Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka shpalosur variantin më të fundit për një marrëveshje paqeje, e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila synon t’i japë fund luftës pothuajse katërvjeçare të Rusisë kundër Ukrainës.
Duke i njoftuar gazetarët më 23 dhjetor, Zelensky paraqiti një plan me 20 pika, i përpiluar gjatë javëve të fundit nga negociatorë nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina dhe vendet evropiane.
Drafti thekson një marrëveshje të plotë dhe të pakushtëzuar “joagresore” midis Rusisë dhe Ukrainës, megjithëse çështje të pazgjidhura, si kontrolli territorial mbi Ukrainën lindore dhe fati i centralit bërthamor të Zaporizhjas - objekti më i madh i energjisë bërthamore në Evropë - mbeten ende të ndërlikuara.
Kremlini deklaroi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ishte njoftuar me draftin dhe se Moska tani po përgatit përgjigjen e saj.
SHIKONI EDHE: Trump thotë se një marrëveshje për Ukrainën është “më afër se kurr딓Ky është një dokument që quhet kornizë, një dokument themelor për përfundimin e luftës, një dokument politik mes nesh, Amerikës, Evropës dhe rusëve”, tha Zelensky.
“Ne jemi të gatshëm për një takim me Shtetet e Bashkuara në nivelin e liderëve për të shtjelluar çështje të ndjeshme. Çështje si ajo e territoreve duhet të diskutohen në nivelin e liderëve”.
Garanci e sigurisë për Ukrainën
Drafti parashikon garanci të forta sigurie për Ukrainën, përfshirë ruajtjen e numrit të personelit të Forcave të Armatosura të Ukrainës në 800.000 edhe në kohë paqeje.
Ai gjithashtu parashikon që Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe shtetet nënshkruese evropiane, t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie që pasqyrojnë Nenin 5, një element qendror i strukturës së aleancës, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve.
Marrëveshja do të plotësohej me marrëveshje dypalëshe SHBA-Ukrainë për sigurinë dhe rindërtimin, dhe Ukrainës do t’i lejohej anëtarësimi në Bashkimin Evropian brenda një afati kohor të përcaktuar qartë, thuhet në plan.
SHIKONI EDHE: Donbasi dhe më gjerë: Pengesat territoriale për paqen në UkrainëPutini ka theksuar së fundmi se Ukraina duhet t’ia dorëzojë Rusisë rreth 5.000 kilometra katrorë të rajonit lindor të Donbasit, të cilin Moska po përpiqet ta marrë me forcë, dhe se Kievi duhet të heqë dorë zyrtarisht nga synimi për t’u anëtarësuar në aleancën ushtarake të NATO-s.
“Vija e vendosjes së trupave në datën e kësaj marrëveshjeje njihet de facto si vija e kontaktit”, tha Zelensky.
“Një grup pune do të mblidhet për të përcaktuar rivendosjen e forcave të nevojshme për t’i dhënë fund konfliktit, si dhe për të përcaktuar parametrat e zonave të mundshme të veçanta ekonomike në të ardhmen”.
Një diplomat i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se garancitë e sigurisë dhe zgjidhja e çështjeve territoriale janë “thelbi i problemit”.
“Mendoj se gjëja më e rëndësishme për ne është që Ukraina ta miratojë marrëveshjen. Siç u tha më herët, evropianët nuk do të mbështesin një marrëveshje pa miratimin e Ukrainës”, shtoi diplomati, i cili kërkoi të mbetet anonim.
Çështjet e ndërlikuara
Zelensky tha se do të krijohet një mekanizëm për ta kontrolluar vijën e kontaktit përmes vëzhgimit të palëvizshëm nga hapësira, si dhe për të siguruar njoftim të hershëm për shkeljet.
Pikat kryesore që mbeten të pazgjidhura, sipas tij, përfshijnë fatin e centralit bërthamor të Zaporizhjas, i cili ndodhet në territor nën kontroll ushtarak rus pranë vijës së frontit.
SHIKONI EDHE: Ndërpritet rryma në centralin bërthamor Zaporizhja, Ukraina e fajëson RusinëSipas draftit të planit të paqes, centrali do të udhëhiqej bashkërisht nga Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.
Zelensky ka treguar gjithashtu se një referendum për marrëveshjen e paqes dhe zgjedhjet presidenciale mund të mbahet njëkohësisht, dhe se çdo garanci sigurie do të hynte në fuqi vetëm pasi marrëveshja të ratifikohet plotësisht ose të miratohet përmes referendumit.
“Ukraina do ta paraqesë këtë marrëveshje në Parlament për ratifikim dhe/ose do të mbajë një referendum mbarëkombëtar për miratim në formatin ‘po’ ose ‘jo’”, u tha Zelensky gazetarëve.
Draft-marrëveshja përfshin gjithashtu një dispozitë sipas së cilës të gjithë civilët e ndaluar dhe pengjet, përfshirë fëmijët dhe të burgosurit politikë, do të kthehen.