Zelensky thotë se sulmet ndaj Yandexit paralizuan botët pro-Kremlinit, por ekspertët dyshojnë

Shërbimet e internetit të Yandexit janë kufizuar dukshëm nga sulmet me dronë ukrainas.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se sulmet e fundit të Ukrainës ndaj qendrave të të dhënave të gjigantit rus të teknologjisë, Yandex, kanë ulur numrin e botëve në internet që promovojnë përmbajtje pro-Kremlinit, një pretendim që është kundërshtuar nga shumë studiues të teknologjisë.

Ditët e fundit, Ukraina ka goditur tri qendra të të dhënave që i përkasin Yandexit, i quajtur shpesh “Google i Rusisë”, duke shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në shumë prej shërbimeve të kompanisë, përfshirë shërbimet e transportit me automjete, pagesat, porositë e ushqimit, kompjuterikën në re dhe robotët bisedues.

Sulmi i fundit goditi një objekt të Yandexit në Vladimir, rreth 180 kilometra në lindje të kryeqytetit, Moskës, më 11 tetor, duke detyruar ndërprerjen e plotë të operacioneve.

Dy sulme të tjera me dronë goditën qendrat e të dhënave të Yandexit më herët gjatë javës: njëri më 8 tetor në qytetin Sasovo, rreth 315 kilometra në juglindje të Moskës, dhe tjetri të nesërmen në rajonin e Kalugës, në jugperëndim të kryeqytetit.

Duke folur në ditën e parë të Forumit të Sigurisë në Varshavë, më 12 tetor, Zelensky tha se pas sulmeve të Ukrainës ndaj qendrave të të dhënave, “papritur u bë pak më e lehtë të merrje frymë në shumë platforma të rrjeteve sociale”.

“Kishte më pak urrejtje, më pak përçarje dhe më pak provokime, sepse kishte më pak botë – dhe është mjaft e qartë se nga vinin ata botë”, tha presidenti ukrainas.

Sulmet ukrainase ndaj qendrave të të dhënave duket se kanë përkuar me një rënie të menjëhershme të trafikut të automatizuar nga rrjeti i Yandexit, në rreth 0,4 për qind të nivelit më të lartë të arritur kohët e fundit, sipas të dhënave nga Cloudflare Radar, një mjet publik që monitoron aktivitetin global të internetit.

Botët pro-Kremlinit në rrjete sociale

Pas sulmeve me dronë, veçanërisht pas sulmit të fundit ndaj objektit në Vladimir, në rrjete sociale u përhapën gjerësisht pretendimet se sulmet kishin ulur ndjeshëm numrin e botëve pro-Kremlinit që publikonin në mediat sociale në mbështetje të partisë së ekstremit të djathtë në Gjermani, AfD, partisë populiste të djathtë Reform UK në Mbretërinë e Bashkuar dhe lëvizjes MAGA të presidentit amerikan, Donald Trump.

Disa përdorues sugjeruan se ndërprerja mund të ndikonte në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, në nëntor.

Duke publikuar një grafik në X, Tomas Zdechovsky, politikan çek dhe anëtar i Parlamentit Evropian, tha se “nëse konfirmohet, kjo është domethënëse: goditen qendrat ruse të të dhënave dhe aktiviteti në internet rreth AfD-së bie papritur”.

Megjithatë, shumë ekspertë dhe studiues të teknologjisë kanë paralajmëruar se efektet e pretenduara ndaj botëve në rrjete sociale duket se janë keqinterpretuar, bazohen kryesisht në dëshmi anekdotike dhe kërkojnë shqyrtim të mëtejshëm.

Studiuesit e teknologjisë thonë se rënia e ndjeshme e “trafikut të botëve” të Yandexit vjen, në fakt, kryesisht nga vetë "zvarritësit e uebit" të Yandexit – programe të automatizuara që skanojnë faqet publike të internetit për t’i indeksuar në motorët e kërkimit – dhe jo nga llogaritë që publikojnë dezinformata në X dhe rrjete të tjera sociale.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, një studiues që administron llogarinë në X @antibot4navalny, që monitoron përpjekjet e propagandës në internet të mbështetura nga qeveritë dhe rrjetet e trollëve, tha se grafiku i Cloudflare “ka pak të bëjë me botët keqdashës të propagandës në rrjete sociale. Ai mat kërkesat e automatizuara drejt faqeve të internetit (të çfarëdo lloji, ku pjesa e mediave sociale është e papërfillshme)”.

XenoSpectrum, një faqe japoneze interneti që mbulon teknologjinë dhe shkencën, shkroi se “ajo që Cloudflare Radar tregoi se kishte rënë ndjeshëm ishin kërkesat HTTP nga AS13238, një rrjet i operuar nga Yandex, të cilat vlerësoheshin si trafik i automatizuar... Prandaj, këto të dhëna nuk tregojnë as vëllimin e trafikut të internetit në të gjithë Rusinë, as numrin e mesazheve të publikuara në ndonjë rrjet të caktuar social”.

Ka të ngjarë që gjatë javëve të ardhshme të dalin më shumë të dhëna, të cilat do të hedhin më shumë dritë mbi ndikimin e sulmeve me dronë ndaj llogarive pro-Kremlinit të rrjeteve sociale.

Zelensky ka thënë se sulmet ishin një përgjigje “me të njëjtën monedhë” ndaj sulmeve ruse kundër qendrave ukrainase të të dhënave, të cilat u intensifikuan në shtator dhe kanë ndikuar në shërbimet e internetit dhe të telefonisë mobile në të gjithë Ukrainën.

Sulmet ndaj qendrave ruse të të dhënave shënojnë një zgjerim të fushatës ukrainase me dronë, e cila më parë ka pasur në shënjestër rafineritë ruse të naftës dhe infrastrukturën energjetike.

SHIKONI EDHE:

Ukraina godet Moskën në ditën e fundit të zgjedhjeve parlamentare në Rusi

Më 12 tetor, Yandex vazhdonte të raportonte ndërprerje të shërbimeve, ndërsa punonte për të rikthyer kapacitetet. Ministritë ruse të Mbrojtjes dhe të Zhvillimit Digjital po diskutojnë masa për mbrojtjen e qendrave të të dhënave nga sulmet me dronë, raportoi më 12 tetor agjencia shtetërore e lajmeve TASS, duke cituar ministrin e Zhvillimit Digjital, Maksut Shadayev.

Ndërprerje të shërbimeve të Yandex Go - aplikacioni kryesor mobil i gjigantit teknologjik për thirrjen e automjeteve, dërgesat dhe shërbime të tjera urbane, i përdorur gjerësisht edhe jashtë Rusisë - u raportuan gjithashtu në Armeni, Bjellorusi, Kazakistan, Kirgizi dhe Uzbekistan.

“Miq, disa nga shërbimet tona aktualisht po përballen me probleme teknike, të cilat mund të ndërpresin përkohësisht funksionimin e tyre. Jemi në dijeni të kësaj situate. Specialistët tanë po bëjnë çmos për t’i rikthyer shërbimet sa më shpejt të jetë e mundur. Kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim”, tha më 11 tetor Yandex Go, shërbimi i taksive dhe dërgesave i kompanisë në Kazakistan.

Shërbimi rifilloi më 12 tetor, megjithëse kompania tha se po vazhdon punën për ta stabilizuar funksionimin.