Hungarezët votojnë në zgjedhjet parlamentare më 12 prill, teksa lufta vazhdon në Ukrainën fqinje dhe raportet e Qeverisë hungareze me Rusinë janë nën kritika të ashpra.
Sondazhet sugjerojnë se pas 16 vjetësh në pushtet, kryeministri Viktor Orban, mund të humbë pushtetin dhe zgjedhjet t’i fitojë udhëheqësi i opozitës, Peter Magyar. Por, Orbani në të kaluarën i ka sfiduar sondazhet.
Rezultati i zgjedhjeve jo vetëm që do të vëzhgohet nga afër në Kiev dhe Moskë. Raportet e trazuara të Hungarisë në shumë shtete në Bashkimin Evropian nënkuptojnë që vendet e BE-së po ashtu janë të interesuara për rezultatin e votimeve, teksa Uashingtoni ka shprehur mbështetje të fortë për Orbanin.
Pse zgjedhjet janë të rëndësishme?
Orban ka krijuar një rol kyç për Hungarinë.
Si anëtar i BE-së, ai ka arritur të bllokojë apo zbusë shumë vendime të BE-së për sanksionet ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022. Po ashtu ka penguar disa vendime për mbështetjen e BE-së për Ukrainën.
Së voni, ai ndaloi një kredi në vlerë prej 90 miliardë eurosh për Kievin për vitin 2026 dhe 2027, për të cilën fillimisht udhëheqësit e BE-së u pajtuan në dhjetor të vitit 2025. Muajin e kaluar, policia hungareze sekuestroi dy furgonë që po transportonin mbi 80 milionë dollarë para kesh dhe nëntë kilogramë shufra të arit, si dhe shtatë shtetas ukrainas, të cilët ishin nisur nga Austria për në shtetin e tyre, në atë që u konsiderua si transport i rregullt i instrumenteve monetare.
SHIKONI EDHE:
Hungaria dhe Ukraina fjalosen për furnizimet me naftëKëto hapa ndodhën pasi Orbani e akuzoi Ukrainën për ndalim të dërgesave të naftës ruse përmes tubacionit Druzhba. Ukraina tha se tubacioni u dëmtua nga sulmet ajrore ruse dhe riparimet marrin kohë.
Të gjitha këto çështje kanë ndikuar në fushatën zgjedhore, ashtu si edhe bisedat telefonike që kanë dalë në publik, në të cilat ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, dukej se informonte homologun e tij rus, Sergei Lavrov, mbi takime të nivelit të lartë të BE-së.
Pasi fillimisht e mohoi, kryediplomati hungarez më pas konfirmoi se ai jo vetëm që flet me kolegët rusë para dhe pas takimeve të BE-së, por po ashtu edhe me homologët nga Izraeli, Serbia, Turqia dhe SHBA-ja.
SHIKONI EDHE:
Orban thotë se Ukraina nuk është “shtet sovran”Skenari i parë: Orbani fiton
Para zgjedhjeve, presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në rrjetet sociale se Orbani “ka mbështetjen time të plotë”. Dy udhëheqësit kanë raporte të ngushta të bazuar në ideologjinë e përafërt dhe kiminë personale.
Nëse Orbani fiton, ky raport i ngushtë pritet që të vazhdojë.
Zyrtarë të BE-së i thanë Radios Evropa e Lirë se do të prisnin që Orbani “të zbutet disi” dhe të lejojë që disa veto të hiqen, nëse ai arrin të mbetet në pushtet.
SHIKONI EDHE:
Fati i vetove të Hungarisë në BEPor, ata po ashtu presin, duke folur në përgjithësi, vazhdimësi – siç presin edhe analistët politikë me të cilët bisedoi REL-i.
“I vetmi ndryshim këtu është se ai nuk e kishte parashikuar varësinë nga Ukraina [për naftën ruse] dhe kjo i jep disa karta të forta ukrainase”, tha Zsuzsanna Vegh nga Fondi gjerman Marshall në Berlin.
“Transiti përmes tubacionit Druzhba është kyç për momentin për furnizimet energjetike hungareze dhe nëse nuk ka një zgjidhje të shpejtë [për bllokadën që Irani po i bën] për Ngushticën e Hormuzit, kjo atëherë vërtet mund të bëhet një pikë ku Ukraina mund t’i bëjë presion Hungarisë po ashtu”, shtoi ajo.
Botond Feledy, drejtues i kompanisë konsulente Red Snow Consulting me seli në Bruksel, tha se një fitore e Orbanit do të sillte forcimin e trendëve ekzistuese të politikës së jashtme të Hungarisë.
Ai parashikoi “përkeqësim të raporteve me BE-në dhe për rrjedhojë, potencialisht njëfarë mbështetjeje politike nga Trumpi… duke e parë Hungarinë si nxënësen e mirë të ideologjisë [Bëje Amerikën Madhështore Sërish] në kontinent. Dhe, rusët thjesht do ta përdorin atë siç e kanë përdorur më parë, pa ndonjë lidhje emocionale dhe për sa kohë që u shërben interesave të tyre”.
Megjithatë, ai shtoi se pret lëvizje në disa çështje pas ditës së zgjedhjeve, siç është ari i sekuestruar ukrainas.
“E kuptoj që Orban mund të thotë diçka sikurse do t’i zhbllokojë gradualisht fondet ukrainase sapo të kthehet në qeveri”, tha ai. “Do të jetë çështje negocimi”.
Qeveria hungareze nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment mbi hapat e ardhshëm të politikës së jashtme.
Skenari i dytë: Magyari fiton
Fokusi kryesor i Magyarit në fushatën zgjedhore ishin çështjet e brendshme, veçmas një fushatë kundër korrupsionit.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në tetor të vitit 2025, ai la të kuptohet se politika e tij e jashtme do të ishte e kujdesshme.
SHIKONI EDHE:
Udhëheqësi opozitar hungarez thotë se nuk mund të hiqet dorë shpejt nga importet e energjisë nga RusiaNë veçanti, tha ai, nuk do të ketë ndalje të shpejtë të importeve të karburanteve fosile ruse, pavarësisht presionit të BE-së ndaj Hungarisë – si dhe ndaj Sllovakisë fqinje – për t’u harmonizuar me hapat që kanë ndërmarrë shtetet e tjera anëtare për të shkëputur plotësisht lidhjet energjetike me Moskën deri në vitin 2027.
Hungaria aktualisht importon rreth 95 për qind të furnizimeve të saj me gaz natyror nga Rusia, ndërsa gjatë gjysmës së parë të vitit 2025 rreth 92 për qind e importeve të saj të naftës ishin nga Rusia.
“E kuptoj që ai nuk dëshiron të marrë rreziqe të hershme duke deklaruar objektiva të mundshëm që nuk mund t’i përmbushë”, tha Feledy.
“Çështja kryesore është se ato kontrata janë ende konfidenciale dhe çdo qeveri e re apo Peter Magyar nuk mund të vlerësojë realisht se çfarë përmbajnë ato marrëveshje me Rusinë”, shtoi ai.
Situata aktuale në tregjet ndërkombëtare të energjisë është e paqëndrueshme për shkak të luftës në Iran, dhe kjo gjë shton pasiguritë në këtë drejtim.
SHIKONI EDHE:
“Taksa” në Ngushticën e Hormuzit mund të jetë e kundërligjshme, paralajmërojnë ekspertëtMagyar ka bërë deklarata të përgjithshme për zhvendosjen e politikës së jashtme të Hungarisë larg Moskës dhe drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Ai ka shmangur që të jetë shumë specifik për Ukrainën, përveç se ka sinjalizuar se nuk mbështet lëvizjet për t’i dhënë Ukrainës anëtarësim të përshpejtuar në BE. Megjithatë, analistët presin një ndryshim toni nga Peter Magyar nëse ai fiton.
“Retorika e tij gjatë fushatës për Ukrainën ka qenë e heshtur dhe shumë e përmbajtur. Ai nuk guxon të përballet hapur me Viktor Orbanin për këtë çështje”, tha për Radion Evropa e Lirë Dalibor Rohac, studiues i lartë në Institutin American Enterprise.
“Por, realiteti paszgjedhor në të cilin Peter Magyar do të duhet të riparojë marrëdhëniet e Hungarisë me BE-në dhe aleatët e Hungarisë, si dhe të rikthejë vendin e Hungarisë në Evropë… do ta bëjë të pashmangshme që Hungaria të bëhet një partnere më konstruktive, përfshirë edhe për Ukrainë”, shtoi ai.
Vegh shprehu një mendim të ngjashëm.
“Qëndrimi dhe qasja në përgjithësi do të ishin ndryshe. Mendoj se do të kishte një përpjekje për partneritet sa u përket politikave të BE-së për Ukrainën”, tha ajo.
Në intervistën për REL-in, Mayar po ashtu lavdëroi Trumpin për nismën e tij për paqe në Gazë dhe për presionin ndaj Rusisë për të pranuar “paqe, ose të paktën një armëpushim në Ukrainë”.
Kur JD Vance vizitoi Budapest më 7 prill, nënpresidenti gjithashtu shprehu mbështetjen e Shtëpisë së Bardhë për Orbanin, por shtoi se Shtetet e Bashkuara do të “punojnë me këdo që fiton këto zgjedhje”.