, për arsye të dukshme”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se sapo “partnerët tanë amerikanë” të mund t’i kushtojnë më shumë vëmendje çështjeve ukrainase, Moska shpreson që pauza të përfundojë dhe të zhvillohet një rund i ri bisedimesh.