Kryetarja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, dhe kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, reaguan së bashku, duke i cilësuar si “tronditëse” pamjet nga Beogradi gjatë varrimit të Ratko Mlladiqit, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje e Hercegovinë.
“Elementet e mbështetjes zyrtare, si dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në varrim, janë thellësisht dëshpëruese. Ato tregojnë dështimin për t’u përballur me kapitullin e errët të historisë së vonshme evropiane, dhe janë në kundërshtim me vlerat mbi të cilat bazohet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”, theksuan në një deklaratë të përbashkët liderët e institucioneve kryesore evropiane.
Duke rikujtuar se Ratko Mlladiq ishte i dënuar i luftës, përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, Von der Leyen dhe Costa thanë se mendimet e tyre janë me të gjitha viktimat e krimeve të kryera në vendet e ish-Jugosllavisë.
Kjo deklaratë dënuese e dy udhëheqësve të BE-së vjen një ditë pasi zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinho, deklaroi se Mlladiqi “nuk u varros me nderime shtetërore” në Serbi.
SHIKONI EDHE:
I dënuari për gjenocid, Ratko Mlladiq, u varros me nderime shtetërore në SerbiDeklaratën e zëdhënëses e dënuan një numër i madh aktorësh politikë, si në Bruksel, ashtu edhe në rajon.
Mlladiq u varros më 7 shtator në Beograd, me nderime ushtarake dhe shtetërore.
Ai vdiq më 27 gusht në Hagë, derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm, ndërsa u varros në varrezat Topçider në Beograd.
Ceremonia e varrimit u shoqërua me të shtëna nderi dhe fjalime lamtumire, në të cilat u madhërua e kaluara e tij gjatë luftës.
Your browser doesn’t support HTML5
Serbia nderon “Kasapin e Bosnjës”, duke shkaktuar reagime të ashpra ndaj madhërimit të tij
Në prani të pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë, udhëheqësve politikë të Republikës Sërpska, pjesëtarëve të Kishës Ortodokse Serbe dhe zyrtarëve të Serbisë, të pranishmit brohoritën emrin e Mlladiqit dhe e përcollën arkivolin e tij me duartrokitje.
Përkujtimi, shërbesa fetare dhe varrimi në Beograd u shoqëruan me paralajmërime nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se madhërimi i kriminelëve të dënuar të luftës është i papranueshëm.