Shkurtimisht
- Në Kosovë fillon zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt.
- Masat do të prekin kryesisht serbët që jetojnë në Kosovë, përdorin automjete me targa serbe mbi bazën e autorizimit, ose nuk kanë dokumente kosovare.
- Politikanët serbë dhe organizatat joqeveritare kanë kritikuar masat dhe kanë kërkuar dialog ose shtyrje të tyre.
Në Kosovë, nga sonte në mesnatë, fillon zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin, sipas të cilit automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.
Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Njëkohësisht, nis edhe zbatimi strikt i Ligjit për të huajt sa u përket dokumenteve personale.
Sipas tij, të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve.
Këto masa do të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë dhe që deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi mbi bazën e autorizimit, ose nuk kanë pasur dokumente të Kosovës.
SHIKONI EDHE: "Do ta marr pasaportën e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur"Zbatimi pa përjashtime i këtyre dy ligjeve ishte paraparë të fillonte më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shtyu këtë afat deri në mesnatën e 15 janarit, 2026, për të mundësuar zhvillimin e një fushate informuese.
Këto masa të autoriteteve kosovare, megjithatë, po hasin në kritika nga komuniteti serb - sektori civil dhe përfaqësuesit politikë.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se gjatë fazës së parë të zbatimit të këtyre ligjeve në vendkalimet kufitare vizitorëve që hyjnë në territorin e Kosovës do t’u shpërndahen materiale informuese rreth procedurave dhe rregullave specifike, duke theksuar se kjo periudhë informuese do të zgjasë deri më 15 mars.
“Pas kësaj fillon zbatimi i plotë i procedurave dhe rregullave që parashihen me ligjet e lartëpërmendura. Qeveria e Republikës së Kosovës njofton se kjo periudhë e zbatimit afirmativ duhet të përdoret maksimalisht për të filluar me procesin e integrimit përmbajtësor të sistemit shëndetësor dhe atë të arsimit në gjithë territorin e vendit”, shkroi ai në Facebook më 15 janar.
Ndaj deklaratës së Bislimit reagoi Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e afërt me Beogradin zyrtar.
Ky subjekt politik vlerësoi se shtyrja e zbatimit të rregullave është e vetmja zgjidhje racionale dhe e përshëndeti angazhimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë për të gjetur një zgjidhje.
Në njoftim u tha se periudha kalimtare deri më 15 mars duhet të shfrytëzohet pikërisht për gjetjen e një modeli me të cilin do të zgjidhet çështja e zbatimit të dy ligjeve.
“Është e qartë se vetëm shtyrja nuk do ta zgjidhë problemin që qytetarët tanë të mos mund t’i përdorin dokumentet e tyre ose t’i marrin ato, përkatësisht që të mos mund t’i përdorin automjetet e tyre”, u tha në reagimin e Listës Serbe.
Ndërkaq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, sipas agjencisë Beta, tha se shtyrja dymujore e zbatimit të dy ligjeve duhet të jetë rezultati përfundimtar i përpjekjeve ndërkombëtare, sepse në të kundërtën, tha ai, dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë do të vihet në rrezik.
Petkoviq tha se kjo është një “lëvizje përshkallëzuese” dhe se Bislimi ka bërë deklarata “kërcënuese” kur tha se afati deri në mars duhet të shfrytëzohet si periudhë për integrim përmbajtësor të sistemit shëndetësor dhe arsimor.
Si do të ndikojë Ligji për komunikacionin te komuniteti serb?
Nga Policia e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin.
Megjithatë, deri më tani, kjo praktikë është toleruar për t’u dhënë qytetarëve kohë t’i ndërrojnë targat.
Veton Elshani theksoi se, nga 15 janari në mesnatë, policia do ta zbatojë ligjin në terren. Ai shtoi se drejtimi i automjeteve mbi bazën e autorizimit do të lejohet vetëm në raste emergjente, por me paralajmërim.
“Për shembull, nëse dikush shkon në spital, nuk do ta ndalojmë dhe nuk do ta konfiskojmë menjëherë automjetin. Por, nëse i njëjti person ndalohet përsëri në ditët në vazhdim, mund t’i shqiptohet gjobë deri në 200 euro”, shpjegoi ai.
SHIKONI EDHE: Si ndikon zbatimi i rreptë i Ligjit për të huajt te serbët në Kosovë?Kosova ndaloi në fund të vitit 2022 qarkullimin e automjeteve me targa me akronimet e qyteteve të Serbisë.
Kjo masë shkaktoi daljen e disa serbëve nga institucionet e Kosovës dhe rriti tensionet në terren.
Disa nga pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, i regjistruan më pas automjetet e tyre me targa të Serbisë dhe i përdornin ato mbi bazën e autorizimit.
Në këtë autorizim përfshihen të dhënat e kartës së identitetit të drejtuesit të automjetit, e cila lëshohet nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë, por që Prishtina zyrtare nuk e njeh.
Si do të ndikojë Ligji për të huajt te komuniteti serb?
Ligji për të huajt mund t’i prekë pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente kosovare, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë.
Megjithatë, Elshani tha se ligji nuk do të zbatohet strikt për ata që jetojnë në Kosovë dhe që për ndonjë arsye nuk kanë dokumente kosovare.
“Ne nuk do t’i dëbojmë këta persona, nuk do t’i ndajmë nënat nga fëmijët apo baballarët nga fëmijët”, tha ai, duke shtuar se ligji do të zbatohet vetëm për ata që vijnë në Kosovë për turizëm, punë ose studime.
“Zbatimi do të bëhet gradualisht, nuk do të dëbohet askush menjëherë. Për shembull, nëse në orën 02:00 të mëngjesit policia takon dikë në rrugë dhe ai nuk ka dokumente kosovare, ai do të njoftohet që duhet të paraqitet në stacionin policor”, shpjegoi Elshani.
SHIKONI EDHE: Kosova shtyn zbatimin e rreptë të Ligjit për të huajt dhe për AutomjeteNë manualin “Udhëzuesi për hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve në Republikën e Kosovës”, i publikuar vitin e kaluar, shpjegohet procedura për marrjen e lejes për “qëndrim të përkohshëm, afatshkurtër ose të përhershëm”.
Vendimin për lëshimin e lejeve do ta marrë Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Në Mitrovicë të Veriut funksionon një universitet që punon brenda sistemit të Serbisë, ku studiojnë ose punojnë shtetas të Serbisë. Po ashtu, punonjës nga Serbia ka edhe në institucionet shëndetësore në mjediset me shumicë serbe dhe në disa institucione kulturore.
Megjithatë, autoritetet e Kosovës nuk i njohin këto organe serbe dhe kanë mbyllur shumicën e tyre, përveç institucioneve arsimore dhe shëndetësore.
Reagimet e sektorit civil dhe të politikanëve
Të dhëna të sakta zyrtare se sa serbë jetojnë në Kosovë dhe posedojnë dokumente kosovare, nuk ka, pasi pjesëtarët e këtij komuniteti, kryesisht në katër komunat e veriut, e bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2024.
Megjithatë, një raport i organizatës joqeveritare Aktiv nga viti 2024, me titullin “Analiza e trendëve dhe qëndrimeve të komunitetit serb”, nxori në pah se mbi 93% e 503 të anketuarve kanë dokumente kosovare.
Grupi i organizatave serbe joqeveritare ka theksuar më herët se ekzistojnë mijëra serbë të Kosovës që nuk mund të marrin dokumente kosovare, pasi “regjistrimi civil i serbëve të Kosovës, si dhe i pjesëtarëve të tjerë të komuniteteve joshumicë, është penguar për një kohë të gjatë”.
Autoritetet kosovare, në periudhën nga nëntori 2024 deri në prill 2025, u mundësuan serbëve në Kosovë ta marrin shtetësinë “më vonë”, duke pasur parasysh se disa nuk mund t’i merrnin dokumentet kosovare për shkak se posedonin vetëm dëshmi të lindjes, të lëshuara nga institucionet serbe, të cilat Prishtina nuk i njeh.
Lista Serbe - partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar - njoftoi më 14 janar se ka zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësues ndërkombëtarë, lidhur me zbatimin e Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt, duke theksuar se ka hasur në mirëkuptim, por se nuk ka marrë përgjigje ndaj kërkesave të saj.
“Edhe gjatë ditëve të fundit, përfshirë edhe sot, kemi qenë në kontakt intensiv me përfaqësues ndërkombëtarë dhe kemi përcjellë shqetësimet e qytetarëve tanë, veçanërisht sa u përket pasojave të mundshme nga zbatimi eventual i këtyre vendimeve të dëmshme”, thuhet në reagim.
Lista Serbe u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që ta shtyjnë sërish zbatimin e këtyre “rregullave”, me qëllim që të gjendet një model i përshtatshëm.
SHIKONI EDHE: Komuniteti serb në Kosovë kërkon pezullimin e zbatimit të Ligjit për të huajtEdhe politikanë të tjerë serbë reaguan ashpër ndaj këtyre masave.
Nenad Rashiq, udhëheqës i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili fitoi një ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e fundit, deklaroi më 13 janar për transmetuesin publik kosovar se masat duhet të shtyhen përsëri, pasi “nuk jemi mjaftueshëm të përgatitur”.
Lëvizja Kombëtare Serbe e Millija Bishevacit, Iniciativa Qytetare “Rrënjët” e Ivan Vuçkoviqit dhe Iniciativa Qytetare “Veriu për të gjithë” e Marko Jakshiqit, iu drejtuan më 15 janar me një letër të hapur Qeverisë në detyrë të Kosovës, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, duke kërkuar reagim të menjëhershëm lidhur me zbatimin e Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt, me arsyetimin se këto masa do t'i prekin mijëra familje.
Këta përfaqësues politikë të serbëve në nivel lokal kërkuan, mes tjerash, shtyrjen e zbatimit të ligjeve të kontestuara, nisjen e dialogut me përfaqësuesit e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joshumicë, si dhe gjetjen e modaliteteve të përshtatshme dhe të zbatueshme që, siç thanë, do t’u sigurojnë qytetarëve një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit kërkoi që zgjidhja të gjendet përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Nga ana tjetër, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i cilësoi këto masa si “hapa të rinj përshkallëzues”.
Kjo zyrë paralajmëroi se, nëse Bashkimi Evropian dhe grupi i Quint-it nuk reagojnë, “Beogradi do të detyrohet të shqyrtojë një përgjigje politike dhe ligjore - adekuate ndaj këtyre shkeljeve drastike të të drejtave themelore të popullit serb përmes masave të reja të njëanshme dhe të dhunshme”.