Sveçla: Gjendet arsenal armësh pranë lokacioneve të varrezave masive në Zubin Potok

Disa nga armët e sekuestruara nga Policia, që u ekspozuan, duken se janë të ndryshkura.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se një arsenal armësh, municionesh, e uniformash ushtarake u gjet në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, aty “ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive” dhe ku autoritetet kanë konfirmuar se kanë identifikuar mbetjet kockore të të paktën 23 personave.

Autoritetet dyshojnë se këto armë mund të jenë përdorur për vrasjen e 23 personave. Megjithatë, Policia tha se ky dyshim duhet të verifikohet.

“Zbulimi i këtyre varrezave masive ka nxjerrë në pah edhe një herë dimensionin të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Veriu i vendit tonë, përveç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve, është shfrytëzuar edhe për fshehjen e trupave dhe krimeve”, tha Sveçla në një konferencë për media në Mitrovicë.

Policia ekspozon armatimin që gjeti në veri të Kosovës

Ai tha se tani armët do t’i nënshtrohen analizave për të kuptuar nëse të njëjtat janë përdorur për vrasjen e 23 personave që u gjetën në varrezat e dyshuara masive në veri apo edhe në raste të tjera.

“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot, ai do t'i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara, me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuara, përfshirë ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, tha Sveçla.

Ministri në detyrë, Xhelal Sveçla, gjatë konferencës për media.

Sipas tij, puna e institucioneve nuk përfundon këtu, por do të vazhdojë me zbardhjen e rrethanave, me identifikimin e përgjegjësve dhe “mbi të gjitha me përpjekjet tona për të sjellë drejtësi për çdo të vrarë, të masakruar apo të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

Nga Policia thanë se gjatë bastisjeve në 48 lokacione, u gjetën armë të ndryshme, të gjata, municione, pushkë gjuetie, armë të shkurtra, mjete shpërthyese, uniforma ushtarake etj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, po ashtu tha se ka dyshime që armët të jenë përdorur për të vrarë anëtarët e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.

Institucionet e Kosovës dyshojnë se mbetjet mortore që u gjetën në Zubin Potok mund t’u përkasin grupit të 23 shqiptarëve që ishin zhdukur në atë pjesë të Kosovës në vitin 1999.

Ky grup, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

“Këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive, te rasti i grupit të intelektualëve, por këto mbeten që të verifikohen pas ekzaminimeve që do të bëhen në laboratorët e Kosovës, por edhe nëse ka nevojë, dërgohen edhe jashtë. Mbetet një informacion që duhet të verifikohet”, tha Hoxha.

Sveçla dha edhe detaje për gërmimet e kryera në tri lokacione në Zubin Potok. Në lokacionin e parë, sipas tij, janë gjetur mbetjet mortore të 13 personave, në të dytin katër dhe në lokacionin e tretë gjashtë mbetje mortore.

Një ditë më parë, Prokuroria Speciale njoftoi se mbetjet mortore do t’i nënshtrohen procedurave të identifikimit.

Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik dhe janë zhvilluar në Kalludër të Vogël, Jabukë dhe në një lokacion tjetër në këtë komunë, në veri të Kosovës.

Gërmimet nisën pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.

Lidhur me dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile, pas nisjes së gërmimeve në veri, janë arrestuar tre persona të dyshuar. Që të tre gjenden në paraburgim.

Gjatë konferencës, Sveçla përsëriti thirrjen që Serbia të hapë arkivat ushtarake, që të zbardhet fati i personave të zhdukur gjatë luftës më 1998/99.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.