A do të ketë zgjedhje të drejta në Serbi fundjavën e ardhshme?

Studentët festojnë në rrugë pasi dorëzojnë listën “Studentët Fitojnë” në Komisionin Republikan Zgjedhor në Beograd, Serbi, më 14 shtator 2026.

Më shumë se 300 vëzhgues janë angazhuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, të cilat do të mbahen më 25 tetor.

Vëzhgimin e bashkërendon Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, apo ODIHR, e cila, që nga themelimi më 1991, merret me vëzhgimin e proceseve zgjedhore në 57 shtetet që mbulon OSBE-ja.

“Ne nuk i krahasojmë zgjedhjet e mëparshme me ato të tanishme. Pra, këtij procesi i qasemi praktikisht nga zeroja, pa nxjerrë paraprakisht përfundime. Duam të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë procesit zgjedhor të vitit 2026”, thotë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) Thomas Rymer, pjesëtar i ekipit të ODIHR-it.

Ai u përgjigj kështu në pyetjen se deri në çfarë mase misioni i vëzhgimit do t’i marrë parasysh 25 rekomandimet që ODIHR-i i kishte drejtuar Serbisë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, të mbajtura më 17 dhjetor 2023.

Çfarë konstatoi ODIHR-i?

Tre vjet më parë, ndër përfundimet kryesore për procesin zgjedhor në Serbi ishin: kushtet e pabarabarta zgjedhore, presioni ndaj votuesve dhe punonjësve të sektorit publik, keqpërdorimi i burimeve publike, pabarazia në media dhe problemet me listën e votuesve.

SHIKONI EDHE:

BE: Raporti i ODHIR-it konfirmon shqetësimet për parregullsi në zgjedhjet në Serbi

Në përputhje me këto gjetje, ndër rekomandimet e dhëna ishin ndryshimi i legjislacionit zgjedhor, trajnimi i administratës zgjedhore, auditimi i listës së votuesve dhe funksionimi i pavarur i Autoritetit Rregullator për Mediat Elektronike, REM.

Çfarë është përmbushur?

Serbia ka ndryshuar gjithsej katër ligje zgjedhore që rregullojnë procesin e pjesëmarrjes në zgjedhje, nga kandidimi deri te zgjidhja e kontesteve zgjedhore.

Me fjalë të tjera, sa i përket kandidimit, është mundësuar që i njëjti person, me nënshkrimin e tij, të mbështesë disa lista të ndryshme zgjedhore. Një liste i nevojiten 10.000 nënshkrime të vërtetuara për të marrë pjesë në zgjedhje. Ndërkaq, sa u përket kontesteve zgjedhore, Gjykatës Kushtetuese i është përcaktuar detyrimi që të vendosë për çështjet brenda 20 ditësh nga pranimi i dokumentacionit.

“Besoj se shumë gjëra janë bërë në Parlament para zgjedhjeve. Por, ende ka shumë për t’u përmirësuar. Kushdo që merr mandat në zgjedhjet e ardhshme, do të duhet të punojë për përmirësimin e kuadrit zgjedhor”, thotë Vladimir Bilçik, bashkëpunëtor i GLOBSEC-ut, një organizatë ndërkombëtare që merret me analiza dhe studime politike.

Vladimir Bilçik (i pari nga e djathta), me një delegacion nga Parlamenti Evropian, gjatë një takimi me Aleksandar Vuçiqin, presidentin e atëherëshm të Serbisë, më 9 korrik 2021 në Beograd.

Nga viti 2019 deri më 2024, Bilçik ishte raportues i Parlamentit Evropian për Serbinë.

Ai ka kaluar shumë kohë në Beograd, përfshirë edhe periudhën e zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit 2023. Në atë kohë, ishte pjesë e misionit vëzhgues të Parlamentit Evropian dhe monitoroi zgjedhjet.

Ditën e votimit, ai vizitoi disa vendvotime, përfshirë ato në komunën Baçki Petrovac të Vojvodinës dhe në qytetin e Novi Sadit.

“Në përgjithësi, zgjedhjet e atëhershme ishin të organizuara mirë. Këtë e thashë edhe atëherë dhe po e përsëris tani, veçanërisht duke pasur parasysh se para zgjedhjeve kishim marrë informacione që paralajmëronin mundësinë e trazirave dhe incidenteve të dhunshme”, thotë Bilçik në një bisedë nga Bratislava.

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme të tetorit, ai thekson se, përmes ndryshimeve ligjore, Serbia ka mënjanuar një sërë mangësish të evidentuara nga ODIHR-i.

SHIKONI EDHE:

PE-ja miraton rezolutë për Serbinë, kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet

“Gjithashtu, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve ka punuar mirë sa i përket respektimit të afateve në përgatitjen e procesit zgjedhor. Regjistrimi i kandidatëve ka funksionuar mirë dhe është vendosur edhe një sistem mbikëqyrjeje”, vlerëson ai.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për zgjedhjet e vitit 2026, në të cilat do të marrin pjesë 18 lista zgjedhore, ai vë në pah një dallim të rëndësishëm: “Këto janë zgjedhjet e para në më shumë se një dekadë, rezultati i të cilave është vërtet shumë i pasigurt”.

Çfarë ndryshon tani?

Le të kthehemi gjashtë vjet prapa.

Të pakënaqura me kushtet zgjedhore, shumica e partive opozitare i bojkotuan zgjedhjet e rregullta parlamentare të mbajtura në qershor të vitit 2020.

Ky bojkot ishte vazhdim i bojkotit opozitar të Parlamentit, i cili zgjati nga shkurti i vitit 2019 deri në gusht të vitit 2022.

Opozita vendosi ta bojkotonte Parlamentin për shkak të bllokimit të debatit parlamentar.

Kjo gjendje u evidentua edhe në raportin e Komisionit Evropian të vitit 2019, ku thuhej se shumica qeverisëse, e udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe dhe Aleksandar Vuçiqi, i cili e drejtonte atëherë dhe vazhdon ta drejtojë edhe sot, kishte përdorur qindra amendamente që nuk lidheshin me përmbajtjen e ligjeve, me qëllim që të shpenzonte kohën në dispozicion për debat.

Opozita mori pjesë edhe në zgjedhjet e vitit 2023. Në atë kohë, Partia Përparimtare Serbe fitoi 129 mandate, por së bashku me aleatët siguroi shumicën prej 153 mandatesh. Parlamenti ka gjithsej 250 vende.

Dy vjet më vonë, në valën e protestave kundër korrupsionit dhe për forcimin e sundimit të ligjit, të cilat u përhapën në gjithë Serbinë pas vdekjes së 16 personave nga shembja e strehës së hyrjes në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, i cili ishte rinovuar pak kohë më parë, u shfaq një faktor i ri politik.

SHIKONI EDHE:

Rusia, BE-ja, Kina, SHBA-ja: Nga cili vend anojnë 18 listat zgjedhore në Serbi?

Në zgjedhjet e ardhshme, ai do të garojë si Lista Studentore. Ajo përbëhet nga 250 kandidatë për deputetë, të përzgjedhur nga asambletë plenare të studentëve të të gjitha universiteteve shtetërore.

Sot, kjo listë konsiderohet njëra prej favoritëve në zgjedhje. Kjo e ndryshon ndjeshëm skenën zgjedhore dhe shton shqetësimet për shkelje të mundshme të rregullave gjatë procesit të votimit.

“Kemi marrë reagime lidhur me disa prej këtyre çështjeve. Raporti i ndërmjetëm përfshin pikërisht një pjesë të asaj që po dëgjojmë, si dhe çështje që mund t’i shqyrtojmë më hollësisht dhe të vazhdojmë t’i monitorojmë. Po, kemi dëgjuar vërejtje dhe shqetësime lidhur me këto çështje. Por ende nuk kemi arritur në fazën kur mund të japim një vlerësim përfundimtar”, thotë Rymer.

Ky institucion e publikon raportin përfundimtar pas zgjedhjeve. Në të do të përfshihen edhe vlerësimet për njërën prej çështjeve që diskutohet shpesh gjatë fushatës zgjedhore.

Sa votues ka Serbia?

Pothuajse po aq sa banorë.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve njoftoi, 16 ditë para zgjedhjeve, se në Serbi janë regjistruar 6.450.523 votues. Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, Serbia ka gjithsej 6.647.003 banorë.

Fakti se dallimi mes numrit të votuesve dhe numrit të banorëve të të gjitha moshave është kaq i vogël, e ka shtuar në njëfarë mase tensionin gjatë javëve para zgjedhjeve.

“Çështja është se, nga njëra anë, kemi të dhënat e regjistrimit të popullsisë, ku njerëzit thjesht deklarojnë se ku jetojnë, ndërsa adresat dhe të dhënat mund të jenë shumë të ndryshme. Nga ana tjetër, kemi listën e votuesve, në të cilën njerëzit regjistrohen sipas vendbanimit, pra sipas adresës që figuron në dokumentet e tyre të identifikimit”, shpjegon Pavle Dimitrijeviq nga organizata joqeveritare CRTA, e specializuar në monitorimin e zgjedhjeve.

SHIKONI EDHE:

Si u rrit numri i votuesve nga Kosova për 20 mijë që nga zgjedhjet e kaluara në Serbi?

“Pikërisht për shkak se saktësia e listës së votuesve vihet në pikëpyetje dhe nuk e dimë se në çfarë gjendjeje është ajo, CRTA ka propozuar prej kohësh kryerjen e një auditimi të pavarur të listës. Fatkeqësisht, deri më tani kjo nuk ka ndodhur, kryesisht sepse Komisioni i Pavarur për Auditimin e Listës së Votuesve, i formuar në Serbi në shkurt të vitit 2026, nuk ka arritur t’i përfundojë të gjitha aktivitetet. Komisioni ka humbur shumë kohë duke u përpjekur të krijojë kushtet për qasje në të gjitha të dhënat e nevojshme për auditimin e listës së votuesve”, përfundon ai.

Verifikimi i saktësisë së listës së votuesve, krahasimi i të dhënave me regjistrat e vendbanimeve, të lindjeve dhe të vdekjeve, si dhe kërkesat drejtuar autoriteteve përgjegjëse për korrigjimin e parregullsive, janë disa nga detyrat e këtij komisioni.

Komisioni u formua tetë muaj para zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Serbisë dhe ka dhjetë anëtarë: pesë përfaqësues të pushtetit, tre të opozitës dhe dy të shoqatave të qytetarëve.

Komisioni është i detyruar të përgatisë edhe rekomandime për përmirësimin e listës së votuesve. Mbetet të shihet nëse do t’i marrë parasysh edhe gjetjet e publikuara nga REL-i një muaj para votimit, sipas të cilave më shumë se gjysmë milioni votues janë regjistruar në listë pa një adresë të shënuar saktësisht.

Your browser doesn’t support HTML5

"Flamuri në Prizren", votat në Serbi

Ndërkohë, si një zhvillim pozitiv është evidentuar fakti se në disa adresa, ku para tre vjetësh figuronin dhjetëra votues, numri i tyre tani është zvogëluar ndjeshëm.

“Nuk do të mund të thosha se kjo përbën përparim”, thotë Dimitrijeviq.

“Këto janë raste të veçanta dhe nuk e dimë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë: nëse votuesit janë çregjistruar, nëse e kanë ndryshuar vendbanimin apo nëse dikush në administratë e ka kryer vërtet punën e vet. Në thelb, nuk mund të pohojmë asgjë pa një analizë përkatëse, e cila, fatkeqësisht, deri më tani nuk është mundësuar”, deklaron ai.

Pse diaspora është përballur me probleme?

“Do të preferoja të vija në Serbi dhe ta kombinoja këtë me pushimet që gjithsesi kisha planifikuar t’i bëja në një moment, sesa të më duhej të udhëtoja për një fundjavë deri në Melburn ose Sidnej për të votuar”, thotë për REL-in Jovana Mastiloviq, e cila jeton pranë Brisbanit, në Australi.

Përndryshe, ajo do të duhej të udhëtonte 1.700 kilometra deri te vendvotimet në Melburn ose Sidnej. Votimi atje fillon në orën 16:00 dhe përfundon në orën 05:00 të mëngjesit.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, i ka hedhur poshtë pretendimet se ministria po e pengon votimin. Megjithatë, mbetet e paqartë pse numri i vendvotimeve këtë herë nuk përputhet me interesimin e lartë për të votuar, i cili është gati tri herë më i madh se në zgjedhjet e mëparshme. Po ashtu, nuk është e qartë pse orari i votimit nuk është përshtatur me zonat kohore.

SHIKONI EDHE:

Kosova në fushatën zgjedhore në Serbi: Retorikë nacionaliste, pak zgjidhje konkrete

Për shkak të këtyre problemeve, 31 diplomatë kanë nënshkruar një letër proteste me titullin “Diasporë, na fal”.

Rymer thotë se ODIHR-i po e shqyrton edhe këtë çështje, por thekson: “Ne jemi ftuar t’i vëzhgojmë zgjedhjet në Serbi dhe, natyrisht, vëzhgimin do ta kryejmë në Serbi. Nuk kemi mundësi ta bëjmë këtë jashtë vendit. Megjithatë, ne e ndjekim mënyrën se si administrohet ky proces dhe, pa dyshim, do ta vlerësojmë këtë çështje në deklaratën tonë përfundimtare”.

Ku nuk do të mund të votohet si më parë?

Ndër qytetet ku këtë herë nuk do të mund të votohet, ndonëse më parë ishte e mundur, janë Bukureshti, Sofja dhe Selaniku, në afërsi të Serbisë, por edhe Vankuveri në Kanada, Grazi në Austri dhe Stambolli në Turqi.

Nëse diferenca mes forcave kryesore politike në rezultatet e votimit do të jetë e vogël, rëndësia e votave nga diaspora do të rritet.

Për këtë arsye, debati për këto vota është veçanërisht i rëndësishëm. Në këtë kontekst përfshihet edhe rritja me 20.000 e numrit të votuesve nga Kosova, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, si dhe shtimi i ndjeshëm i numrit të vendvotimeve në Bosnje e Hercegovinë.

Your browser doesn’t support HTML5

"Të fortët" e Ballkanit: Pse nuk lëkunden lehtë?

Numri i vendvotimeve në Bosnje është rritur nga 19 sa kishte në zgjedhjet e mëparshme, në 28.

Nuk ka të dhëna të sakta se sa votues nga Bosnja janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet në Serbi.

“Ajo që mund të thuhet është se numri i votuesve që janë regjistruar është pothuajse dyfishuar krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Ka shumë më tepër vendvotime, që përbën rritjen më të madhe të regjistruar në një shtet të vetëm”, thotë Dimitrijeviq, duke shtuar se CRTA planifikon të dërgojë vëzhgues në vendvotimet në Bosnje.

Ndërkaq, Serbia po shkon drejt zgjedhjeve të shtata që nga ardhja në pushtet e forcave të udhëhequra nga Vuçiqi, në vitin 2012, pra para 14 vjetësh.

Nga të gjitha ciklet zgjedhore të mbajtura gjatë kësaj periudhe, vetëm dy herë zgjedhjet kanë qenë të rregullta. Të gjitha të tjerat, përfshirë edhe zgjedhjet e ardhshme të caktuara për 25 tetor, kanë qenë të parakohshme.