“Do të ketë, padyshim, përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve tashmë jo shumë të mira”.
Me këto fjalë, ish-diplomati kroat, Bozho Kovaçeviq, i komenton rekomandimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë për qytetarët e këtij vendi.
Pas shpërthimit të luftës në Iran, kjo ministri lëshoi disa këshilla udhëtimi, duke u rekomanduar qytetarëve që të mos shkojnë në Lindjen e Mesme, ndërsa Kroacinë e përfshiu në listën e vendeve që duhen vizituar vetëm “në raste të nevojës ekstreme” dhe Shqipërinë “me masa paraprake shtesë”.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë tha se ky vend është “një nga më të sigurtit në Evropë”, ndërsa Tirana zyrtare nuk komentoi.
“Semafori” i rekomandimeve
Ministria e Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me analizat e sigurisë që janë përdorur për të nxjerrë të ashtuquajturin “semafor” të rekomandimeve për qytetarët që udhëtojnë jashtë vendit.
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, postoi më 4 mars një video në rrjetin social X, ku deklaroi se rekomandimet u bënë me iniciativën e tij.
Në këto rekomandime, të cilat u publikuan në faqen e internetit të Ministrisë, vendet klasifikohen në katër kategori: e gjelbër - udhëtim i lirë me kujdes të rregullt; e verdhë - udhëtim me masa paraprake shtesë; e portokalltë - udhëtim në rast nevoje ekstreme; e kuqe - udhëtimi nuk rekomandohet.
Kroacia, e cila është anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2013, është vendi i vetëm evropian që e gjen veten në kategorinë e portokalltë, e cila përfshin, mes tjerash, edhe Togon, Tanzaninë, Mianmarin dhe Republikën e Kongos.
Sipas shpjegimit të dhënë, bëhet fjalë për “incidente, tensione dhe rrethana të pafavorshme sigurie gjithnjë e më të shpeshta”, por nuk specifikohet se për cilat ngjarje bëhet fjalë.
Sekretarja e shtetit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviq, tha më 6 mars se kategorizimi nuk bart asnjë lloj mesazhi politik, por se është i nevojshëm për t’i informuar qytetarët serbë për të gjitha rreziqet e mundshme që mund të hasin dhe për t’i paralajmëruar ata për incidentet e mundshme që mund të ndodhin.
Ajo i tha Radio Televizionit të Serbisë se gjatë hartimit të rekomandimeve, janë marrë në konsideratë faktorë të ndryshëm, duke përfshirë “situatën e përgjithshme të sigurisë” në ato vende, vlerësimet e llojeve të ndryshme të rreziqeve dhe sulmeve, si dhe “një pasqyrë të të gjitha incidenteve të mundshme që qytetarët e huaj mund të hasin në vende të caktuara”.
“Nuk është sekret se në periudhën e mëparshme jemi përballur me një numër të konsiderueshëm incidentesh që ishin të drejtuara kundër qytetarëve tanë dhe, në përgjithësi, kundër pjesëtarëve të popullit serb që jetojnë në Republikën e Kroacisë”, tha Jovanoviq.
Për ish-diplomatin kroat dhe analistin politik, Bozho Kovaçeviq, “ky veprim është kryesisht pasojë e projeksionit që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe një pjesë e elitës politike në Serbi kanë për Kroacinë”.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se në Kroaci po bëhen disa përpjekje “për të ringjallur ideologjinë e ustashëve”, por shton se nuk mund të thuhet se ky është tipari përcaktues i politikës kroate.
Në nëntor të vitit 2025, ekstremistët e djathtë kroatë sulmuan ngjarjet e organizuara si pjesë e Ditëve të Kulturës Serbe.
Disa dhjetëra huliganë dhe veteranë lufte ndërprenë një shfaqje folklorike në Split, në të cilën mori pjesë një shoqëri kulturore dhe artistike nga Novi Sadi.
Menjëherë pas kësaj, një grup më i vogël huliganësh u mblodhën edhe në Zagreb, duke protestuar kundër një ekspozite të organizuar si pjesë e së njëjtës ngjarje.
“Gjëra të tilla ndodhin në Kroaci, por Qeveria distancohet prej tyre dhe klima e përgjithshme shoqërore nuk është e tillë që pjesëtarët e ndonjë pakice ose qytetarë të ndonjë vendi të ndihen të kërcënuar”, thotë Kovaçeviq.
Dialog në vend të tensioneve
Jasna Vojniq, presidente e Këshillit Kombëtar Kroat në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se rekomandimet e lëshuara nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë “nuk kontribuojnë në qetësimin e tensioneve”.
“Ky vendim sigurisht që nuk na bëri të lumtur. E, nuk mund të jemi as indiferentë ndaj tij, veçanërisht duke marrë parasysh lidhjet e përditshme midis njerëzve në të dyja anët e kufirit, si dhe pozicionin e kroatëve që jetojnë në Serbi”, thotë Vojniq.
Ajo shton se çdo masë që dërgon mesazh për kujdes shtesë midis dy shteteve fqinje, mund të ketë ndikim negativ në atmosferën e marrëdhënieve.
“Pikërisht për këtë, është e rëndësishme që tensionet të mos thellohen dhe që përmes dialogut dhe bashkëpunimit të vazhdojmë të punojmë për marrëdhënie të qëndrueshme dhe konstruktive”, thotë Vojniq.
Në Shqipëri “me kujdes”
Shqipëria është ndër 60 vendet ku qytetarëve serbë u këshillohet të marrin “masa paraprake shtesë”.
Megjithatë, në shpjegim, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë deklaron se “nuk ka kërcënime serioze për sigurinë e vizitorëve në Shqipëri”.
“Gjatë sezonit turistik, në muajt e verës, qytetarëve u rekomandohet të mos i lënë dokumentet, sendet personale dhe sendet me vlerë në makinat e tyre. Kur bëhet fjalë për automjetet, rekomandohet t’i lënë në vend-parkime të mbikëqyrura”, thuhet në ueb-faqe.
Kosova, pavarësinë e së cilës Serbia nuk e njeh, nuk është përfshirë në listë.
Çfarë thonë Zagrebi dhe Tirana?
Ministria e Jashtme dhe e Çështjeve Evropiane e Kroacisë tha, pa e përmendur Serbinë, se Kroacia u vendos në kategorinë e portokalltë “për shkak të ‘tensioneve’ të paspecifikuara”.
“Kroacia, anëtare e BE-së, NATO-s dhe Schengen-it dhe një nga vendet më të sigurta në Evropë, sipas Eurostat-it, mirëpret miliona vizitorë çdo vit dhe vazhdon të ketë sezone të suksesshme turistike”, shkroi Ministria kroate në një postim në rrjetin X.
“Përvoja na mëson se sa herë që rritet niveli i paralajmërimit për udhëtime, shpesh shohim edhe më shumë vizitorë nga vendet e njëjta”, shtoi Ministria, duke e cilësuar këtë si një rast klasik të “frytit të ndaluar”.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar rekomandimet e Serbisë.
Ish-diplomati serb, Sreqko Gjukiq, i konsideron rekomandimet e Beogradit zyrtar si “një vendim i paarsyeshëm dhe joracional”.
“Mendoj se duhet të shfuqizohen. Kjo nuk është një politikë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe një politikë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thotë Gjukiq për Radion Evropa e Lirë.
Cilat janë motivet e Beogradit?
Ish-diplomati kroat, Bozho Kovaçeviq, beson se një nga motivet për këtë pozicionim të Kroacisë dhe Shqipërisë mund të jetë marrëveshja për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje që dy vendet nënshkruan me Kosovën.
Në mars të vitit 2025, ministrat e Mbrojtjes në Shqipëri dhe Kroaci - të dyja vende anëtare të aleancës së NATO-s - dhe në Kosovë nënshkruan një deklaratë për bashkëpunim më të madh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka akuzuar vazhdimisht të tria vendet për formimin e një “aleance ushtarake” kundër Serbisë dhe popullit serb dhe ka paralajmëruar se Beogradi do të investojë më shumë në mbrojtje.
Kovaçeviq thotë se marrëveshja midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës është e krahasueshme me Paktin Ballkanik të nënshkruar nga Greqia dhe Turqia - si anëtare të NATO-s - dhe Jugosllavia në vitin 1953.
“Kjo ishte një garanci indirekte se NATO-ja do ta mbronte Jugosllavinë në rast të ndonjë sulmi nga Bashkimi Sovjetik. Pra, kjo marrëveshje duhet të kuptohet si një përpjekje për ta trimëruar Kosovën, e cila është njohur si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kroacia”, thotë Kovaçeviq.
Përkeqësim i mëtejshëm i marrëdhënieve
Marrëdhëniet diplomatike midis Kroacisë dhe Serbisë nuk janë të qeta prej kohësh.
Pas shpërthimit të protestave masive antiqeveritare dhe bllokadave studentore në Serbi - pas vdekjes së 16 personave në një aksident në Novi Sad në fund të vitit 2024 - autoritetet serbe akuzuan vazhdimisht shërbimet sekrete kroate për organizimin e protestave.
Zyrtarët kroatë i mohojnë këto pretendime.
Sipas Ambasadës kroate në Serbi, rreth 20 qytetarë kroatë u dëbuan nga ky vend gjatë protestave, me shpjegimin se përbënin “rrezik për sigurinë”.
Ndaj, në dhjetor të vitit 2025, Ministria kroate e Punëve të Jashtme rekomandoi që qytetarët “t’i shtyjnë udhëtimet jothelbësore” në Serbi, si dhe “të tregojnë kujdes të shtuar” dhe “t’i shmangin veçanërisht vendet ku mblidhen turma të mëdha njerëzish”.
Kovaçeviq beson se nuk ka arsye që Zagrebi zyrtar t’u përgjigjet rekomandimeve të fundit të Serbisë, por shton se ky veprim i Beogradit nuk do t’i përmirësojë marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Mendoj se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte kryesisht në mendje pasojat e brendshme politike dhe kjo më duket si përpjekje për të homogjenizuar elektoratin e tij”, thotë Kovaçeviq.
Pavarësisht marrëdhënieve politikisht të trazuara, një numër i konsiderueshëm qytetarësh serbë zgjedhin bregdetin kroat dhe atë shqiptar si destinacione turistike verore.
Sipas të dhënave të fundit nga Bordi Kombëtar Turistik i Kroacisë, më 2023, ky vend u vizitua nga 212.000 turistë nga Serbia, ndërsa një vit më parë u regjistruan 186.000 turistë serbë.
E, sipas të dhënave të paraqitura në korrik të vitit 2022 nga ministrja e Turizmit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, numri i turistëve serbë në këtë vend u rrit për 110 për qind nga viti 2019 deri në vitin 2021.