Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të shtunën se sulmi i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit do të ketë, siç u shpreh ai, “pasoja të gjera në skenën politike botërore” dhe se, në përputhje me këtë, Serbia duhet ta ruajë lirinë dhe pavarësinë e saj, por njëkohësisht t'i forcojë kapacitetet mbrojtëse.
Reagimi i tij vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur sulme në disa qytete të Iranit. Deri më tani nuk ka raportime për viktima.
Presidenti amerikan, Donald Trump i ka konfirmuar sulmet dhe është zotuar se do të eliminohet "kërcënimi nga regjimi iranian".
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se Irani ka nisur të kundërpërgjigjet me raketa në drejtim të shtetit të Izraelit dhe disa vendeve tjera në Lindje të Mesme.
Për më shumë hollësi rreth zhvillimeve në Iran, ndiqeni blogun tonë këtu:
SHIKONI EDHE: SHBA e Izraeli godasin Iranin, Teherani kundërpërgjigjet me sulme në Lindje të MesmeDuke folur për televizionin Informer, një media proqeveritare, Vuçiq tha se “beteja kryesore do të zhvillohet për ndryshimin e Qeverisë në Iran”, duke e krahasuar situatën me ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi më 1999 dhe me rrëzimin e regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, i cili nisi luftërat në ish-Jugosllavi dhe e çoi vendin drejt izolimit ndërkombëtar.
“E gjithë kjo po realizohet siç ndodhi në Serbi. Gënjyen gjatë gjithë kohës se bëhej fjalë për katastrofë humanitare, ndërsa thelbi ishte në dy gjëra – e para, ndryshimi i regjimit në Beograd dhe, e dyta – thelbi i gjithë veprimit të NATO-s, sigurimi i pavarësisë së Kosovës. Pra, kjo është një përpjekje për të marrë pushtetin e plotë në Iran dhe për ta orientuar Iranin, siç do të thoshin ata, drejt vlerave perëndimore”, tha Vuçiq.
Përgjatë fjalës së tij, presidenti serb përmendi edhe blerjen e sistemeve të reja të mbrojtjes ajrore.
“Do ta ruaj paqen, por kjo varet edhe nga sa i fortë je. Ne do të sigurojmë sisteme jashtëzakonisht të fuqishme. Po e shqyrtojmë seriozisht këtë, kemi mbrojtje shumë-shtresore”, tha Vuçiq.
Ndërhyrja e NATO-s në Jugosllavi u ndërmor pas përndjekjes dhe krimeve të forcave serbe kundër popullsisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë, të cilat u vërtetuan me vendime të Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë.
Pas bombardimeve të NATO-s, ushtria dhe policia serbe u tërhoqën nga Kosova, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008. Beogradi nuk e njeh Kosovën edhe sot.