Vdiq Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë

Ratko Mlladiq në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi. 8 qershor 2021

Ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar nga një gjykatë ndërkombëtare për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-1995, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur nga Radio Televizioni i Republikës Sërpska.

Video: Kush ishte “kasapi i Bosnjës”, Ratko Mlladiq?

Your browser doesn’t support HTML5

Jeta dhe krimet e “Kasapit të Bosnjës”

Mlladiq ishte dënuar për një akuzë për gjenocid, për pesë akuza për krime kudër njerëzimit dhe katër akuza për krime lufte nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavi (ICTY) në Hagë më 2017 – mbi 20 vjet pasi ndaj tij u ngrit aktakuzë.

I njohur nga viktimat e tij dhe të tjetër si “kasapi i Bosnjës”, gjykata e gjeti Mlladiqin fajtor për urdhërimin e masakrimit të më shumë se 7.000 burrave dhe djemve në Srebrenicë më 1995 – mizoria më e madhe e kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Që nga vendimi i Tribunalit në Hagë, numri i viktimave nga gjenocidi në Srebrenicë është rritur në mbi 8.000.

SHIKONI EDHE:

Varrosen shtatë viktima në 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës

Mlladiq po ashtu u shpall përgjegjës nga Tribunali edhe për rrethimin dhe bombardimin e kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevë – një krim kundër njerëzimit që sipas gjykatës ndërkombëtare rezultoi me vdekjen e 4.548 ushtarëve boshnjakë dhe 4.954 civilëve. Vlerësohet se po ashtu 50.000 persona ishin plagosur gjatë rrethimit.

Tribunali i Hagës gjeti po ashtu presidentin e kohës së luftës në entitetin serb të Bosnjë e Hercegovinës, Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, se kishte ndërmarrë politika që çuan në akte të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, ndërkaq Mlladiq, komandanti i tij kryesor i ushtrisë, sipas gjykatës, i kishte ekzekutuar këto plane.

Mlladiq dhe Karaxhiq u akuzuan se kishin udhëhequr një zinxhir komandues mbi operacionet me qëllim spastrimin etnik të Bosnjës nga joserbët, përmes torturës, frikësimit, dëbimeve të detyruara të popullsisë dhe vrasjeve masive.

I cilësuar nga nacionalistët serbë dhe shumë serbë të Bosnjës si hero, Mlladiq komandoi forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnjë më 1992-1995, konflikt në të cilin janë vrarë më shumë se 100.000 persona.

Tribunali i Hagës konstatoi se kur Srebrenica ra në duart e forcave serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995, Mlladiq dha urdhra të drejtpërdrejta që trupat serbe të Bosnjës të grumbullonin dhe të ekzekutonin burrat dhe djemtë boshnjakë, që po përpiqeshin të largoheshin nga zona.

Gjykata po ashtu gjeti se forcat serbe të Bosnjës më pas tentuan të fshihnin dëshmitë e gjenocidit duke rivarrosur trupat e viktimave në varre masive, të shpërndara në zona të izoluara rurale përreth Srebrenicës.

*Video nga arkivi: Miratimi i rezolutës nga Kombet e Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë

Your browser doesn’t support HTML5

Mes kundërshtimit të Serbisë, OKB-ja miraton rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë

Gjenocidi në Srebrenicë ishte edhe më tronditës për shkak se qyteti ishte vlerësuar nga Kombet e Bashkuara si zonë e sigurt për refugjatët, të cilët po iknin nga lufta në pjesë të tjera të Bosnjë e Hercegovinës.

Trubunali tha se Mlladiq kishte udhëhequr rrethimin e Sarajevës, që nisi në prill të vitit 1992 dhe zgjati për më shumë se tre vjet.

Në fakt, bllokada e Sarajevës nga trupa nën komandën e Mlladiqit zgjati nga prilli i vitit 1992 deri në shkurt të vitit 1996 – më shumë se dy muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës. Atëbotë, ky ishte rrethimi më i gjatë i një qyteti në luftën moderne.

Karaxhiq u dënua për gjenocid më 2016, përfshirë edhe për gjenocidin në Srebrenicë, dhe u dënua me 40 vjet burgim. Apeli i tij ndaj vendimit të gjykatës u refuzua në mars të vitit 2019 dhe dënimi iu rrit në burgim të përjetshëm.

Mlladiq iu shmang arrestimit për 16 vjet me ndihmën e ushtrisë serbe, të aleatëve të tij të kohës së luftës dhe të familjes së tij.

Ai u arrestua në maj të vitit 2011 në fshatin Llazarevo, afër qytetit të Zrenjaninit në veri të Serbisë, pasi një informacion anonim iu dërgua Policisë nga dikush që kishte thënë se kishte parë një burrë që i përngjante në Mlladiqin.

Nga nisja e gjykimit ndaj tij në maj të vitit 2012, Mlladiq u deklarua i pafajshëm. Në një moment në fillim të procesit gjyqësor, Mlladiq bëri me duar gjestin e prerjes së fytit duke iu drejtuar një nëne të një prej viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

“Mlladiq vuri në lëvizje, nën kontrollin e vartësve të tij oficerë, operacionin në shkallë të gjerë, të mirëorganizuar që la të vrarë shumë se 7.000 burra dhe djem brenda pak ditësh”, deklaroi prokurori i Tribunalit të Hagës, Dermot Groome gjatë gjykimit.

“Krimet e kryera renditen në ndër më të tmerrshmet në historinë e njerëzimit dhe përfshijnë gjenocid dhe shfarosje, si krim kundër njerëzimit”, deklaroi gjyqtari kryesor Alphons Orie teksa lexoi përmbledhjen e vendimit ndaj Mlladiqit në nëntor të vitit 2017.

“Shumë nga këta burra e djem u mallkuan, u ofenduan, u kërcënuan dhe u detyruan të këndonin këngë serbe dhe u rrahën teksa prisnin ekzekutimin e tyre”, tha Orie.

*Video nga arkivi: Rrëfimi i Ramiza Hasanoviqit që humbi tetë anëtarë të familjes në gjenocidin në Srebrenicë

Your browser doesn’t support HTML5

"Vetëm guri i varrit dëshmon se njeriu ishte i gjallë"

Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, Serge Brammertz, e cilësoi vendimin si “arritje të madhe” sepse ai e mbante përgjegjës Mlladiqin edhe për ndalimin e dhjetëra mijëra joserbëve në kampe ku shumë u rrahën e u përdhunuan, dhe po ashtu e mbante përgjegjës për zhvendosjen e mbi 1 milion personave në përpjekje për të rishkruar hartën demografike të Bosnjës.

Mlladiq ishte larguar nga gjykatorja disa minuta para se të lexohej vendimi për shkak se ai kishte nisur të bërtiste me zemërim: “Gjithçka që ju keni thënë është gënjeshtër e pastër. Turp. Të gjitha janë gënjeshtra!”.

Pas shpalljes së vendimit, viktimat dhe anëtarët e grupit të viktimave, Nënat e Srebrenicës, thanë se shpresonin që vendimi do të ndihmonte në pajtim, edhe pse shprehën keqardhje që Mlladiq nuk u shpall fajtor për të gjitha akuzat që u ngritën ndaj tij.

*Video nga arkivi: Shumë nëna në Srebrenicë ende presin drejtësi

Your browser doesn’t support HTML5

Tragjedia e heshtur e Srebrenicës: Qindra nëna vdesin pa parë drejtësi

Familjarët që humbën më të dashurit e tyre në gjenocidin në Srebrenicë thanë se nuk kishte një dënim të duhur për të ndëshkuar Mlladiqin.

“Edhe nëse do të jetonte 1.000 herë dhe do të dënohej 1.000 herë me burgim të përjetshëm, drejtësia prapë nuk do të ishte vendosur”, u shpreh para shpalljes së vendimit, Ajsa Umiroviq, e cila humbi 42 të afërm në gjenocidin në Srebrenicë.

Vendimi ndaj Mlladiqit ishte i fundit i shpallur nga Tribunali, i cili u themelua në Hagë më 1993 për të ndjekur krimet e kryera në luftërat në Ballkan në fillim të viteve ’90.

Në qershor të vitit 2021, Gjykata e OKB-së në Hagë refuzoi apelin e dorëzuar nga Mlladiqi dhe konfirmoi vendimin për burgim të përjetshëm.

Vitin e kaluar, Tribunali për krime të luftës i OKB-së refuzoi kërkesën e Mlladiqit për lirim urgjent në Serbi për shkaqe shëndetësore. Në vendim, gjykata tha se gjendja e Mlladiqit, ndonëse e pasigurt, ishte e qëndrueshme dhe trajtimi i tij në burgun në Hagë ishte në një standard të pranueshëm.

SHIKONI EDHE:

Gjykata në Hagë e refuzon kërkesën e Mlladiqit për lirimin nga burgu për arsye shëndetësore

Mlladiq u lind më 12 mars 1942 në Kallinovik, që atëbotë ishte pjesë e Shtetit të Pavarur të Kroacisë – një shtet kukull i Gjermanisë Naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Si anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, Mlladiq nisi karrierën e tij në Ushtrinë Popullore Jugosllave më 1965. Ai u bë figurë e njohur gjatë luftërave në Ballkan që shpërthyen pas shpërbërjes së Republikës Federative të Jugosllavisë.