Waters: Teoria që lidh Thaçin dhe të tjerët me krime mund të shtrihet shumë gjerë

Prishtinë. Shtator 2026.

Teoria që Prokuroria Speciale përdor për t’i lidhur Hashim Thaçin dhe tre të bashkakuzuarit me krimet e pretenduara mund të shkojë shumë përtej katër personave në bankën e të akuzuarve.

Kështu vlerëson Timothy Waters, profesor i së Drejtës në Universitetin e Indianës dhe ekspert i drejtësisë penale ndërkombëtare, i cili ka punuar edhe në rastin e Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin për ish-Jugosllavinë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Waters thotë se “ndërmarrja e përbashkët kriminale” është një teori që mundëson lidhjen e të akuzuarve me krime që nuk pretendohet se i kanë kryer vetë.

“Pikërisht për këtë arsye kjo teori edhe kritikohet”, thotë ai, duke shtuar se pjesa më e vështirë është të dëshmohet lidhja mes krimeve dhe personave në gjykim.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë pritet të shpallin aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Aktakuza përmban dhjetë pika: gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte.

Ajo përfshin, mes tjerash, akuza për përndjekje, burgosje, arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë.

Sipas aktakuzës, krimet e pretenduara janë kryer së paku nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

Prokuroria pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit mbi gjithë Kosovën përmes, mes tjerash, frikësimit, keqtrajtimit, dhunës dhe largimit të atyre që konsideroheshin kundërshtarë.

Viktimat e pretenduara përfshijnë serbë, romë dhe shqiptarë që konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së.

Waters thotë se teknikisht gjykohen katër individë, por se implikimet e teorisë mbi të cilën mbështetet rasti, mund të shtrihen shumë më gjerë.

Radio Evropa e Lirë: Profesor Waters, fillimisht doja t’ju pyesja: çfarë është në të vërtetë në gjykim në këtë rast - individët, apo edhe versioni i Prokurorisë për mënyrën se si ka vepruar UÇK-ja?

Timothy Waters

Timothy Waters: Kjo është një pyetje shumë e mirë. Natyrisht, ka një përgjigje teknike dhe një më të gjerë.

Teknikisht, vetëm këta individë janë në gjykim. E gjithë kjo fushë e së drejtës mbështetet në idenë se gjykohen individët, jo grupet apo shtetet. Pra, ky është edhe thelbi i këtij projekti: pretendimi se përgjegjësia është individuale.

Por, unë jam mjaft skeptik se gjërat mund të ndahen kaq lehtë. Në praktikë, proceset e tilla shpesh shihen si diçka shumë më e gjerë - si një lloj aktakuze ndaj një lëvizjeje politike apo një lëvizjeje të luftës.

Kjo nuk është diçka e re. Ka ndodhur në shumë procese të tilla, që nga Nurembergu, madje mund të kthehemi edhe deri te Lufta e Parë Botërore.

Gjithmonë ka ekzistuar ideja se këto gjykime kanë të bëjnë jo vetëm me individët, por edhe me konfliktin më të gjerë dhe shoqëritë që qëndrojnë pas tij.

Kjo është, gjithashtu, një lloj mbështetjeje e tërthortë për këtë projekt... sepse ka atë që sot e quajmë ‘lawfare’ [përdorim i ligjit si mjet në një konflikt më të gjerë].

Pra, kjo është diçka e pashmangshme në procese të tilla: ato gjithmonë përfundojnë duke pasur kuptim më të gjerë sesa vetëm përgjegjësia e individëve që janë në bankën e të akuzuarve.

SHIKONI EDHE:

Ellis: Aktgjykimi i Speciales mund të bëhet precedent për drejtësinë ndërkombëtare

Kur përgjegjësia individuale shkon përtej individit

Radio Evropa e Lirë: Sa i rëndësishëm është për vendimin përfundimtar debati nëse UÇK-ja ishte e koordinuar apo e fragmentuar?

Timothy Waters: Ne ende nuk e dimë vendimin përfundimtar, prandaj mund vetëm të hamendësojmë se sa vendimtare do të jetë kjo çështje.

Por, duke parë se si kjo teori është përdorur në raste të tjera, është një pjesë shumë e rëndësishme.

Njerëz si Thaçi nuk akuzohen se i kanë kryer drejtpërdrejt veprat.

Në raste të tilla, një gjë është të dëshmosh se dikush ka vrarë apo torturuar një person; pyetja më e vështirë është të përcaktosh marrëdhënien mes atyre që i kanë kryer veprat dhe njerëzve në strukturën ushtarake ose politike.

Këtu kemi persona që nuk pretendohet se i kanë kryer vetë apo urdhëruar drejtpërdrejt krimet, por që, sipas Prokurorisë, kanë pasur një lloj marrëdhënieje komanduese ose vendimmarrëse me to.

Teoria mbi të cilën Prokuroria e ka ndërtuar rastin, quhet ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’.

Është një koncept juridik shumë i ndërlikuar. Ai lejon që shumë njerëz të lidhen me një grup veprash penale, duke bërë që një person të mbajë përgjegjësi juridike për krime të kryera nga të tjerët - madje edhe për krime për të cilat mund të mos ketë ditur.

Shembulli më i njohur nga pala tjetër e konfliktit është rasti i Sllobodan Millosheviqit.

Ai u gjykua mbi bazën e teorisë së ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’, e cila përfshinte luftërat në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Kjo krijoi një teori të gjerë që mundësonte lidhjen e shumë njerëzve dhe veprave brenda së njëjtës ndërmarrje.

E njëjta teori po përdoret edhe këtu. Nuk po e them këtë domosdoshmërisht si kritikë, por për të shpjeguar se ajo i jep Prokurorisë mundësi të shkojë shumë larg, pa qenë e nevojshme të dëshmojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes secilit të akuzuar dhe secilit krim.

Pikërisht për këtë arsye kjo teori edhe kritikohet. Është aq e gjerë sa mund të krijojë një narrativ që i lidh të akuzuarit me një gamë shumë të madhe të veprimeve të UÇK-së.

Dhe kjo na kthen te pyetja juaj e parë: a po gjykohen katër individë, apo po gjykohet një ndërmarrje shumë më e gjerë, me një qëllim të përbashkët, gjatë së cilës janë kryer krime?

Kjo është edhe arsyeja pse procese të tilla mund të perceptohen si sulm ndaj një lëvizjeje më të gjerë. Në Kosovë, shumë njerëz e shohin këtë si një sulm ndaj luftës çlirimtare dhe lëvizjes që qëndronte pas saj. A e kanë gabim ata që e shohin kështu? Nuk më takon mua ta them.

SHIKONI EDHE:

Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm, a lirohet menjëherë?

Pse lidhja me krimet është pjesa më e vështirë?

Radio Evropa e Lirë: A mund të konstatojnë gjyqtarët se janë kryer krime, por se Prokuroria ka dështuar t’i lidhë ato me katër të akuzuarit?

Timothy Waters: Po, kjo është sigurisht e mundur. Sepse, kjo është pikërisht një teori që synon të krijojë lidhjen mes krimeve dhe të të akuzuarve.

Ajo që ka ndodhur është jashtëzakonisht e rëndësishme: dikush është vrarë, një familje është shkatërruar dhe, natyrisht, kjo duhet të dëshmohet.

Por, shpesh është më e lehtë të vërtetohet vetë krimi. Mund të kesh trupa të gjetur në një pus, njerëz të vrarë me duart e lidhura pas shpine... Dikush i ka vrarë dhe shpesh mund të përcaktohet se kush e ka bërë. Ndonjëherë ka edhe video.

Ajo që nuk kemi është një video që mund të tregojë lidhjen mes atij krimi dhe dikujt si Thaçi. Nëse ai, për shembull, është duke negociuar në Francë, cila është marrëdhënia e tij me diçka që po ndodh në terren në atë kohë apo më vonë?

Unë kam punuar shumë në rastin e Millosheviqit. Ai nuk ishte fizikisht pranë vendeve ku zhvilloheshin këto luftëra. Lidhja me të ndërtohej - edhe pse ai proces nuk përfundoi - përmes bisedave, urdhrave dhe marrëdhënieve me të tjerët.

Pra, pikërisht këto lidhje duhet të dëshmohen. Sepse, në shumë prej këtyre rasteve, ekzistenca e krimeve nuk është çështja më e kontestuar. Pjesa e vështirë është të dëshmohet marrëdhënia mes atyre krimeve dhe personave që janë në gjykim.

Dhe për ta dëshmuar këtë, përdoret një teori që mund të shtrihet te një numër shumë i madh njerëzish.

Formalisht, askush nuk po thotë se UÇK-ja është në gjykim. Në gjykim janë këta katër persona. Por, teoria që përdoret nuk përfundon domosdoshmërisht me ta; logjikisht, implikimet e saj mund të shtrihen edhe te shumë njerëz të tjerë.

Kjo nuk do të thotë se ata njerëz do të gjykohen. Por, është e kuptueshme që implikimet e një teorie të tillë mund të krijojnë shqetësim, sepse prekin mënyrën se si njerëzit e shohin atë për të cilën kanë luftuar.

Katër të akuzuarit: Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Hashim Thaçi.

Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se do të ishte shumë e vështirë të dëshmohej një ndërmarrje e tillë e përbashkët kriminale?

Timothy Waters: Të dëshmosh lidhjen e një personi me një varg ngjarjesh është e ndërlikuar. Kjo teori mundëson që barra e provës të jetë më e lehtë. Nuk po e them këtë si kritikë, por thjesht po e përshkruaj se si funksionon.

Për ta ilustruar, mund të mendojmë për mënyrën se si gjykatat kanë ndryshuar qasjen ndaj rasteve të dhunës seksuale, ose ndaj dëshmive të fëmijëve.

Në disa raste janë ndryshuar mënyrat e dëshmimit apo standardet që duhet të përmbushen, sepse është pranuar se historikisht gjykatat, për shembull, nuk u kanë besuar sa duhet dëshmive të grave që kanë raportuar dhunë seksuale.

Standardet ndryshohen me synimin për të arritur tek e vërteta.

Edhe kjo teori përpiqet të bëjë diçka të ngjashme. Ajo thotë se duhet të ketë një barrë më të lehtë, më të ulët, për të arritur tek e vërteta që qëndron pas këtyre ngjarjeve.

Nëse kjo duhet bërë apo jo, është një pyetje e vështirë. Unë vetëm po them se ky është qëllimi dhe efekti i saj: e bën më të lehtë provimin e lidhjes.

Ka edhe një shaka të vjetër për ‘ndërmarrjen e përbashkët kriminale’: “Çfarë do të thotë në të vërtetë ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’? Përgjigjja: Thjesht, dënoji të gjithë”. Sepse, kjo teori mund të shtrihet shumë gjerë.

Kjo tregon edhe pse prokurorët e pëlqejnë, ndërsa avokatët mbrojtës jo.

Nëse je kritik ndaj një gjykate, mund ta shohësh këtë si një instrument që ia bën punën tepër të lehtë Prokurorisë.

“45 vjet burgim”: Çfarë tregon kërkesa e Prokurorisë?

Radio Evropa e Lirë: Prokuroria po kërkon nga 45 vjet burgim për secilin të akuzuar. Çfarë na tregon kjo për mënyrën se si Prokuroria e vlerëson peshën e këtij rasti?

Timothy Waters: Kërkesa për 45 vjet, besoj, sinjalizon se Prokuroria e konsideron këtë një rast jashtëzakonisht serioz.

Por, mënyra se si përcaktohen dënimet në këto gjykata, është shumë e vështirë për t’u kuptuar, sepse nuk ekziston një teori e qartë pas tyre.

Dhe ky nuk është problem vetëm i gjykatave ndërkombëtare. Edhe në sistemet kombëtare, përcaktimi i dënimit është shumë i ndërlikuar.

Ose vendos rregulla të ngurta dhe përfundon duke dhënë dënime të ngjashme për raste shumë të ndryshme, ose lë shumë hapësirë për vlerësim dhe atëherë lind pyetja: sa vjet meriton dikush për gjenocid - 40 apo 20? Po për krime kundër njerëzimit apo krime lufte - 40, 20 apo 10 vjet? Kush mund ta përcaktojë këtë?

Nuk është një çështje që mund të përkthehet lehtësisht në terma moralë.

Fajësi apo pafajësi: Çfarë ndryshon pas verdiktit?

Radio Evropa e Lirë: Nëse do të shpalleshin të pafajshëm, çfarë do të tregonte kjo për rastin e Prokurorisë?

Timothy Waters: Nëse shpallen të pafajshëm, kjo mund të nënkuptojë se drejtësia është vënë në vend dhe ne duhet të jemi të kënaqur me këtë, sepse qëllimi nuk është që njerëzit të dënohen me çdo kusht.

Por, mund të shihet edhe krejt ndryshe.

Një nga problemet që kam me këto gjykata, që nga vitet ‘90, është se... ato supozohet të jenë gjykata që zbatojnë ligjin dhe zhvillojnë procese të drejta - dhe unë besoj se, në përgjithësi, janë të tilla. Por, pas tyre ekziston edhe një projekt më i gjerë: ideja se ato duhet të sjellin drejtësi. Dhe kjo drejtësi shpesh perceptohet sikur mund të arrihet vetëm përmes dënimeve.

Prandaj, një vendim pafajësie nuk shihet domosdoshmërisht si dëshmi se sistemi funksionoi siç duhet; mund të shihet edhe si dështim.

Natyrisht, kjo ndodh edhe në sistemet kombëtare. Nuk kam dëgjuar ndonjë prokuror që humb një rast dhe thotë: ‘Jam i kënaqur që sistemi i drejtësisë po funksionon’. Prokurorët duan ta fitojnë rastin, ashtu si edhe mbrojtja.

Por, çështja është më e gjerë se kaq. Brenda gjithë ekosistemit të mbështetjes diplomatike dhe të shoqërisë civile rreth këtyre gjykatave, si dhe mes vetë personelit të tyre, ekziston ideja se roli i gjykatës është të arrijë dënime që kontribuojnë në përcaktimin e së vërtetës për këto konflikte.

Pra, këto gjykata kanë edhe një funksion narrativ, dhe një vendim pafajësie nuk i shërben atij funksioni në të njëjtën mënyrë.

Prandaj, mendoj se pafajësia do të perceptohej si një dështim i madh, edhe pse sigurisht do të kishte njerëz, në Kosovë dhe gjetkë, që do ta mirëprisnin.

Your browser doesn’t support HTML5

Incizime të vizitave: Specialja akuzon Thaçin se udhëzoi të tjerët si të ndikonin te dëshmitarët

Radio Evropa e Lirë: Po nëse shpallen fajtorë? Çfarë do të thoshte një vendim i tillë për UÇK-në dhe për luftën e Kosovës?

Timothy Waters: Një vendim fajësie, në radhë të parë, do të ishte vendim ndaj katër individëve, të cilët më pas do të kishin të drejtën e apelit dhe, nëse vendimi mbetet në fuqi, do të vuanin dënimet e shqiptuara. Ky është fakt më vete.

Por, mendoj se disa aktorë, për shembull në Serbi, do ta interpretonin një vendim të tillë si dëshmi të paligjshmërisë së UÇK-së në përgjithësi.

Ndërsa, siç e kuptoj unë - dhe ju e dini këtë shumë më mirë se unë - në Kosovë, shumica e aktorëve ka të ngjarë ta refuzonin vendimin si jolegjitim.

Nëse ndodh kështu, kjo do të ishte plotësisht në përputhje me atë që kemi parë në gjykimet e tjera për luftërat në ish-Jugosllavi.

Këto vendime pothuajse gjithmonë interpretohen përmes përkatësisë etnike. Mund ta kuptosh se cilës palë i përket dikush nga mënyra se si reagon ndaj proceseve gjyqësore në Kroaci, Serbi apo Bosnje.

Kjo më çon te një përfundim tjetër: një nga gjërat që dikur mendonim se këto gjykata do të arrinin - krijimin e narrativëve të rinj që do të ndihmonin pajtimin - ka dështuar plotësisht.

Ato nuk e kryejnë këtë funksion.

Dhe pse do të prisnim që kjo gjykatë ta bënte këtë, veçanërisht në këtë rast? Kjo është një gjykatë tërësisht ndërkombëtare dhe, sipas meje, e imponuar nga jashtë. E di se formalisht është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por financohet, kontrollohet dhe përbëhet nga të huajt.

Po të ndodhte kjo 150 vjet më parë, do ta quanim një lloj kapitullimi: një gjykatë e jashtme e imponuar ndaj një shteti. Si mund të pritet që ajo të perceptohet si legjitime nga njerëzit ndaj të cilëve është imponuar? Mua më duket shumë e pamundur.

“Gjykatat nuk e kanë sjellë pajtimin”

Radio Evropa e Lirë: Bazuar në punën tuaj në rastin e Millosheviqit, ku përfundon përgjegjësia penale individuale dhe ku fillon gjykimi historik?

Timothy Waters: Besoj se kufiri mes tyre është i paqartë. Në teori, këto gjykata merren vetëm me përgjegjësinë penale individuale. Por, nëse shohim se si e kanë perceptuar vetë rolin e tyre, veçanërisht që nga vitet ‘90, ato shpesh e kanë parë veten edhe si institucione që tregojnë një narrativ më të gjerë historik dhe me rëndësi politike.

Disa prej këtyre gjykatave, madje, e kanë pasur të përcaktuar në statut se duhet të kontribuojnë në pajtim.

Edhe Tribunali për ish-Jugosllavinë [ICTY] e shihte hapur veten, sidomos në fillim, si një gjykatë që do të ndihmonte në pajtim.

Kjo nënkupton një rol shumë më të madh sesa thjesht të përcaktosh përgjegjësinë juridike të një individi.

Me kalimin e kohës, këto ambicie u zvogëluan, pjesërisht sepse u bë e qartë se gjykatat nuk po arrinin atë që ishte pritur prej tyre.

Kur ICTY-ja përfundoi punën, vetë përfaqësuesit e saj pranuan se nuk ishte arritur pajtimi mes palëve të dikurshme ndërluftuese në Bosnje, Kroaci, Serbi dhe Kosovë.

Për mua, kjo ishte madje një nënvlerësim. Është arritur shumë pak - ndoshta, në disa raste, situata është bërë edhe më e keqe.

Pra, ambiciet e këtyre gjykatave nuk përputhen domosdoshmërisht me atë që ato realisht mund të arrijnë.

Nuk dua të sugjeroj se pikërisht kjo po ndodh edhe këtu. Mendoj se këto gjykata kanë mësuar të kenë synime më modeste.

Dhomat e Specializuara janë një ndërmarrje shumë më e kufizuar - si në fushëveprim, ashtu edhe në ambicie.

Njerëzit kalojnë pranë ekranit me numërimin mbrapsht në Prishtinë, i cili tregon kohën e mbetur deri në shpalljen e vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Fotografia është bërë më 11 shtator.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë, sipas jush, do të ketë më shumë rëndësi te ky vendim: rezultati, arsyetimi juridik apo ajo që do të lërë pas si dëshmi historike?

Timothy Waters: Mendoj se rekordi historik do të jetë më pak i rëndësishmi. Nuk besoj se njerëzit do t’i drejtohen kësaj gjykate për ta kuptuar historinë e tyre. Ata do t’u drejtohen rrëfimeve të veta, familjeve, arsimit dhe shoqërisë së tyre për të kuptuar se çfarë ka ndodhur.

E kam të vështirë të imagjinoj se kjo gjykatë do t’ua ndryshojë mendimin njerëzve në Kosovë apo Serbi për atë që ka ndodhur.

Rezultati pritet të ketë rëndësi politike. Një vendim fajësie apo pafajësie do të ndikojë në politikën në Kosovë, në rajon dhe potencialisht edhe në Shtetet e Bashkuara - në masën që SHBA-ja do t’i kushtojë vëmendje.

Arsyetimi juridik do të ketë rëndësi kryesisht brenda vetë fushës së drejtësisë penale ndërkombëtare. Ky rast mbështetet në teorinë e ‘ndërmarrjes së përbashkët kriminale’ dhe juristët do të duan të shohin se si e ka trajtuar gjykata këtë teori: cilat pjesë i ka pranuar, cilat i ka refuzuar dhe nëse ka ndryshuar apo zhvilluar ndonjë doktrinë juridike.

Në këtë fushë, vëmendja shpesh përqendrohet pikërisht te këto çështje: teoritë e reja juridike, zgjerimi i fushëveprimit të krimeve apo ndryshimet procedurale.

Çdo vendim analizohet hollësisht për të parë se çfarë nënkupton për të drejtën penale ndërkombëtare dhe për rastet e ardhshme.

Por, jam skeptik se kjo ka po aq rëndësi jashtë botës juridike.

Pasojat më të rëndësishme do t’i ketë rezultati dhe mënyra se si aktorët e ndryshëm do ta përdorin politikisht një vendim fajësie apo pafajësie.

Radio Evropa e Lirë: Këto ditë pamë se si një kriminel i dënuar për gjenocid, Ratko Mlladiq, u varros me nderime shtetërore në Serbi. Cili është komenti juaj?

Timothy Waters: Në rastin e Mlladiqit, lidhja me strukturën komanduese ishte shumë më e drejtpërdrejtë. Kemi pasur pamje filmike; ai ishte aty, ishte gjeneral, jepte urdhra.

E, megjithatë, shikoni reagimin. I gjithë gjykimi, procedurat dhe argumentet juridike nuk kanë pasur rëndësi për njerëzit që nuk e konsiderojnë gjykatën legjitime.

Dhe, shikoni edhe palën tjetër: as boshnjakët nuk janë të kënaqur, sepse për ta verdikti ishte i pamjaftueshëm - gjenocidi u njoh vetëm për Srebrenicën dhe jo për vende të tjera.

Pra, kush në atë pjesë të botës e konsideron këtë një rezultat të mirë? Për cilën palë ky proces ka kontribuar në pajtim apo në krijimin e një realiteti të ri?

Në vend të kësaj, kemi funeral shtetëror dhe Mlladiqin që trajtohet si hero. Për mua, kjo na tregon shumë më tepër sesa ajo që ndodh brenda sallës së gjyqit.

Ndoshta duhet t’i kemi këto gjykime sepse janë procedurialisht të drejta ose sepse mund të prodhojnë një rezultat të drejtë. Por, ato janë jashtëzakonisht të kushtueshme nëse ky është i vetmi qëllim. Dhe unë mendoj se është më mirë kur vetë shoqëritë i zhvillojnë këto procese. Një gjykim në Serbi, edhe dekada më vonë, do të kishte pasur më shumë vlerë sesa gjithë kjo.

Edhe nëse besojmë se këto gjykime ia vlejnë, pyetja mbetet e njëjtë edhe për njerëzit që po gjykohen tani: a i kanë kryer këto vepra dhe, nëse po, a meritojnë të dënohen? Sigurisht, nëse akuzat dëshmohen.

Por, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kjo është mënyra më e mirë apo më e dobishme për ta bërë këtë. Për këtë jam shumë skeptik.

SHIKONI EDHE:

I dënuari për gjenocid, Ratko Mlladiq, u varros me nderime shtetërore në Serbi

Radio Evropa e Lirë: Cila është alternativa atëherë?

Timothy Waters: Po, kjo është një pikë shumë e mirë. Madje jam duke punuar në një libër, një nga titujt e mundshëm të të cilit është ‘Just Doing Something’ (‘Thjesht të bësh diçka’).

Sepse, pavarësisht të gjitha problemeve dhe dëshmive se këto gjykata nuk funksionojnë siç pritet, në fund gjithmonë thuhet: ‘Po, por duhet të bëjmë diçka’.

Por, ‘diçka’ mund të nënkuptojë edhe të mos e bësh këtë. Mund të nënkuptojë të bësh diçka tjetër, madje edhe të presësh.

Mbaj mend një bisedë me disa kroatë, të cilët më thanë: ‘Nëse nuk e kemi Tribunalin për ish-Jugosllavinë, ne në Kroaci nuk do t’i zhvillojmë vetë këto procese’. Dhe përgjigjja ime ishte: ‘Ndoshta kjo është e vërtetë. Por, pse të mos presim derisa të jeni gati?’

Ndoshta kjo nuk do të ndodhë për disa dekada. Por, imponimi i një procesi nga jashtë nuk do ta përshpejtojë domosdoshmërisht këtë.

Natyrisht, ka kundërargumente. Dikush tjetër mund t’ju thotë se këto gjykata e nxisin ndryshimin - dhe në disa raste mund ta bëjnë këtë.

Por, në Ballkan ka arsye të forta për të dyshuar nëse kjo mund të funksionojë ndonjëherë.

Prandaj, një alternativë është që bashkësia ndërkombëtare të mos ndërhyjë fare përmes gjykatave të tilla, nisur nga ideja se ardhja e një grupi gjyqtarësh të huaj për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur, nuk do të sjellë shumë dobi, nëse vetë shoqëria nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj.

Nëse një ditë bëhet gati, atëherë një proces i tillë mund të ketë vlerë.

Unë do të isha në rregull edhe sikur këto gjykata të mos ekzistonin.

Kjo është fusha ime, por nuk mendoj se ato po arrijnë shumë. Në vend të tyre, mund të nxiten proceset vendore dhe të mendohet edhe për forma që nuk lidhen me gjykimet.

Pse jo shkrimi i historisë? Projekte arsimore? Ka shumë mënyra përmes të cilave shoqëritë përballen me të kaluarën e tyre dhe që nuk kanë të bëjnë me gjykatat.

Gjykimet janë procese formale juridike, por ato zhvillohen brenda një konteksti politik dhe shoqëror. Ato kanë nevojë për atë mjedis që të funksionojnë. Nëse një shoqëri nuk është e gatshme të angazhohet me një proces të tillë juridik, ai nuk do të zërë rrënjë.

Dhe, mendoj se pikërisht ky është problemi këtu. Është problem në Kosovë, në Serbi dhe, në mënyrë veçanërisht të theksuar, në Bosnje.

Mund të kthehemi edhe te Gjermania dhe Nurembergu. Edhe ai ishte një proces i imponuar nga jashtë dhe ka hulumtime që tregojnë se ka shumë pak dëshmi se gjermanët u bindën prej tij.

Ndryshimet në qëndrimet e shoqërisë gjermane nuk i shohim deri në vitet ‘60.

Dhe pyetja është: a ndodhi kjo për shkak të Nurembergut, apo për shkak të kalimit të kohës dhe shumë ndryshimeve të tjera?

Gjermanët filluan t’i zhvillonin edhe vetë gjykimet e tyre, dhe kjo ndoshta ishte më e dobishme.

Por, as gjykimet nuk ishin faktori kryesor. Ishte një proces shumë më i gjerë ndryshimesh shoqërore.

Pra, ndryshimi është i mundur. Për shumë dekada, Gjermania është bërë një nga shoqëritë më të përkushtuara ndaj përballjes me këtë të kaluar. Por, kjo mund të mos ketë ndodhur sepse iu imponua një gjykim. Mund të ketë ndodhur për shkak të një transformimi shumë më të gjerë shoqëror.