Vdiq i dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë në Malishevë

Emergjenca në QKUK. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Pasditen e 27 gushtit ka vdekur i dyshuari për vrasjen e gruas së tij shtatzënë në Malishevë më 23 gusht.

Shaqir Uka nga Klinika Intensive, tha për Radion Evropa e Lirë se pacienti nuk mundi t'i përballonte plagët, e shkaktuara nga armët e zjarrit.

Sipas tij, ai kishte plagë në regjionin e kokës.

Ndërkaq, Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë për rajonin e Gjakovës, tha dorasi i dyshuar, vdiq rreth orës 17:15.

Ai po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe mjekët kishin thënë menjëherë pas ngjarjes se gjendja e tij ishte kritike.

“Procedurat hetimore lidhur me rastin janë duke vazhduar në koordinim me prokurorin kompetent”, tha Elezaj.

Vrasja e gruas shtatzënë nxiti reagime të shumta në Kosovë, me institucionet që thanë se duhet parandaluar dhuna ndaj grave.

SHIKONI EDHE:

Vritet një grua shtatzënë në Malishevë, bashkëshorti i saj dyshohet për vrasjen

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, njëherëshkoordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, Donika Gërvalla, kërkoi nga të gjitha institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë këtë rast "me seriozitetin maksimal dhe të mos lënë asnjë rrethanë pa u hetuar".

Por, tre ditë më vonë, më 26 gusht, Kosova u trondit edhe nga një ngjarje e rëndë, pasi në Prizren, një grua 80-vjeçare u vra dhe dorasi i dyshuar është bashkëshorti i saj 81-vjeçar.

SHIKONI EDHE:

Një grua në Prizren dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj

Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari pas fjalosjes me bashkëshorten, e kishte sulmuar atë fizikisht, ia kishte përplasur kokën disa herë në tokë dhe si pasojë e lëndimeve të pësuara ajo vdiq në vendin e ngjarjes.

Që nga viti 2010 e deri në gusht të këtij viti, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, 63 gra janë vrarë në Kosovë.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Pas vrasjes në Malishevë, nga Rrjeti i Grave të Kosovës kërkuan që shteti të parandalojë dhunën ndaj grave, e jo të reagojë pas tragjedive.

Si mund ta raportoni dhunën në familje?