Po punohet për ta gjetur një vendndodhje tjetër për mbajtjen e samitit të Bërdo-Brionit, i tha Radios Evropa e Lirë zyra e presidentit të Sllovenisë të martën.
Takimi i sivjetshëm i kësaj nisme 13-vjeçare u anulua nga presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq.
Millanoviq tha në arsyetimin e tij se nuk ka kushte që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq, të vijë në Kroaci për këtë samit, duke shtuar se deklaratat e liderit serb e prishin paqen dhe stabilitetin.
SHIKONI EDHE:
Millanoviq anulon samitin e Bërdo-Brionit për shkak të VuçiqitVuçiq u përgjigj se në vend që ta anulonte takimin, Millanoviq mund të kishte ftuar “miqtë e tij nga Prishtina dhe Tirana”.
Gjatë vitit të kaluar, presidenti serb e ka akuzuar Kroacinë për ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë, por nuk dhënë asnjë provë për këtë.
Bashkimi Evropian reagoi gjithashtu ndaj anulimit të samitit, duke shprehur keqardhje.
“Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë në thelb të procesit të integrimit evropian dhe pjesë thelbësore e rrugës së Serbisë drejt BE-së”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.
Kroacia dhe Sllovenia, si anëtarë të BE-së, iniciuan procesin e Bërdo-Brionit, me qëllim për të nxitur bashkëpunim dhe përshpejtim të integrimit të rajonit në BE.
Përveç presidentëve të Kroacisë, Sllovenisë dhe Serbisë, në procesin e Bërdo-Brionit marrin pjesë edhe liderët e Malit të Zi, Bosnje e Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Millanoviq, si bashkëkryetar i procesit të Bërdo-Brionit, i njoftoi krerët e shteteve pjesëmarrëse se kishte vendosur ta anulonte takimin e planifikuar të mbahej në maj në Kroaci.
Zyra e presidentes sllovene Natasha Pirc Musar, siç mori vesh Radio Evropa e Lirë, u njoftua menjëherë për vendimin e Millanoviqit.
“Ky është një vendim i brendshëm politik i Presidentes së Kroacisë, në të cilin ne nuk mund të ndërhyjmë dhe për këtë arsye nuk e komentojmë”, thuhet në përgjigje.
SHIKONI EDHE:
Brukseli shpreh keqardhje për anulimin e samitit të Bërdo-BrionitPresidenca sllovene shtoi se këshilltarët e politikës së jashtme të presidentit të Sllovenisë dhe të presidentit të Kroacisë mbeten në kontakt të rregullt me qëllim që të sigurohet që samiti i procesit të Bërdo-Brionit në vitin 2026 të mbahet në një vend alternativ.
Nga Zagrebi u njoftua se takimi i ardhshëm i krerëve të shteteve të Bërdo-Brionit do të mbahet kur të jenë kushtet e duhura dhe pas konsultimeve midis bashkëkryetarëve, Millanoviq dhe Pirc Musar.
Serbia po zhytet në vetizolim
Anulimi i samitit të Bërdo-Brionit, për Jelica Miniq nga Lëvizja Evropiane joqeveritare në Serbi, është një lajm i keq për Serbinë dhe rajonin.
“Serbia po zhytet në vetizolim dhe marrëdhëniet e saj me fqinjët, me përjashtim të Hungarisë, nuk kanë qenë kurrë më të këqija që nga konflikti i fundit në Kosovë”, i tha ajo Radios Evropa e Lirë.
Ajo shton se Serbia, deri në fillim të kësaj dekade, luajti rol të rëndësishëm dhe përfitoi kryesisht nga bashkëpunimi në të cilin ishte e përfshirë.
“Dhe tani ajo e ka përjashtuar veten dhe anulimi i këtij samiti mund të shkaktojë një ortek sanksionesh kundër politikës së jashtme jokonsistente, të pasinqertë dhe konfuze të Serbisë”, tha ajo.
SHIKONI EDHE:
Shqipëria dhe Kroacia në listën serbe të vendeve të pasigurtaPresidenti kroat Millanoviq vlerësoi se deklaratat dhe veprimet e homologut serb në ditët dhe javët e fundit janë plotësisht në kundërshtim me qëllimin e procesit të Bërdo-Brionit.
Ai deklaroi se ato prishin marrëdhëniet ndërshtetërore dhe kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore.
Për këtë, Vuçiq u përgjigj se Millanoviqi kishte të drejtë dhe se ai nuk kishte vend në Kroaci.
Por, ai shtoi se presidenti kroat nuk kishte pse ta anulonte takimin për shkak të tij, por se mund t’i kishte ftuar “miqtë e tij nga Prishtina dhe Tirana”.
Në muajt e fundit, Vuçiq i ka akuzuar Kroacinë, Shqipërinë dhe Kosovën se marrëveshja e tyre për bashkëpunim në mbrojtje do të thotë aleancë ushtarake kundër Serbisë, gjë që është mohuar vazhdimisht nga këto vende.
Analisti politik kroat, Jaroslav Pecnik, i tha Radios Evropa e Lirë se qëndrimet e Serbisë dhe Kroacisë janë aq të ngulitura në këtë pikë sa një takim nuk do të kontribuonte në mirëkuptim të ndërsjellë.
SHIKONI EDHE:
Shqipëria: Serbia nuk i është përgjigjur ftesës për t’iu bashkuar paktit të mbrojtjes"Në fakt, kjo do të kontribuonte në intensifikimin e mëtejshëm të konflikteve të ndërsjella. Por, fakti është se nuk mund të ndalemi këtu", tha ai.
Megjithatë, ai vlerëson se anulimi i samitit nuk është goditje ndaj stabilitetit rajonal sepse Millanoviq nuk ka ndikim të madh në politikën rajonale.
"Por, fakti është se duhet të gjenden mënyra të përbashkëta dhe Kroacia duhet të marrë rolin e trenit që ngadalë e tërheq Serbinë drejt BE-së", tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se lëvizja e Millanoviqit nuk e ka habitur sepse, siç vlerëson ai, presidenti kroate kohët e fundit “ka luajtur me populizmin”.
"Ishte e pritshme që diçka e tillë të ndodhte, ndoshta jo aq drastike, por që diçka e tillë do të ndodhte", shtoi ai.
Për çfarë e akuzon Vuçiqi Kroacinë?
Për më shumë se një vit, Vuçiq e ka akuzuar Kroacinë dhe shërbimet e saj për ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë, pa dhënë asnjë provë.
SHIKONI EDHE:
Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë nervozon SerbinëPara vendimit të Millanoviqit për të anuluar samitin, Vuçiq deklaroi se do të “kontrollonte raportet nga agjencitë e sigurisë në lidhje me ndikimin e mundshëm nga vendet e huaja” në zgjedhjet lokale në Serbi, duke përmendur “mbështetjen logjistike nga një vend fqinj”.
“Në Kula (një komunë në veri të Serbisë), kishe më shumë targa të Zagrebit sesa në komunat përreth. Dhe nuk po flas vetëm për logjistikën e transportit, por mbi të gjitha për logjistikën e medias”, tha Vuçiq.
Zgjedhjet lokale u mbajtën më 29 mars në 10 komuna në Serbi, dhe rezultatet e Partisë Progresive Serbe në pushtet u shpallën nga Vuçiq si president i vendit.
Pas shpërthimit të protestave antiqeveritare për shkak të vdekjes së 16 personave në Novi Sad në fund të vitit 2024, autoritetet serbe akuzuan vazhdimisht shërbimet sekrete kroate për organizimin e demonstratave, gjë që zyrtarët në Zagreb e mohuan fuqimisht.
Jaroslav Pecnik thotë se akuza të tilla nuk kanë bazë.
“Kjo është në përputhje me politikën e Vuçiqit për forcimin e brendshëm dhe shpikjen e armiqve nga jashtë, të cilët nuk bëjnë gjë tjetër veçse mendojnë se si të merren me kokën e Serbisë”, vlerësoi ai.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e ka përfshirë gjithashtu Kroacinë në listën e vendeve që duhen vizituar vetëm "në raste të nevojës ekstreme".
Arsyet për këtë vendim u përmendën si "incidente, tensione dhe rrethana të pafavorshme sigurie gjithnjë e më të shpeshta", pa specifikuar se për cilat ngjarje bëhej fjalë.
SHIKONI EDHE:
Kroacia i reagon Vuçiqit për deklaratën lidhur me “aleancën ushtarake kundër serbëve”Jelica Miniq tha se politika e jashtme e Serbisë nuk është e fokusuar në mbrojtjen e qytetarëve të saj dhe në përdorimin e burimeve duke krijuar marrëdhënie partneriteti të qëndrueshme dhe afatgjata me mjedisin e saj të afërt dhe më të gjerë.
“Serbia përbën rrezik për stabilitetin rajonal dhe, nga një aktor konstruktiv në bashkëpunimin rajonal në dekadën e parë të këtij shekulli, është shndërruar në një faktor përçarës”, vlerësoi ajo.
Por, ajo shtoi se fakti që Serbia është kryesisht e rrethuar nga anëtarë të BE-së dhe NATO-s kufizon kapacitetin e saj destabilizues.
“Por, Rusia është ende larg dhe shërbimet e saj sekrete dhe dezinformimi shoqërues kanë një efekt të kufizuar, megjithëse shumë të rrezikshëm, në Serbi dhe në rajon”, deklaroi ajo.
Dhe ishte presidenti rus, Vladimir Putin, ai që u njoftua nga Vuçiq, siç raportoi vetë ai, për aleancën midis Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Vuçiq foli me Putinin në telefon më 30 mars në lidhje me zgjatjen e kontratës për furnizimin me gaz rus, nga i cili Serbia mbetet kryesisht e varur.