Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në gati gjysmën e rasteve të inspektuara gjatë 48 orëve të para të aksionit në nivel vendi, që synon rritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Inspektorati, nga gjithsej 72 inspektime të kryera, në 34 raste është marrë vendim për ndalim të punimeve, ndërsa janë lëshuar edhe 22 vërejtje dhe vetëm 16 raste kanë kaluar pa vërejtje.
Në dy raste janë dhënë leje për vazhdim të punës pas përmbushjes së kushteve.
Ky zhvillim vjen në kuadër të aksionit 15-ditor të nisur nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës, një ditë pasi një punëtor humbi jetën në vendin e punës — rasti i tetë i tillë këtë vit.
Aksioni është ndërmarrë në sektorë me rrezikshmëri të lartë, përfshirë ndërtimtarinë, dhe është shtrirë në disa qytete të Kosovës.
Sipas raportit, numri më i madh i ndalimeve është evidentuar në Ferizaj, pasuar nga Fushë Kosova, Gjilani dhe Mitrovica e Jugut.
Autoritetet kanë bërë të ditur se qëllimi i aksionit është rritja e respektimit të kushteve të sigurisë në punë, në veçanti në sektorët me rrezik të lartë, ku më herët janë raportuar shqetësime për kushtet e punës.
Sipas Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, punëdhënësit janë të obliguar të sigurojnë kushte të sigurta pune, përfshirë trajnimin e punëtorëve dhe përdorimin e duhur të pajisjeve.