Një person ka vdekur në Gjakovë, pasi ra nga një ndërtesë e lartë ku po punonte. Lidhur me këtë rast Prokuroria është duke e intervistuar një të dyshuar, thanë nga Policia e Kosovës.
Sipas zëdhënëses së Policisë në Gjakovë, Vlera Krasniqi, viktima është e moshës madhore dhe autoritetet u njoftuan për ngjarjen rreth orës 17:00.
“Njësitet përkatëse policore dhe ekipi emergjent mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës”, tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.
Njoftimi për vdekjen e një punëtori në Gjakovë vjen në kohën kur Inspektorati Qendror i Punës po zhvillon një aksion në nivel vendi që synon rritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Më 16 prill nisi aksioni 15-ditor i inspektimeve në vendet e punës, teksa deri më tani gjatë këtij viti – përfshirë edhe rastin e fundit në Gjakovë – në Kosovë kanë humbur jetën nëntë persona në vendin e punës.
SHIKONI EDHE:
Aksion 15-ditor për sigurinë në vendet e punës në KosovëAksioni po zhvillohet në sektorë me rrezikshmëri të lartë, përfshirë ndërtimtarinë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se qëllimi i aksionit është rritja e respektimit të kushteve të sigurisë në punë, në veçanti në sektorët me rrezik të lartë, ku më herët janë raportuar shqetësime për kushtet e punës.
Sipas Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, punëdhënësit janë të obliguar të sigurojnë kushte të sigurta pune, përfshirë trajnimin e punëtorëve dhe përdorimin e duhur të pajisjeve.